Peterle i shqetësuar me numrin e madh të votave të pavlefshme

Aktuale

Peterle i shqetësuar me numrin e madh të votave të pavlefshme

Më: 21 nëntor 2017 Në ora: 16:20
Alojz Peterle

Nuk do të dëshironte të ftohej në një afat të shkurtër për të vëzhguar zgjedhje të reja në Kosovë, ndonëse thotë se nuk i takon atij që të spekulojë se çfarë është mirë e çfarë jo sa i përket kësaj çështjeje.

Kështu ka deklaruar në një intervistë për Kp shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Alojz Peterle, ku bëri të qartë se nuk do të donte të spekulonte rreth asaj se kur do të ketë zgjedhje të reja në Kosovë.

Lidhur me deklaratën e tij të dhënë sot  në konferencën  për media, se nuk do të donte që së shpejti të ftohej për të vëzhguar zgjedhje të reja, Peterle tha se Kosova ka nevojë për një situatë stabile dhe se janë akterët politik që vendosin se çfarë drejtimi duhet marrë.

Peterle: Nuk varet nga unë që të spekulojë rreth asaj se çfarë është mirë e çfarë jo

“Në kapacitetin tim pasi që unë ende jam shef i misionit të vëzhgimit dhe nuk mund të bëj gjykime politike unë vetëm shpresoj se nuk do të angazhohem prapë së shpejti si një vëzhgues në Kosovë dhe kjo deklaratë bazohet në bindjen time se Kosova ka nevojë për një situatë stabile. Ju përmendët fjalën ‘mirë’ por nuk varet nga unë që të spekulojë rreth asaj se çfarë është mirë e çfarë jo.  Lojtarët politikë ndoshta konsiderojmë se diçka është e mirë për Kosovën atëherë, ata do të mendojnë ashtu dhe do të ndërmarrin atë drejtim. Nuk do të doja të spekulojë rreth asaj se kur ju do të keni zgjedhje të reja”, u shpreh ai.

Peterle foli edhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor ditën e zgjedhjeve, me ç’rast tha se përkundër përmirësimeve që janë bërë, ka ende vend për shqetësim, kryesisht për shkak numrit të madh të fletëvotimeve të pavlefshme, gjë që sipas tij, tregon se votuesit kanë pasur probleme për të shprehur vullnetin e tyre.

Në zgjedhjet e mbajtura më 22 tetor, Peterle tha se rreth 30 përqind e vendvotimeve nga e tërë Kosova është dashur të rinumërohen kryesisht për shkak të punës joprofesionale të Këshillave të Vendvotimeve, ku dhjetë përqind e formularëve të analizuar, sipas Peterles, tregojnë mospërputhje prej më shumë se 5votash për një subjekt politik.

Peterle: Votuesit kanë pasur probleme për ta shprehur vullnetin e tyre

“Jam i kënaqur që monitoruesit tanë i kanë vlerësuar këto zgjedhje përgjithësisht pozitive dhe më shumë përmirësime janë bërë pasi që ka pasur më shumë edukim, po ashtu edhe më shumë kohë dhe vëmendje por ka ende arsye për shqetësim si për shembull numri mjaft i lartë i fletëvotimeve të pavlefshme. Pra, kjo do të thotë se votuesit kanë pasur probleme për ta shprehur vullnetin e tyre. Pastaj kemi parë edhe votimin me asistencë, gjë e cila nuk ishte e lidhur me aspektin teknik le të themi, të stories. Ka pasur ende mangësi në qasjen profesionale në fazën e procesit të numërimit, i cili është një proces mjaft sensitiv dhe në shumë raste ka pasur diferenca prej 5 deri në 123 vota. Ky është një numër mjaft i lartë dhe mendojmë se këto pika duhet të adresohen dhe ne do e themi këtë prapë, puna jonë do të ketë kuptim nëse rekomandimet tona merren me mirëbesim dhe implementohen”, tha ai për KosovaPress.

Sa i përket komunave me shumicë serbe, shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE, Alojz Peterle, thotë të mos kenë pasur incidente të mëdha. Sipas tij, fakti se kandidati i IQ, në Kllokot njoftoi vetëm pak para zgjedhjeve se do t’i bashkohej Listës Serbe, nuk ka mundur të ndikojë në rezultat, porse ka mundur të shkaktoj konfuzion tek votuesit.

Peterle: Në Kllokot, votuesit kanë mundur të kenë probleme dhe konfuzion për faktin se patën dy kandidatë nga një subjekt politik

“Para se  gjithash, ne jemi të kënaqur të raportojmë se pavarësisht tensioneve aty këtu, nuk pati incidente të mëdha. Në Kllokot, kemi pasur një situatë, pra vetëm atje, ku vetëm një kandidat ka ndërruar partinë dhe në fund apo afër ditës së zgjedhjeve, votuesit patën dy kandidatë që mbështeteshin nga e njëjta listë, pra nga Lista Serbe. Nuk do të thosha se kjo është e zakontë, dhe votuesit kanë mundur të kenë probleme dhe konfuzion për këtë shkak. Por, ne nuk e konsiderojmë këtë si një incident por si një lloj mënyrë e të shprehurit të vullnetit politik”, theksoi ai.

Ai tha se faza e numërimit të votave është shumë e rëndësishme dhe për këtë porositi për vëmendje shtesë nga të gjithë vëzhguesit, pasi që kur rezultatet janë të ngushta mes kandidatëve, këto vota mund të jenë përcaktuese të rezultateve, ndërsa vigjilenca e shtuar pamundëson manipulimet me këto vota.

Peterle: Numrat e vogël mund të ndryshojnë situata

“Jo, kur rezultatet janë të ngushta dhe të përafërta, atëherë nevojitet vëmendje shtesë sepse numrat e vogël mund të ndryshojnë situata dhe votuesit si dhe kandidatët duhet të jenë më të vëmendshëm ndaj kësaj. Pra, ne do ta monitorojmë procesin deri në fund dhe siç e thash pavarësisht dallimit, ne do të jemi të vëmendshëm dhe natyrisht faza e numërimit të procesit është shumë e rëndësishme. Unë nuk do të thosha se votat me kusht janë të diskutueshme. Çdo votë valide është votë valide, por natyrisht ata që i numërojnë duhet të jenë të vëmendshëm dhe të marrin parasysh apo të numërojnë vetëm votat valide”, tha ai për KosovaPress.

Krejt në fund, Peterle përsëriti se puna e tyre si vëzhgues të BE-së, do të ketë kuptim nëse rekomandimet e tyre do të implementohen, në mënyrë që herave të tjera procesi zgjedhor të mos përcillet me probleme të njëjta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat