Mediat serbe: Thaçi po kërkon marrëveshje historike mes Serbisë dhe Kosovës

Aktuale

Mediat serbe: Thaçi po kërkon marrëveshje historike mes Serbisë dhe Kosovës

Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 10:26
Hashim Thaçi

Kosova po përballet me paradokse të një lloji të veçantë, tha në Prishtinë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Siç tha ai, Kosova është pa dyshim shteti më pro-evropian, më pro-NATO dhe më pro-amerikan në botë, dhe mbetet më i izoluari.

“Kosova është një shembull jo vetëm në këtë pjesë të Evropës për tolerancë ndërfetare dhe ndëretnike, por për fat të keq nuk jemi bashkuar ende me UNESCO’n për shkak të barrierave politike të Serbisë dhe vendeve të tjera që abuzojnë me UNESCO’n për qëllime politike”, tha Thaçi në konferencën: “NATO dhe Ballkani Perëndimor: Dinamikat rajonale në periudhën e sfidave globale të sigurisë.”

Ai beson se Kosova është “një kampion në rajon në luftën kundër terrorizmit të dhunshëm, pavarësisht faktit se ajo është lënë anash për t’u bërë ende anëtare e Interpolit”, thuhet në deklaratën e Presidentit të Kosovës.

Thaçi pohon se “Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor” që kishte filluar më parë një dialog mbi pajtimin historik midis shqiptarëve dhe serbëve, përmes krijimit të Komisionit të së Vërtetës dhe Komisionit të Pajtimit, raporton media serbe.

“Unë besoj se vitin e ardhshëm, ne duhet të arrijmë, të nënshkruajmë një marrëveshje historike me Serbinë për normalizimin dhe pajtimin,” shtoi Thaçi.

Sipas tij, Kosova është shembulli më i mirë i përgjigjes së NATO’s ndaj sfidës më të madhe të sigurisë në atë kohë në Evropë.

“KFOR’i, i cili është garant i stabilitetit në Kosovë, është mision i suksesshëm i paqes në botë për dekada të tëra. Kosova është një shtet i qëndrueshëm me aspirata të qarta sot,” tha Thaçi.

Vitin e ardhshëm, sipas tij, mund të jetë vendimtar për perspektivën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor dhe kjo varet nga gatishmëria e rajonit për të kapërcyer problemet e hapura.

Thaçi thotë se qëllimi ynë është të bëhemi pjesë integrale e Partneritetit për Paqe (PFP) dhe të bashkohemi me NATO’n.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat