Ndizen qirinj për 113 viktima të trafikut rrugor

Aktuale

Ndizen qirinj për 113 viktima të trafikut rrugor

Më: 19 nëntor 2017 Në ora: 18:02
Ndizen qirinj në Prishtinë për 113 viktima të trafikut rrugor

E diela e tretë e muajit nëntor shënon Ditën Botërore për përkujtimin e Viktimave në Trafikun Rrugorë dhe këtë vit për herë të tretë Kosova i është bashkuar shteteve të ndryshme në botë të cilat shënojnë Ditën Botërore për përkujtimin e Viktimave në Trafikun Rrugor.

Ndërsa sikurse edhe viteve tjera në Kosovë aktivitetet janë koordinuar nga Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”  dhe sot pasdite te Teatri Kombëtar në Prishtinë për këtë ditë, janë ndezur qirinj në nderim të viktimave të cilët kanë humbur jetën në aksidente trafiku.

Genta Xheladini koordinatore e aktiviteteve, ka ftuar institucionet përkatëse të cilat merren me çështjen e sigurisë rrugore që në të ardhmen, duke filluar nga nesër që çështjen  sigurisë rrugore ta vendosin në prioritet për të mos pasur një numër kaq të madh të aksidenteve fatale sikur që kanë ndodhur këtë vit.  

Xheladini: Në mënyrë simbolike kemi ndezur qirinj për 113 jetë

“Ky aktivitet në gjithë botën shënohet në të dielën e tretë të muajit nëntor dhe natyrisht se aktiviteti, i cili ka qenë ditën e shtunë ka qenë dhurimi i gjakut nga qytetarët, stafi dhe studentët e kolegjit “Tempulli”, ku kemi siguruar një masë të madhe të dozave të gjakut, të cilat do të shpërndahen për ndihmë personave të lënduar në aksidente të trafikut. Kurse sot edhe pse në kushte të vështira atmosferike, në mënyrë simbolike kemi ndezur qirinj për 113 jetë, të cilët kanë humbur jetën gjatë këtij viti në aksidente të trafikut rrugor. Natyrisht se këto aktivitete sikurse viteve të kaluara janë zhvilluar nga kolegji Tempulli dhe MARKS në bashkëpunim me partnerët e Forumit të Kosovës për siguri në rrugë”, theksoi  Xheladini.

I pranishëm në këtë aktivitetet ishte edhe qytetari Elmi Falziu, i cili tha se aktivitete të tilla për sensibilizimin e qytetarëve për qëndrimin në rrugë i mbështet qysh prej vitit 2007, kur edhe vet ishte aksidentuar.

Ai statistikat e aksidenteve në Kosovë i quajti alarmuese dhe për këtë apeloi qytetarët dhe institucionet që të shtojnë kujdesin, përkatësisht masat e sigurisë në rrugë.

Fazliu: Institucionet të rrisin masat e sigurisë në rrugë

“Kjo iniciativë është mjaft e qëlluar dhe kisha bërë një apel për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, në veçanti ndaj institucioneve relevante të cilat merren me sigurinë në rrugë, sidomos dimrit, që të shtojnë masat e sigurisë”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat