Haziri: Po i presim detajet, mund të kërkojmë përsëritjen e zgjedhjeve në Prishtinë

Aktuale

Haziri: Po i presim detajet, mund të kërkojmë përsëritjen e zgjedhjeve në Prishtinë

Më: 20 nëntor 2017 Në ora: 22:02
Lutfi Haziri

Zgjedhjet në Prishtinë mund të përsëriten. Një mundësi të tillë e lë të hapur Lidhja Demokratike e Kosovës. Fillimisht, kjo parti do të kërkojë rinumërim në kryeqytet, ku kishte kandidat Arban Abrashin.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, nuk e ka përjashtuar mundësinë e një rivotimi në Prishtinë. 

Ai ka thënë se kjo parti ka dyshime për parregullsi në balotazhin e 19 nëntorit, kështu që nëse një rinumërim i mundshëm do të dëshmonte këtë, do të kërkohet rivotim në kryeqytet.

Ai përmend një sërë arsyesh të cilat, sipas tij, tregojnë për një proces të parregullt zgjedhor.

“Jemi duke i grumbullu të gjitha procesverbalet, duke i pa të gjitha gabimet eventuale kemi dyshimet tona edhe sa u përket votimeve të pavlefshme dhe sa u përket fletëvotimeve që janë të zbrazura pa kurrëfarë shenje. Janë mbi 400 sosh dhe natyrisht njerëzit nuk dalin në proces zgjedhor e me dorëzu fletëvotimin e zbrazur”, ka thënë Haziri.

Haziri, i cili të dielën u rizgjodh kryetar i Gjilanit, thotë se nuk shkoi në rregull i gjithë procesi zgjedhor po këtë ditë në kryeqytet.

“Ajo është pjesë e procesit zgjedhor si parti politike por ajo që na e shohim më shumë të nevojshme është me konstatu rregullshmërinë e procesit, sa i përket votave dhe rinumërimi është një nga ato që mundet të na bind se gjithçka ka qenë në rregull’, tha Haziri.

“Edhe rivotim edhe rinumërim në fazën e parë nëse faktohet kjo edhe rivotim për Prishtinën si proces i cili legjitimon kryetarin e komunës. Jemi duke i parë detajet në mënyrë që me konstatu definitivisht se cila është rruga e rinumërimit apo e eventualisht rivotimit që LDK’ja mund ta kërkon”, theksoi Haziri.

Ndërkohë, ai mendon se fitues moral në Prishtinë është Arban Abrashi. Thekson se ish-ministri Punës dhe Mirëqenies Sociale, doli fitimtar kundër një koalicioni të VV’së me AKR’në.

“Arbani është fitues moral. Ai ka fituar karshi koalicionit Vetëvendosje edhe Pacollit. Arbani duhet me durim me prit rezultatin edhe me fitu legjitimitetin e fituesit të këtyre zgjedhjeve në Prishtinë”, tha Haziri.

Shpend Ahmeti i Lëvizjes Vetëvendosje aktualisht ka 41 mijë e 401 vota, kurse Arban Abrashi i Lidhjes Demokratike të Kosovës 41 mijë e 164 sosh.

Rezultati përfundimtar mund të ndryshojë, teksa kanë mbetur edhe 1 mijë e 800 vota me kusht pa u numëruar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat