LDK merr vendim të papritur, kjo është kërkesa e fundit drejtuar KQZ-së

Aktuale

LDK merr vendim të papritur, kjo është kërkesa e fundit drejtuar KQZ-së

Më: 21 nëntor 2017 Në ora: 12:55
Sekretari i përgjithshëm i LDK-së Ismet Beqiri

(E plotësuar) - LDK ende beson se do të rikthehet rezultati në Prishtinë dhe kandidati i saj Arban Abrashi do të udhëheq me kryeqytetin. Për këtë, sekretari i përgjithshëm i LDK-së Ismet Beqiri, theksoi se kanë kërkuar rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në Prishtinë.

Në një konferencë për media, Beqiri ka numëruar disa arsye pse duhet rinumëruar të gjitha vendvotimet.

Sipas tij, një procesi të tillë nuk duhet t’i druhet askush, madje, as kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Beqiri theksoi se rinumërimi vetëm sa do të legjitimonte akoma më shumë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve cilido qoftë ai dhe do të rriste besueshmërinë e qytetarëve tonë në procesin zgjedhor.

Beqiri: Në Prishtinë duhet rinumërim i të gjitha vendvotimeve

“Për shkak të rezultatit të ngushtë në mes të kandidatëve për kryetar në komunën e Prishtinës; për shkak të disa gabimeve në përshkrimin e votave të kandidatëve sikur në rastin e djeshëm; për shkak të numrit të madh të votave të pavlefshme, mbi 600 (ndërkohë që procesi i votimit është shumë i thjeshtë); për shkak të numrit të madh të fletëvotimeve të zbrazëta, rreth 500; ka kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të bëjë rinumërimin e gjitha kutive të votimit në Komunën e Prishtinës”, tha Beqiri.

Po ashtu, LDK sipas Beqirit kërkon edhe nga organet kompetente të drejtësisë që të analizojnë dhe shqyrtojnë raportimet e mediave për organizimin e transportit përmes veturave për qytetarët votues në Komunën e Prishtinës, të kamufluar si OJQ, e në këmbim të votës për kandidatin e VV-së për kryetar të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Sepse, sipas tij, ky është një veprim i cili ka më shumë se një element të veprës penale të paraparë me Kodin Penal të Kosovës.

Ndërsa, duke folur për votat me kusht dhe ato me postë, Beqiri paraqiti shqetësimin e tyre se votat me postë janë porositur nga partitë të caktuara, sidomos për Istogun. Ai tha se nuk i druhen rikthimit të rezultatit në këtë komunë, porse votave të porositura.

Beqiri: S’i druhemi rikthimit të rezultatit, por votave të porositura

“Ne nuk i druajmë rezultatit, por i druajmë asaj mundësisë së falsifikimit ose të kryerjes së këtyre votimeve me porosi nga qarqe të caktuara. Ju e keni parë edhe vet është e grabitshme se si sot dalin dhe thonë se do ta përmbysim sepse ato vota janë tona, ku po e dinë se janë votat e tyre, nëse s’i ke porositur nuk ke qysh ta dish, sepse votimi është i fshehtë dhe në kuti ose janë në post pa ardhur ende”, theksoi ai.

Beqiri tha se në rastin e Prishtinës, Istogut e Dragashit, edhe në të gjitha rastet tjera eventuale, LDK do të ndjek të gjitha rrugët ligjore në të gjitha instancat e drejtësisë në Kosovë, që nga PZAP-i e deri tek Gjykata Kushtetuese, me qëllim, korrektimin e procesit zgjedhor në secilin rast që faktet dëshmojnë tendencën e subjekteve apo të kandidatëve të tyre për të shtrembëruar vullnetin e lirë të qytetarëve.

Ai tha se dega që ai udhëheq ka ndihmuar me së shumti me vota kandidatit të tyre Arban Abrashi, ku 60 për qind janë vota për Abrashin.

***

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së Ismet Beqiri tha se Prishtina do të përmbyset dhe Arban Abrashi do të udhëheq me kryeqytetin.

Ai theksoi se për shkak të disa gabimeve LDK ka kërkuar që të bëhet rinumërimi i të gjitha kutive të votimit në Prishtinë.

Ai shtoi se rinumërimit nuk kanë nevojë t’i frikësohet asnjë kandidat sepse vetëm sa do të legjitimohej cilido rezultat.

Beqiri ka shprehur shqetësimin e LDK-së për bartjen e votuesve në emër të OJQ-ve nga VV. Për të gjitha këto ai tha se LDK do të ndjek rrugët ligjore për të korrektuar rezultatin e shprehur nga qytetarët.

Beqiri tha se dega e parë e LDK-së që ai udhëheq ia ka sjellë votat me të shumta kandidatit për kryetar Arban Abrashit.

LDK merr një vendim të papritur!

Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë sot konferencë për media në selinë e saj qendrore.

LDK ka ftuar mediat për të ndjekur konferencën e sotme të kësaj partie prej orë 14:30

Kjo parti gjatë ditës së djeshme reagoi për manipulime të votave nga Lëvizja Vetëvendosje në kryeqytet ku pasi KQZ’ja përmirësoi disa gabime në numërime, diferenca mes Shpend Ahmetit dhe Arban Abrashit u ngushtua e më shumë.

"Sot, më 21 nëntor 2017 (e martë), në orën 14:30, Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. Konferenca mbahet në Selinë Qendrore të LDK-së (te Qafa). Ftohen mediat ta përcjellin këtë konferencë!", thuhet në njoftimin e LDK-së për media.

Pritet që në konferencë zyrtarë të LDK’së të flasin për procesin zgjedhor në tërësi e veçmas për Prishtinën.

Ndryshe, kjo konferencë nuk ka qenë e paralajmëruar më herët nga kjo parti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat