Prokuroria: Lumezi e ka dhënë provimin e jurisprudencës

Aktuale

Prokuroria: Lumezi e ka dhënë provimin e jurisprudencës

Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 17:28
Aleksandër Lumezi

Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas analizimit të informacioneve dhe provave të grumbulluara, ka hedhur poshtë pretendimet e ish-rektorit të UP-së, Enver Hasani, se dosja e provimit të jurisprudencës e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, është e falsifikuar, duke thënë se këto pretendime nuk janë të bazuara në fakte dhe nuk përputhen me provat e grumbulluara.

Pas analizimit të hollësishëm të të gjitha informacioneve dhe provave të grumbulluara, si dhe deklaratave të siguruara nga të gjithë personat zyrtarë, të cilët në fillim të viteve nëntëdhjetë ishin përgjegjës për administrimin e procesit të paraqitjes dhe regjistrimit të provimit të jurisprudencës, si dhe të lëshimit të certifikatave për dhënien e këtij provimi, Prokuroria Themelore ka nxjerrë përfundimin se pretendimet e z. Hasani nuk janë të vërteta, ngase nuk janë të bazuara në fakte dhe nuk përputhen me provat e grumbulluara.

Gjetjet përfundimtare të hetimit zyrtar lidhur me këtë rast janë:

(1) dosja e z. Lumezi për provimin e jurisprudencës është konform dispozitave dhe procedurave të atëhershme për administrimin e këtij provimi;

(2) z. Lumezi në mënyrë të pakontestueshme e ka dhënë provimin e jurisprudencës;

(3) gabimet administrative-teknike në regjistrat zyrtarë si dhe mënyrat e atëhershme manuale e jo të përsosura për korrigjimin e tyre, siç ishte përdorimi i llakut të bardhë për korrigjimet në tekst, ishin rezultat i menaxhimit të mangët të regjistrave zyrtar nga shërbyesit e atëhershëm civil, që ishin përgjegjës për mirëmbajtjen e librave të provimit të jurisprudencës, dhe këto gabime nuk mund t’iu atribuohen kandidatëve për provim, siç këtë e kanë bërë z. Hasani dhe disa media që i kanë besuar atij.

Në bazë të provave të grumbulluara dhe gjetjeve të hetimit, Prokuroria Themelore ka konstatuar se jo vetëm pretendimet e ngritura fillimisht nga z. Hasani, por më vonë edhe nga disa media, janë tërësisht të pabazuara, të paqëndrueshme dhe të pambështetura në asnjë provë relevante.

Si rrjedhojë, analizimi i detajuar i provave në këtë rast përjashton mundësinë e ekzistimit të ndonjë vepre penale që është e inkriminuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Për këto prova dhe analizën e çdo detaji të tyre, që janë kryer nga prokuroria, nën monitorimin e prokurorit të EULEX-it, mediat dhe publiku mund të informohen më hollësisht nga aktvendimi mbi hedhjen nga prokurori i rastit si dhe dokumentacioni tjetër relevant në shtojcën e këtij dokumenti.

Në fund, Prokuroria Themelore ka konstatuar se mënyra dhe koha të cilat Hasani i ka zgjedhur për të ngritur pretendimet e veta dhe më pas, mënyra në të cilën këto pretendime janë eksploatuar nga disa media përderisa hetimi ishte në zhvillim e sipër, mënyrë kjo që i përngjan një fushate dhe presioni të orkestruar për të ushtruar ndikim mbi prokurorin e rastit, por edhe mbi të gjithë sistemin prokurorial, tregojnë se këto pretendime qëllimisht synonin nxjerrjen e rezultatit të pavërtetë dhe skajshmërisht të shtrembëruar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat