Tahiri: Lumezi do të propozohet sërish për kryesues të Komisionit për Jurisprudencë

Aktuale

Tahiri: Lumezi do të propozohet sërish për kryesues të Komisionit për Jurisprudencë

Më: 15 nëntor 2017 Në ora: 14:58
Abelard Tahiri

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar se të premten do t'i riprezantojë në mbledhjen e Qeverisë propozimet për anëtarë të Komisionit për Jurisprudencë, që të procedohen tutje në Kuvend. Tahiri ka paralajmëruar ndryshime në përbërjen e komisionit.

Aleksandër Lumezi do të propozohet sërish të jetë kryesues i Komisionit për Provim të Jurisprudencës, nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Lista e propozimeve për anëtarë të këtij komisioni ishte pezulluar javën e kaluar, pasi ishte proceduar në Kuvend, për shkak të hetimeve që u zhvilluan rreth dosjes së Lumezit.

Por, një ditë pasi Prokuroria e Shtetit hodhi poshtë pretendimet për manipulim në provimin e juridikaturës e Kryeprokurorit, i pari i drejtësisë në qeverinë Haradinaj, Abelard Tahiri, bën të ditur se në mbledhjen e së premtes të ekzekutivit do ta paraqesë sërish për procedim në Kuvend listën e anëtareve të komisionit për Jurisprudencë.

“Tash procedura do të shkojë nga fillimi, pasi ata janë tërhequr”, ka sqaruar Tahiri.

“Propozimet për komision të Jurisprudencës do t’i prezantoj këtë të premte në mbledhje të Qeverisë”, ka treguar ministri i Drejtësisë.

Ai ka bërë të ditur se përbërja mund të ketë ndryshime të anëtarëve, porse ende nuk e ka vendosur përfundimisht një gjë të tillë.

“Kam përshtypjen se do t’i ndryshoj dy emra të tjerë, ende nuk e kam vendosur, mirëpo kryesuesi nuk do të ndryshojë. Emri i kryeprokurorit Lumezi do të mbetet për kryesues të komisionit”, ka thënë për Express ministri Tahiri.

Ndryshe, javën që shkoi Komisioni parlamentar për Legjislacion ishte mbledhur për të shqyrtuar emrat që ishin proceduar nga Qeveria e Kosovës për Komisionin e provimit të jurisprudencës, por kjo pikë ishte hequr nga rendi i ditës. Kjo pasi ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kishte kërkuar tërheqjen e vendimit të Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit për provimin e jurisprudencës, deri në përfundimin e hetimeve të dosjes së Kryeprokurorit Lumezi që parashihej të kryesonte komisionin për Jurisprudencë.

Nga ana tjetër, të martën, Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se ka përfunduar hetimi për dyshimet e ngritura për dosjen e provimit të jurisprudencës së Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi. Hetimi i kryer nga Prokuroria e Themelore e Prishtinës ka pasur me publikimin e dëshmive të plota të cilat hedhin poshtë çdo pretendim të ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, të bëra në ditën kur u dënua për korrupsion sa ishte rektor i UP-së, se Lumezi e ka dosjen e manipuluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat