Ushtria e Kosovës në partneritet me NATO-n

Aktuale

Ushtria e Kosovës në partneritet me NATO-n

Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 09:43
Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli

(E plotësuar)- Kosova shumë shpejt do ta ketë ushtrinë e saj në bashkëpunim me NATO-n. ndërsa, deri në vitin 2020 synohet që Kosova të bëhet anëtare e organizatës me të fuqishme ushtarake, NATO-së.

Kështu thanë krerët e institucioneve të vendit, në konferencën ndërkombëtare  “NATO dhe Ballkani Perëndimor – Dinamikat regjionale në periudhën e sfidave globale të sigurisë”, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qendra Kosova për Studime të Sigurisë (KCSS).

Kryetari i Kuvendit  Kadri Veseli tha se kontributi i Kosovës për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare i kalon kufijtë e rajonit, derisa në këto pak vite të ekzistencës si shtet i pavarur dhe sovran, Kosova ka treguar përkushtim dhe efikasitet të vlerësuar, brenda Aleancës globale kundër terrorizmit dhe kërcënimeve që vijnë prej ideologjive që e ushqejnë atë.

Kreu i legjislativit, theksoi angazhimin e Kosovës për anëtarësim me të drejta të plota në NATO, derisa FSK-ja ka arritur të gjitha kapacitetet e nevojshme për të dhënë kontributin e drejtpërdrejtë si anëtare e Aleancës Veriatlantike.

Veseli: Shpejt do ta kemi ushtrinë bashkë me NATO-n

“Ne synojmë të bëhemi anëtarë me të drejta të plota të Aleancës Veriatlantike, ne krenohemi me FSK-në, një organizatë e cila është duke bërë një punë të jashtëzakonshëm. Natyrisht që presim që shumë shpejt bile nuk jemi vonuar, që të bëjmë transformimin e FSK-së në ushtri të ardhshme të Kosovës. Veprimet tona do të jenë të përbashkëta, nuk do të ketë befasi, por ajo që është siguri është se Kosova do ta ketë ushtrinë e vet bashkë me partnerët e NATO-së, në ditët në vijim”, tha Veseli.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj theksoi se deri në fund të kësaj dekade do të jenë pjesë e NATO-së. Por, paraprakisht tha se Kosova ka synim të bëhet anëtare e partneritetit për paqe.

Haradinaj: Deri në vitin 2020 synojmë anëtarësimin në NATO

“Ne duam dhe e meritojmë të anëtarësohemi sa më shpejt në NATO, pra ne jemi në NATO. Ne duam që NATO të qëndrojë në Kosovë, ne kemi të drejt dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet për të themeluar Forcat e Armatosura të Kosovës. Ne synojmë që brenda kësaj dekade, pra deri në vitin 2020 ta përmbyllim anëtarësimin në NATO”, theksoi Haradinaj.

Shefi i ekzekutivit, theksoi se sfidat që ata i veçojnë, siç janë ekstremizmi global, ndikimi i Rusisë në Ballkan dhe kërcënimet kibernetike.

Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, e quajti vlerë të shtuar për NATO-n, anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veriatlantike.

Pacolli: Është domosdoshmëri që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s

“Kosova ka nevojë për NATO-në dhe Kosova do të jetë sigurisht vlerë e shtuar e NATO-s. Ta rrumbullakësoj gjithë këtë, Kosova duhet të bëhet sa më shpejt pjesë e NATO-së, Kosova do të kompletoj atë ‘Puzzle’ sot të pakompletuar të NATO-së. Ne jetojmë në një rajon që i përket NATO-s dhe duhet ta pranojmë edhe faktin se ne duhet të jemi pjesë e NATO-s. Kjo paraqet një domosdoshmëri dhe një stabilitet të mëtutjeshëm në rajon”, u shpreh Pacolli.

Kryediplomati kosovar, shprehu po ashtu edhe zhgënjimin e tij pas një vizite që kishte zhvilluar në NATO, duke thënë se atje u prit si person, e jo si përfaqësues i shtetit të Kosovës, i cili sipas tij, tashmë ekziston dhe duhet të mësohen të gjithë me këtë realitet.     

Ndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-së për diplomaci publike, Tacan Ildem, theksoi se NATO mbetet para se gjithash një organizatë kolektive e mbrojtjes, derisa investojnë gjithnjë e më shumë në projektimin e stabilitetit. Sipas tij, kjo bëhet thjesht për të ndihmuar fqinjët e tyre që të jenë më të sigurte, pasi kur fqinjët e tyre janë stabil, atëherë edhe ata janë të sigurt.

Ildem: Një Ballkan stabil do të thotë një Evropë stabile

“Neve na intereson për stabilitetin dhe të ardhmen e begatë të të gjithë njerëzve që jetojnë këtu. Pasi që, një Ballkan stabil do të thotë një Evropë stabile...Për të dalë direkt te këto detyra kërkuese, të cilat duhet të adresohen të gjitha në të njëjtën kohë, më lejoni të ritheksoj rëndësinë e madhe që NATO i jep vazhdimit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është kritike për paqen dhe sigurinë rajonale”, u shpreh Ildem.

Konferenca ndërkombëtare “NATO dhe Ballkani Perëndimor – Dinamikat regjionale në periudhën e sfidave globale të sigurisë”, është hapur dje, derisa do të vazhdoj sot gjatë tërë ditës me diskutimet e panelistëve.

***

 Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë gjatë konferencës “NATO dhe Ballkani Perëndimor – Dinamikat rajonale në epokën e sfidave të sigurisë globale”, se Kosova pret që shteti i Serbisë ta njohë shumë shpejt pavarësinë e shtetit më të ri në Evropë.

Sipas tij, Kosova pas tre muajsh feston 10-vjetorin e pavarësisë dhe se Serbia duhet ta njohë këtë fakt.

“Pas tre muajsh Kosova feston 10-vjetorin e pavarësisë së vet. Kosova është dëshmuar si shtet që ka kontribuar në paqe dhe demokraci në rajon dhe më gjerë. Ne kemi ndërtuar raporte shumë të mira të fqinjësisë me shtetet përreth, ndërkaq edhe me Republikën e Serbisë po presim që Republika e Serbisë shumë shpejt ta njohë edhe pavarësinë e shtetit tonë”, ka thënë Veseli.

Ildem: NATO i jep rendësi të madhe dialogut me Serbinë

 Ndihmës-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Diplomacinë Publike Tacan Ildem, tha se një Ballkan stabil është një Evropë stabile.

Ai theksoi se fqinjësia e mirë nuk është luks por parakusht për integrim, duke thënë se NATO punon me të gjithë në për të ruajtur sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Ildem tha se NATO i jep rëndësi të madhe dialogut të Kosovës me Serbinë, derisa ka shtuar se organizata më e fuqishme ushtarake që ai përfaqëson, nuk i injoron kërcënimet e çfarëdolloj.

Tacan Ildem këto deklarata i bëri gjatë konferencës ndërkombëtare “NATO dhe Ballkani Perëndimor – Dinamikat regjionale në periudhën e sfidave globale të sigurisë”, e cila po mbahet sot në Prishtinë.

Haradinaj: Deri në vitin 2020 presim anëtarësimin Kosovës në NATO

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj theksoi se sfidat e sigurisë i tejkalojnë kufijtë shtetëror.

Haradinaj shtoi se rreziqet që i veçojnë janë terrorizmi, ndërhyrja e Rusisë, krimet kibernetike dhe korrupsioni global.

Ai tha se Kosova e ka rrugën e saj në aspektin ushtarak dhe se duan sa më shpejt anëtarësimin në NATO.

 Sipas tij deri në vitin 2020 presin përfundimin e anëtarësimit në organizatën me të fuqishme ushtarake.

Këto deklarata Haradinaj i bëri në konferencën ndërkombëtare “NATO dhe Ballkani Perëndimor – Dinamikat regjionale në periudhën e sfidave globale të sigurisë”, e cila po mbahet sot në Prishtinë.

***

Nis sot në Prishtinë konferenca rajonale e sigurisë “NATO dhe Ballkani Perëndimor - Dinamikat rajonale në epokën e sfidave të sigurisë globale”.

Në konferencë  janë të pranishëm drejtuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe përfaqësues të lartë të NATO-s, të shteteve të rajonit dhe personalitete të tjera të rëndësishme nga Kosova dhe më gjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat