Haradinaj zotohet për mbrojtje shëndetësore për të prekurit nga diabeti

Aktuale

Haradinaj zotohet për mbrojtje shëndetësore për të prekurit nga diabeti

Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 15:10
Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në Ditën Botërore të Diabetit, shpreh përkushtimin e qeverisë që të rreshtohet, me të gjitha kapacitetet e saj, pranë të sëmurëve dhe familjeve të tyre, që të parandalojë, zbuloj me kohë dhe të trajtojë në mënyrë sa më efektive sëmundjen dhe pasojat e saj.

Këtë do të bëjë duke hartuar politika nacionale për sëmundjen, duke ofruar mbrojtjen e plotë shëndetësore për të prekurit dhe duke subvencionuar përmes listës esenciale të barnave për mjekimin e tyre, thuhet në komunikatë.

Luftimi i diabetit, sipas kryeministrit Haradinaj, është pjesë e Programit të Qeverisë për përmirësimin e gjendjes në shëndetësi që synon qasjen më të mirë në shërbime shëndetësore, cilësinë më të mirë të vetë shërbimeve dhe ngritjen e një sistemi të qëndrueshëm të financimit të shëndetësisë.

Me gati gjysmë miliardi të sëmurë në Botë, diabeti është problem global.  Fatkeqësisht është problem në rritje, ndërsa Kosova nuk është përjashtim.

Përveç problemeve shumë serioze që shkakton sëmundja për të sëmurët, ajo paraqet edhe ngarkesë të madhe ekonomike për vetë ata, familjet e tyre dhe për shtetet. Ndonëse nuk ka të dhëna të sakta për numrin e të sëmurëve me diabet që marrin terapinë orale, dihet se në Kosovë ka më shumë se 11 mijë të sëmurë që marrin insulinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat