Presidenti emëron Këshillin Organizativ për shënimin e dhjetëvjetorit të pavarësisë

Aktuale

Presidenti emëron Këshillin Organizativ për shënimin e dhjetëvjetorit të pavarësisë

Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 10:05
Ilustrim

Kanë nisur organizimet për manifestimin e 10 vjetorit të pavarësisë, vitit jubile të Republikës së Kosovës.

Për dallim nga viti i kaluar, ku përvjetori i Pavarësisë së Republikës së Kosovës u festua ftohtë, sivjet nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, ky jubile i parë i pavarësisë së Kosovës pritet të ketë festë më të madhe.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tashmë ka nënshkruar edhe vendimin për emërimin e Këshillit Organizativ për shënimin e dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës 17 shkurt 2008 – 17 shkurt 2018.

 Ky këshill organizativ, i cili kryesohet nga Presidenca, përbëhet edhe prej Zyrës së Kryetarit të Kuvendit, Zyrës së Kryeministrit të Kosovës dhe Protokolli i Shtetit. Zyrtarë të Presidencës për KosovaPress tregojnë se tashmë e kanë hapur konkursin publik edhe për logon dhe sloganin nën të cilin do të organizohet çdo ngjarje manifestive për këtë vit jubile të pavarësisë.

Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Thaçi, i cili është edhe kryesues i Këshillit Organizativ, thotë se tani janë në fillet e para të organizimit dhe manifestimi do të zgjerohet edhe nëpër komunat e Kosovës, duke bërë kështu që çdo ditë në tërë muajin shkurt të ketë ngjarje me të cilat do të shënohet dhjetëvjetori i pavarësisë.

“Tash jemi në fillet e para të organizimit dhe jemi duke diskutuar me të gjitha palët e përfshira për programet që do të organizohen gjatë tërë këtij muaji të pavarësisë, përfshirë këtu edhe ditën e 17 shkurtit, e cila do të ketë program të veçantë. Merr kohë ky organizim dhe ende nuk i kemi konkretizuar, mirëpo fillimisht, meqë është hapur edhe konkursi publik, apelojmë tek të gjithë krijuesit që të aplikojnë me idetë e tyre, me dizajnet e tyre, për logon dhe sloganin e vitit jubile të pavarësisë”, ka thënë Arifaj.

Sipas tij, ky vit i pavarësisë është shumë i veçantë për shtetin e Kosovës dhe institucionet do ta bëjnë më të mirën e mundshme që të kemi përfaqësim dhe promovim sa më të mirë edhe jashtë Kosovës.

“Forcimi i identitetit shtetëror brenda dhe forcimi i subjektivitetit shtetëror jashtë do të jenë në fokus të çdo organizimi. Kurse, për ditën e pavarësisë do të ftohet edhe shumë mysafirë, figura ndërkombëtare që kanë kontribuar për pavarësinë e Kosovës, pra protagonistët ndërkombëtarë të pavarësisë”, ka thënë Arifaj.

 KosovaPress mëson se për dhjetëvjetorin e pavarësisë pritet të organizohen edhe gara në disiplina të ndryshme sportive dhe ngjarje të shumta kulturore, derisa ftesë do ju bëhet edhe yjeve kosovare që kanë bërë famë në botë, që të jenë të pranishëm në Kosovë për vitin jubile të pavarësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat