Çitaku: Kosova mbetet fuqishëm e përkushtuar në dialogun me Serbinë - Bota Sot
Çitaku: Kosova mbetet fuqishëm e përkushtuar në dialogun me Serbinë

Aktuale

E diel, 19 nëntor 2017

Çitaku: Kosova mbetet fuqishëm e përkushtuar në dialogun me Serbinë

Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 18:18
Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku

(E plotësuar) - Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër kundërvënien e Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe UNESCO, duke thënë se vendimi i autoriteteve kineze që të mos i japin vizave zyrtarëve të Kosovës në masë të mirë ka ndikuar në vendimin në Kongresin e Interpolit.

Ajo në fjalën e saj në KS të OKB-së ku është prezantuar raporti më i ri i sekretarit të përgjithshëm Antonio Guterres për punën e UNMIK-ut, tha se Kosova mbetet fuqishëm e përkushtuar në dialogun me Serbinë.

Çitaku ka kundërshtuar pohimet e Beogradit zyrtar se numri i serbëve të zhvendosur është 200 mijë, duke thënë se këto shifra janë të pasakta.

Ajo i ka bërë thirrje ambasadorëve të KS të OKB-së që të shqyrtojnë dinamikën e raportimeve për Kosovën, duke akuzuar Serbinë se po keqpërdorë Këshillin e Sigurimit për të projektuar botën e paralizuar.

Çitaku ka kërkuar që të redefinohet misioni i UNMIK-ut, duke thënë se ky mision nuk është paqësor, pasi që paqja tashmë mbretëron në Kosovë.

Çitaku në OKB: Kosova do t’i realizojë të gjitha marrëveshjet e Brukselit

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka folur në Këshillin e Sigurimit të OBK-së ku po diskutohet për Raportin tremujor për Kosovën.

Çitaku fillimisht ka demantuar ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq për ato që ka thënë paraprakisht, se nga Kosova janë larguar 200 mijë serbë që nga paslufta dhe se nuk respektohen të drejtat e tyre.

Daçiq kishte përmendur se kanë shkuar katër vjet e gjysmë nga arritja e marrëveshjes në Bruksel, për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Do t’i realizojmë të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel”, ka qenë përgjigja e Çitakut.

“Ka pas ngecje por përkushtimi është aty”, ka shtuar ajo.

“Kosova dëshiron proces që do të çoj deri te normalizimi i plotë i marrëdhënieve të të dyja shteteve”.

“Shteti nikoqir i këtij vitit të Asamblesë së Interpol nuk u ka lejuar anëtarëve të delegacionit të Kosovës të marrin vizat. Kjo ka bërë tërheqjen e aplikimit për këtë vit”.

“Vetëm dje në Kosovë pesë anëtarë të komunitetit jo shumicë janë graduar me grada të larta të FSK-së. Ushtria e Kosovës do të jetë moderne. Askush nuk do të ketë fuqi të vendosë veto mbi të”.

Më tej Çitaku ka folur sa i përket shtetësisë së Kosovës, që sipas saj është e pakontestueshme dhe e konfirmuar në organizma ndërkombëtar.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar se Kosova nuk ka thyer asnjë ligj të drejtësisë ndërkombëtare. Derisa po i afrohemi dhjetë vjetorit të pavarësisë, kemi arsye për të qenë shumë krenar. Kosova ka bërë ngritje në të bërit biznes. Sportistët e kanë ngritur Kosovën në Olimpiadë, duke ngritur flamujt në vendet ku politika nuk ka mundur”, ka thënë ajo.

“Institucionet e Kosovës e kanë kaluar një rrugë të gjatë për të akomoduar të drejtat e komuniteteve jo shumicë. Komuniteti serb në qeverinë aktuale, përfaqësohet me zëvendëskryeministër, ministra dhe zëvendësministra. Pretendimi se 200 serbë janë të zhvendosur nga Kosova është e pasaktë, sikur kjo të ishte atëherë asnjë serbë nuk do të jetonte sot në Kosovë”.

“Sipas regjistrimit të vitit 1991, numri i serbëve ka qenë 194 mijë. Sot nuk dihet numri i serbëve që jeton në Kosovë. Është për të ardhur keq që një periudhë kur duhet ta përmbyllim dialogun me Serbinë, përfaqësuesit e saj vazhdojnë me deklarata me të gjitha llojet për ta rishkruar historinë”

“Madje duke zgjedhur Vukotiqin, kriminel lufte që të ligjërojë në akademinë ushtarake. Ky është një refuzim i rrezikshëm i së vërtetës për luftën. Është sikur ne të angazhojmë një hajn të ruaj bankat tona”, ka shtuar Çitaku ndër të tjera.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test