Haradinaj kërkon nga ministrat t’iu japin përgjegjësi zëvendësministrave

Aktuale

Haradinaj kërkon nga ministrat t’iu japin përgjegjësi zëvendësministrave

Më: 15 nëntor 2017 Në ora: 16:25
Mbledhja e Qeverisë

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për caktimin e pensionit për viktimat e dhunës seksuale gjatë kohës së luftës në Kosovë, i cili do të jetë 230 euro.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, tha se ky vendim do të garantojë fillimin e një procesi serioz për këtë kategori.

Sipas tij, me këtë vendim do të kompletohet korniza ligjore dhe ndërmarrja e veprimeve konkrete dhe kjo kategori do të ketë trajtim ligjor, institucional, social, psikologjik dhe financiar nga institucionet kompetente të Kosovës.

Reçica: Kjo kategori do të trajtohet në mënyrë dinjitoze

“Objektivi kryesor i këtij propozim vendimi është të caktohet shuma 230 euro e pensionit personal për këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë sonë, për të realizuar të drejtën e cila buron nga ligji i cekur më lartë dhe këtë të drejt do ta gëzojnë të gjithë pas shqyrtimit të rastit nga komisioni përgjegjës qeveritar për personat e dhunuar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës. Ky vendim do të garantojë fillimin e një procesi serioz dhe dinjitoz të njohjes dhe verifikimit të statusit të kësaj kategorie të luftës”, tha Reçica.

Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për themelimin Sekretarisë së Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë kohës së luftës në Kosovë, në përbërje: Labinot Bala, psikolog, Mire Prenaj, punëtore psikosociale dhe Habibe Nuha, jurist.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe koncept-dokumentin për suspendimin e zyrtarëve publikë ndaj të cilëve ngritën aktakuza për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri tha se miratimi i këtij koncept-dokumenti, parandalon mundësinë e keqpërdorimit të autoritetit dhe njëkohësisht iu pamundësohet ndikimi në prova, element ky, kyç për të siguruar ndjekje penale të pavarur dhe të suksesshme

Tahiri: Personave me aktakuza t’iu parandalohet mundësia e keqpërdorimit të autoritetit

“Kjo politikë e konsoliduar shtetërore reflekton qëllimin që këtyre personave me aktakuza të parandalohet mundësia e keqpërdorimit të autoritetit dhe njëkohësisht të mos i lihet mundësia që të ndikohet në prova, element ky kyç për të siguruar ndjekje penale të suksesshme. Kjo masë e përkohshme do të përcaktohet me Kod Penal dhe Kod të Procedurës Penale. Do të vlej për të gjithë personat zyrtar të akuzuar për veprat e sipërpërmendura duke siguruar kështu një trajtim të barabartë. Po ashtu vlen të theksohet se sipas opsionit të rekomanduar Gjykata do t’i ndaloj një personi zyrtar ushtrimin e pozitës menaxhuese apo administrative prej 1 deri 10 vjet në rast se personi është i dënuar për një vepër të natyrës korruptive”, u shpreh Tahiri.

Po ashtu me propozimin e Ministrisë së Drejtësisë, qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Prokurorin e Shtetit.

Në këtë mbledhje të Qeverisë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pati edhe një kërkesë për ministrat e tij.

Haradinaj: Ministra, jepini përgjegjësi zëvendësministrave

“Është një kërkesë ministrave, është qëndrim i partnerëve të koalicionit që t’iu jepet besimi plot kolegëve politikë si zëvendësministrave nëpër ministri. Numri është më i madh se një zëvendësministër. Mendoj që tani është me rëndësi që secila ministri, secili ministër t’iu delegojë përgjegjësi konkrete zëvendësministrave dhe të bëjnë përpjekje që këtë besim të dhënë, sepse është besim politik, t’iu përgjigjen dinamikës qeverisëse që kemi në vend. Është me interes që secili ministër në këtë rast zëvendësministrave t’iu ndajë përgjegjësi konkrete dhe të kërkojë llogari në ato përgjegjësi, në mënyrë që emërimi i tillë të numrit me të madh të zëvendësministrave që të kthehet në dobi për qytetarët, për popullin në këtë rast”, theksoi Haradinaj. 

Kabineti qeveritar ka ndarë edhe 159 mijë euro për pagesën e qerasë dhe ngrohjes për Prokurorinë Themelore të Mitrovicës. Këto mjete janë ndarë nga kategoria e shpenzimeve të paparashikuara, kategoria e rezervës.

Pas shqyrtimit dhe diskutimit, është aprovuar qëndrimi shtetëror i Republikës së Kosovës për takimin e dytë të Kosovës me Bashkimin Evropian për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asocimit.

Po ashtu Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për kompensimin e fermerëve për rastet e ngordhjes së kafshëve nga sëmundja gungore e lëkurës gjatë vitit 2016. Sipas vendimit, kompensimi do të bëhet për lopët me 1200 euro për krerë, viçat me 500 euro për krerë dhe  demat/mështjerrat me 800 euro për krerë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat