Dëshmitari tregon si u pengua ta ndërtonte hotelin nga grupi i Ruzhdi Shaqirit - Bota Sot
Dëshmitari tregon si u pengua ta ndërtonte hotelin nga grupi i Ruzhdi Shaqirit

Aktuale

E diel, 19 nëntor 2017

Dëshmitari tregon si u pengua ta ndërtonte hotelin nga grupi i Ruzhdi Shaqirit

Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 13:24
Pamje nga gjykimi

Në gjykimin e Arben Bashotës, Sylejman Bajramit e Osman Bajramit, të cilët akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve, ka dëshmuar Agim Humolli, pronar i kompanisë “Baci”, njëkohësisht edhe i dëmtuar në këtë proces gjyqësor.

Humolli gjatë dëshmisë së tij tregoi për problemet që kishte pasur me tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri dhe me të akuzuarin Arben Bashota.

Shaqirin e Bashotën dëshmitari i akuzoi për shantazhe e kërcënime, ndërkohë që kritikoi Policinë për mosinterevenim kur i ka lajmëruar me ato që po përballej.

Agim Humolli, i cili posedon një tokë në hapësirë afër 16 ari në Zonën Industriale në Fushë-Kosovë, tokë kjo e destinuar për zhvillimin e veprimtarisë së hotelerisë, nuk arriti të përfundojë hotelin asnjëherë si pasojë e pengesave të shfaqura nga grupi i tani të ndjerit Ruzhdi Shaqiri.

Këto probleme sipas Humollit kanë filluar qysh nga viti 2012.

Ai tha se këtyre problemeve edhe sot e kësaj dite po ua sheh sherrin, për shkak se ende nuk ka arritur të përfundojë hotelin, i cili duhej të përfundonte në vitin 2013.

Problemet sipas Humollit kanë filluar nga momenti kur i akuzuari Arben Bashota e tani i ndjeri Ruzhdi Shaqiri kanë prezantuar fletën poseduese të një pjese të tokës ku ai po ndërtonte hotelin, dokument ky sipas Prokurorisë i falsifikuar.

“Problem nuk kemi pasur deri në qershor të vitit 2012, kur janë lajmëruar tek objekti Arben Bashota, së bashku me të ndjerin Ruzhdi ‘Baksi’. Pas nja 30 minutash kam arritë te objekti e kam taku Arbenin e Ruzhdiun, më kanë treguar fletën poseduese dhe kopjen e planit të atyre parcelave, të nxjerra në një datë afër ditës që u takuam. Më kanë thënë ne jemi pronarët e rinj. Ju kam uruar tokën që ka qenë në emër të tyre. Dikund ka dalë që nja 200 metra katrorë unë kam qenë në pjesën e tyre dhe më ka thënë që t’i shesim, por më pak se 20 ari nuk bën (…)”, tha Humolli për dokumentin i cili nga prokuroria pretendohet të jetë i falsifikuar.

Më tej, Humolli tha se ka pranuar që të blejë 20 ari nga ta, me çmim prej 400,000 eurove, ndonëse ajo pjesë kushton shumë më lirë.

Pas disa ditësh, sipas Humollit, të njëjtit kanë hyrë në marrëdhënie kontraktuese për blerjen e asaj pjese të tokës, ku edhe i ka dhënë Arben Bashotës paradhënie në shumë prej 50.000 euro, me kushtin që të bëhet parcelizimi i tokës dhe më pas të vazhdohet me procedurat e pagesave.

“Pas 2-3 jave pasi që e pagova këtë pjesë, ka rrjedhë informata që ka ndalesë në kadastër rreth pronës së tyre pasi që është e diskutueshme dhe kjo ka vazhdu për një kohë. Arben Bashota me Ruzhdi Shaqirin nuk kanë mujtë me bë parcelizimin”, tha dëshmitari.

Për shkak të mosparcelizimit të tokës, sipas dëshmitarit, ai edhe nuk ka vazhduar me procedurat e pagesave, ku edhe kanë filluar kërcënimet se pse nuk po e bën pagesën.

Për shkak të mospagesës së asaj pjese të tokës, dëshmitari deklaroi para trupit gjykues se “ka dalë në skenë si gjithmonë Ruzhdiu maksimalisht me ato kërcënimet e veta, shantazhet e veta e mënyrën e vet, me ta imponu me bo pagesa, lëvizje rreth objektit, duke imponuar takimet, duke thënë kjo është toka jonë, i shoqëruar gjithmonë me Arbenin”.

Në njërin rast, Humolli tregoi se tani i ndjeri Ruzhdi Shaqiri së bashku me Arbenin i kanë ndaluar 5 kamiona të tij, duke i kthyer pas, kështu duke çuar dëm asfaltin.

“Ruzhdiu së bashku me Arbenin dalin tek rruga, mua më vijnë nja 5 kamiona për me shtru shtresën e asfaltit edhe këta nuk i lejojnë kamionat me ardhë dhe kamionat kthehen mbrapa. Faktikisht ata shkojnë dëm sepse asfalti e ka një periudhë të caktuar sa mundet me qëndru”, rrëfen dëshmitari.

Duke vazhduar dëshminë e tij, Humolli tregoi edhe një rast kur personat në fjalë përmes disa punëtorëve kanë filluar të prishnin objektin e tij me çekiç e tërnakop.

Ndonëse dëshmitari kishte lajmëruar policinë, ai tha se “Ruzhdiu e largoi policinë menjëherë prej aty, e policia nuk intervenoi fare”, ku edhe kanë vazhduar me renovimin.

Sipas dëshmitarit, ai përsëri të nesërmen kishte lajmëruar policinë dhe sipas tij, të njëjtit “vetëm shkuan te objektet dhe u kthyen”.

“Ditën e tretë njëjtë. Ditën e katërt, na ka marrë policia mua dhe Arbenin ngase Arbeni i përfaqësojke juridikisht dhe na kanë çu në prokurori. Kemi shku në prokurori, tek prokuror Haxhiu më duket dhe na kanë marrë në pyetje. Gjatë pyetjeve Arbeni e ka prezentu fletën poseduese të nxjerrë një ditë përpara, pa ndalesë pa kurgjo, edhe në polici e ka paraqitë të njëjtën. Prokurori në atë kohë më tepër bëjke presion në mu, se sa në Arbenin. Insistojke pse nuk po ju bën pagesën. Kemi qëndru tek prokurori rreth dy orë, asnjë zgjidhje konkrete, vetëm me një sugjerim: merruni vesh! Kemi dalë nga prokuroria, Arbeni ka shkuar rrugës së tij, unë rrugës sime”, vazhdoi Humolli.

E pas disa ditëve, Humolli tha se ka marrë një telefonatë në formë të kërcënimit nga i ndjeri Shaqiri, i cili i ka thënë: “Tash të kam edhe ma shok për shkak se ke pasë guxim me më lajmëru në polici”.

Këto kërcënime dëshmitari tha se kanë vazhduar edhe për një kohë, deri sa në muajin mars 2014 kanë bërë një kontratë të shitblerjes, përmes së cilës, përveç paradhënies së mëhershme u ka paguar edhe 75.000 euro me kushtin që brenda 6 muajve, Bashota e i ndjeri Shaqiri t’i rregullojnë të gjitha procedurat ligjore të parcelizimit në emrin e tij.

Tani më, sipas dëshmitarit vlera që i kishte paguar atyre ka arritur gjithsej 125.000 euro dhe sot e kësaj dite këta nuk e kanë përmbushur parakontratën.

“Dëmet kanë qenë enorme, në kuptim të asaj që unë është dashtë në fund të vitit 2013 ta përfundoj hotelin. Kanë dalë problem dhe është marrë vesh, krejt Prishtina e ka ditë për problemin që kam me ta. Bankat më kanë thirrë në takim, janë tërhequr nga investimet dhe objekti sot e asaj dite ka mbetur pa përfunduar”, tha Humolli.

Humolli theksoi se do të parashtrojë kërkesë pasurore- juridike, por që nuk është i gatshëm që shumën ta përcaktojë në këtë fazë të procedurës.

Në të njëjtën seancë, pas kërkesës së mbrojtjes për lirimin nga arresti shtëpiak të të akuzuarve, kryetari i trupit gjykues liroi nga kjo masë Osman e Sylejmani Bajramin, por jo Arben Bashotën./KALLXO.com

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test