Si kaluan partitë politike në garën e balotazhit

Aktuale

Si kaluan partitë politike në garën e balotazhit

Më: 19 nëntor 2017 Në ora: 22:41
Ilustrim

PDK ka fituar në katër komuna, ndërsa ka humbur katër komuna në të cilat ishte duke udhëhequr në mandatin e kaluar: Prizrenin, Vushtrrinë, Rahovecin dhe Klinën.

Partia Demokratike e Kosovës ka humbur “Jerusalemin” e saj, Prizrenin, dhe po ashtu edhe në Mitrovicë, ku kandidatja e kësaj partie Valdete Idrizi ka pësuar humbje nga kryetari i deritanishëm dhe i ri i kësaj komune nga radhët e AKR-së Agim Bahtiri.

PDK ndërkaq ka shënuar fitore në Dragash me kandidatin e saj Shaban Shabani përballë kandidatit të LDK-së Selim Kryeziu me një diferencë të vogël. Fitore kjo parti ka shënuar edhe në Shtime ku kandidati saj Naim Ismajli mori më shumë vota e sa kandidati i pavarur Fatmir Rashiti.

Derisa humbi në Prizren, PDK ka rikthyer qytetin e Ferizajt ku kandidati Agim Aliu shënoi fitore ndaj kundërkandidatit nga radhët e LDK-së, Muharrem Sfarqa. PDK ka fituar edhe në Kaçanik, ku Besim Ilazi mori më shumë vota se sa kundërkandidati nga radhët e Vetëvendosjes  Basri Kodra.

LDK ka fituar në tri komuna, ndërsa ka humbur komunën e Suharekës.

LDK ndërkaq ka rikthyer qytetin e Vushtrrisë, të cilën deri tash e kishte PDK-ja, ndërsa ka humbur në Kamenicë përballë kandidatit nga radhët e Vetëvendosjes. Po ashtu kjo parti ka humbur qytetin e Ferizajt dhe të Suharekës, ku fitore shënoi Bali Muharremaj nga radhët e AAK-së.

LDK ka shënuar fitore në Istog, bastionin e saj të pamposhtur, me kandidatin Haki Istogu përballë kandidatit nga radhët e AAK-së, Gani Dreshaj. Ndërsa, fitore ka shënuar edhe në Podujevë, ku ka fituar edhe një mandat Agim Veliu, i cili mposhti Ajet Poterën e Vetëvendosjes.

AAK ka fituar në katër komuna. AAK me kandidatin e saj Ardian  Gjini ktheu Gjakovën duke mposhtur Mimoza Kusari-Lila nga radhët e Alternativës, ndërsa fitore kjo parti ka shënuar edhe në Obiliq, ku ka udhëhequr në mandatin e kaluar, përmes kandidatit Xhafer Gashit, i cili mposhti Mehmet Krasniqin nga LDK-ja.

Fitore ndoshta të papritur AAK ka shënuar në Klinë, ku kandidati i saj Zenun Elezit mori më shumë vota se sa kryetari i deritanishëm Sokol Bashota nga radhët e PDK-së. Kjo parti ka shënuar fitore edhe në Rahovec, me Smajl Latifin ndaj Idriz Vehapit të PDK-së me rezultat të ngushtë.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në tri komuna në zgjedhjet e balotazhit për kryetar të komunave.

Kjo parti ka shënuar fitore të ngushtë në Prishtinë me Shpend Ahmetin përballë Arban Abrashit të LDK-së, në Prizren Mytaher Haskukaj po ashtu me rezultat të ngushtë ndaj kandidatit të PDK-së Shaqir Totaj.

Ndërsa në Kamenicë Qëndron Kastrati ka fituar bindshëm ndaj kandidatit nga radhët e LDK-së Shaip Surdulli.

Nisma e Fatmir Limajt ka fituar vetëm në Malishevë, bastioni e saj, me kandidatin, Ragip Begaj, që mori më shumë vota se sa kundërkandidati i tij nga radhët e PDK-së, Mursel Gashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat