Molliqaj: Nuk dorëzohemi pa e çuar në burg Klanin Pronto dhe atë të Dorëzimit

Aktuale

Molliqaj: Nuk dorëzohemi pa e çuar në burg Klanin Pronto dhe atë të Dorëzimit

Më: 17 nëntor 2017 Në ora: 15:04
Dardan Molliqaj

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka thënë se reagimi i subjektit të cilit i takon do të jetë krejt tjetër, nga ai që siç ka thënë ai presin dy taborret kundërshtare politike, duke premtuar dhe u zotuar se ata që i kanë bërë dëm vendit nga të dyja do t’i çojnë në burg, kur ta marrin pushtetin.

Ai ka deklaruar se dënimi i katër aktivistëve të Vetëvendosje me 21 vjet e gjysmë burg për terrorizëm, respektivisht për sulmin e datës 4 gusht të vitit të shkuar ndaj Kuvendit të Kosovës, është krejtësisht politik dhe i marrur pa asnjë fakt a dëshmi.

“Mund t’u them me përgjegjësi të plotë se ky rast do të përfundojë me pafajësi të plotë për aktivistët tanë. Ata janë të pafajshëm, sepse ashtu thonë provat dhe dëshmitë. E kam përcjellur këtë rast dhe mund them se qëllimi është që t’i bëhet dëm Lëvizjes Vetëvendosje. Por sa më shumë që pushteti persekuton qytetarin, aktivistin, aq më afër populli do të jetë, e ne aq më afër tij”.

“Nuk ka asnjë dëshmitar që fajëson dikë prej aktivistëve. Madje edhe dëshmitari kryesor ka deklaruar se nuk mund të thotë nëse ndonjë nga aktivistët është blerës i motoçikletës. Nuk ka asnjë raport të asnjë institucioni vendor apo ndërkombëtar që thotë se aktivistët tanë kanë kryer veprën në fjalë. Të gjitha dëshmitë tregojnë se ata nuk kanë lidhje me këtë vepër”.

“Pamjet janë dërguar për verifikim edhe tek FBI, ku janë analizuar dhe si përfundmi Byroja Federale e Hetimeve ka thënë se nga ato nuk mund të thotë nëse ndonjë nga aktivistët e VV-së kanë kryer veprën”. “Konotacioni i këtij vendimi të gjykatës është krejt politik. Zakonisht në të tilla raste, nga data e fjalës përfundimtare deri tek dhënia e verdiktit përdoret një afat prej 15 ditësh. Por gjykatësi nuk e bëri këtë gjë. Por përgjigja do të jetë krejt ndryshe nga ajo që ata presin. Unë ju premtoj që Klani Pronto dhe ai i Dorëzimit nuk do të dorëzohet, pa i çuar të dyja këto klane në burg. Me këta njerëz nuk ka drejtësi, as demokraci”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat