MTI dhe STIKK synojnë rritjen e eksportit të shërbimeve vendore

Aktuale

MTI dhe STIKK synojnë rritjen e eksportit të shërbimeve vendore

Më: 13 nëntor 2017 Në ora: 14:37
Bajram Hasani

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka nënshkruar marrëveshje me Shoqatën për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit mes sektorit publik dhe atij privat.

Kjo marrëveshje i mundëson STIKK-ut shfrytëzimin e objektit të Institutit të Biznesit në një afat 5 vjeçar me mundësi vazhdimi, ndërsa  është nënshkruar nga ministri i MTI-së, Bajram Hasani dhe drejtoresha e STIKK-ut, Vjollca Çavolli. Ndërsa të dyja palët u shprehën se presin që të rritet edhe më shumë eksporti i shërbimeve që kompanitë kosovare ofrojnë.

Ndërsa në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj dhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar.

Zëvendëskryeministri  Limaj tha se kjo marrëveshje është vazhdimësi e punës së nisur më herët nga Qeveria e Kosovës, finalizimi i së cilës tregon se prioritetet e Qeverisë janë në shërbim të vendit.

Ai tha po ashtu se pret që STIKK të punojë në kuadër të kornizës ligjore në Kosovë dhe se pret që nga kjo shoqatë  të dalin sipërmarrës të rinj.

Limaj: Besojmë se talentët tanë tanimë i kanë kushtet minimale për të punuar

"Kjo tregon që prioritet tona të cilat janë në shërbim të vendit tonë Qeveria i vazhdon, i shtynë përpara për t’iu dhënë mundësi dhe hapësirë njerëzve tanë të këtij sektori, duke krijuar kushte sa më të mira për zhvillimin e këtij sektori... Shpresoj se ky objekt do të jetë funksional, në shfrytëzim të plotë të kësaj shoqate duke shpresuar se talentët tanë i kanë tanimë kushtet minimale për të punuar... Presim që shoqata të punojë në kuadër të Kornizës Ligjore të Republikës të Kosovës dhe presim që nga ky objekt të dalin sa më shumë njerëz, talent, sipërmarrës të këtij sektori", theksoi Limaj.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë  Bajram Hasani tha se kanë shtyrë këtë proces të nisur më parë, pasi që një gjë e tillë do të fuqizojë këtë sektor që ka ecur më së shumti edhe sa i përket eksportit të vendit.

Hasani: Ky është një hap tutje drejt krijimit të bizneseve potenciale të qëndrueshme

“Fillimisht do të nënshkruajmë një kontratë 5 vjeçare me mundësi vazhdimi. Është një sipërfaqe 3 mijë e 980 metra... Sot më datën 13 nëntor 2017 po bëjmë një hap tutje në bashkëpunim me STIKK për të kontribuar në krijimin e bizneseve potenciale, të qëndrueshëm për shërbime të përbashkëta në ndërmarrësi, shërbime përkrahëse të biznesit, avancime të shkathtësive dhe teknologjive”, tha ai. 

Ndërsa dejtoresha e STIKK, Vjollca Çavolli tha se ka qenë një rrugëtim mjaft i gjatë deri sa kanë ardhur në këtë pikë për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Ndërsa  shtoi se finalizimi i saj e ka bërë që të pendohet për deklaratën e lëshuar një muaj më parë ku kishte thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka memorie institucionale.

Çavolli: Qeveria jonë mund dhe dëshiron të ketë një memorie institucionale

"Unë mendoj se ky është hapi i parë i Qeverisë të Kosovës. Me këtë  kanë treguar një përkushtim shumë të madh dhe më kanë treguar mua se kam gabuar para një muaji kur kam gabuar para një muaji kur kam deklaruar publikisht se më pengon se Qeveritë tona nuk kanë memorie institucionale dhe me këtë po e pranoj publikisht gabimin në deklaratën time, sepse ky rast më tregoi se Qeveria jonë mund dhe dëshiron të ketë një memorie institucionale dhe të vazhdojë proceset të cilat kanë filluar më herët", sqaroi ajo.

Ajo theksoi se kompanitë eksportojnë mjaft porse synojnë që të rrisin edhe më shumë eksportin e shërbimeve nga Kosova.

Ndërkaq ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka shpjegoi se ka marrë përsipër financimin dhe rregullimin e objektit ku do të veprojë STIKK, përderisa theksoi se si MZHE ka ndarë 300 mijë euro për rregullimin e interierit.

Lluka: I kam marrë dy zotime, financimin dhe rregullimin e objektit

"Ne si ministri e Zhvillimit Ekonomik  e mbulojmë sektorin e teknologjisë informative dhe parashohim që këtë objekt ta avancojmë edhe më tej që ta bëjmë të përshtatshëm për nevojat e tregut dhe teknologjisë. E kemi ndarë një buxhet prej 300 mijë euro për rregullimin e interierit të brendshëm, dhe në bashkëpunim me donator, siç është edhe GIZ-i gjerman do të rregullohet edhe inventari i objektit. Unë personalisht  i kam marrë dy zotime, financimin dhe rregullimin e objektit", tha ai.

Sipas tij, të gjitha kompanitë ndërkombëtare që do të vijnë dhe përfitojnë nga ndonjë tender i Qeverisë së Kosovës, do të jenë të obliguara që të hapin nga një qendër për hulumtim dhe zhvillim, në mënyrë që të rinjtë e Kosovës të kenë mundësi të aftësohen në fusha specifike që mungojnë në vend.

Në këtë cereomin të  pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe  ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi dhe drejtori i përgjithshëm i KIESA, Besian Mustafa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat