Vetëvendosje: Dënimi synon ta mbulojë vdekjen e Astrit Deharit

Aktuale

Vetëvendosje: Dënimi synon ta mbulojë vdekjen e Astrit Deharit

Më: 17 nëntor 2017 Në ora: 14:21
Dardan Molliqaj dhe Visar Ymeri

(E plotësuar) - Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka thënë se reagimi i subjektit të cilit i takon do të jetë krejt tjetër, nga ai që siç ka thënë ai presin dy taborret kundërshtare politike, duke premtuar dhe u zotuar se ata që i kanë bërë dëm vendit nga të dyja do t’i çojnë në burg, kur ta marrin pushtetin.

Ai ka deklaruar se dënimi i katër aktivistëve të Vetëvendosje me 21 vjet e gjysmë burg për terrorizëm, respektivisht për sulmin e datës 4 gusht të vitit të shkuar ndaj Kuvendit të Kosovës, është krejtësisht politik dhe i marrur pa asnjë fakt a dëshmi.

“Mund t’u them me përgjegjësi të plotë se ky rast do të përfundojë me pafajësi të plotë për aktivistët tanë. Ata janë të pafajshëm, sepse ashtu thonë provat dhe dëshmitë. E kam përcjellur këtë rast dhe mund them se qëllimi është që t’i bëhet dëm Lëvizjes Vetëvendosje. Por sa më shumë që pushteti persekuton qytetarin, aktivistin, aq më afër populli do të jetë, e ne aq më afër tij”.

“Nuk ka asnjë dëshmitar që fajëson dikë prej aktivistëve. Madje edhe dëshmitari kryesor ka deklaruar se nuk mund të thotë nëse ndonjë nga aktivistët është blerës i motoçikletës. Nuk ka asnjë raport të asnjë institucioni vendor apo ndërkombëtar që thotë se aktivistët tanë kanë kryer veprën në fjalë. Të gjitha dëshmitë tregojnë se ata nuk kanë lidhje me këtë vepër”.

“Pamjet janë dërguar për verifikim edhe tek FBI, ku janë analizuar dhe si përfundmi Byroja Federale e Hetimeve ka thënë se nga ato nuk mund të thotë nëse ndonjë nga aktivistët e VV-së kanë kryer veprën”. “Konotacioni i këtij vendimi të gjykatës është krejt politik. Zakonisht në të tilla raste, nga data e fjalës përfundimtare deri tek dhënia e verdiktit përdoret një afat prej 15 ditësh. Por gjykatësi nuk e bëri këtë gjë. Por përgjigja do të jetë krejt ndryshe nga ajo që ata presin. Unë ju premtoj që Klani Pronto dhe ai i Dorëzimit nuk do të dorëzohet, pa i çuar të dyja këto klane në burg. Me këta njerëz nuk ka drejtësi, as demokraci”.

 

Image

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e cilësoi si ‘politik” vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore në prishtinë për dënimin e katër aktivistëve të saj nën akuzën për terrorizëm.

“Vendimi i sotëm e dëshmoi që ky rast është kryekëput politik. Dënimet e larta pa pasur asnjë provë materiale ose verbale”, tha Ymeri në një konferencë për shtyp.

“Ky vendim arsyeton masat drastike të përndjekjes nga pushteti të cilat ia morën jetën Astrit Deharit. Ky vendim nuk sjell drejtësi por synon ta mbulojë vdekjen e Astrit Deharit”, shtoi Ymeri.

Sipas tij, edhe vetë data e marrjes së vendimit, dy ditë para mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve, ka karakter politik.

“Data e vendimit tregon se synim i këtij vendimi ka qenë dëmtimi i Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Ymeri.

VV konferencë për media pas dënimit të 4 aktivistëve

Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë konferencë të jashtëzakonshme për media në orën 14:30.

Kjo konferencë mbahet pas vendimit të sotëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë e cila i dënoi me 21 vjet burgim katër aktivistët e kësaj lëvizjeje: Frashër Krasniqin, Atdhe Arifin, Egzon Halitin dhe Adea Batushën për sulmin në Kuvend gjatë korrikut të vitit të kaluar.

Seanca për shpalljen e aktgjykimit në këtë rast është përcjellë me tensione pas shfaqjes së pakënaqësisë për vendimin nga ana e familjarëve dhe aktivistëve ku disa prej tyre janë nxjerrë jashtë seancës.

Në mesin e atyre që janë larguar nga salla  ka qenë edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat