Thaçi diskuton me deputetët kanadez për Kosovën dhe rajonin: Po punojmë për anëtarësim në NATO e BE!

Aktuale

Thaçi diskuton me deputetët kanadez për Kosovën dhe rajonin: Po punojmë për anëtarësim në NATO e BE!

Më: 21 nëntor 2017 Në ora: 22:04
Hashim Thaçi, sot në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme të Parlamentit në Kanada, para deputetëve kanadez, ka folur për Kosovën dhe Evropën Juglindore.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme të Parlamentit në Kanada, para deputetëve kanadez, ka folur për Kosovën dhe Evropën Juglindore.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kanadaja është partner strategjik i Kosovës me të cilin ndajmë vlera, parime e aspirata të përbashkëta.

“Si Kosovë jemi mirënjohës për përkrahjen që Kanada i ka dhënë Kosovës me dekada. Veçanërisht vlen të theksohet pranimi i 7000 refugjatëve nga Kosova, në vitin 1999”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se përkrahja e Kanadasë ka qenë e rëndësishme edhe pas luftës, në rindërtimin e vendit dhe ndërtimin e paqes.

Para deputetëve kanadez, presidenti Thaçi ka thënë se në muajin shkurt, Kosova do ta shënojë dhjetëvjetorin e pavarësisë së saj, e cila ishte rezultat i një procesi të gjatë ndërkombëtar që kërkonte zgjidhje për statusin politik ndërkombëtar të Kosovës.

“Lirisht mund të thuhet se asnjëherë nuk ka pasur shpallje të pavarësisë më multilaterale e më të koordinuar ndërkombëtarisht se në rastin e Kosovës”, ka thënë ai.

Pa u bërë një dekadë si shtet, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian dhe është pranuar në programin e Korporatës për Sfidat e Mijëvjeçarit të Kongresit Amerikan, ku ka filluar edhe implementimin e projekteve të MCC-së”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Image

Ai ka thënë se Kosova është njohur nga 114 shtete dhe është anëtarësuar në shumë organizata rajonale e ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar apo Komisioni i Venecias.

“E promovojmë dialogun në mes feve, që përfaqësohet më së miri me konferencën Inter-Faith, e cila mbahet çdo vit dhe bënë bashkë liderë fetarë, politikanë, studiues nga e tërë bota, të cilët diskutojnë për dialogun në mes feve. Jemi krenar me tolerancën dhe bashkëjetesën në mes komuniteteve fetare që kemi në Kosovë. Kjo vlerë është shembull për rajonin dhe më gjerë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në parlamentin kanadez, presidenti Thaçi ka theksuar edhe iniciativën e themelimit të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, si mjet për dialog të brendshëm në mes të komuniteteve etnike, për të mbyllur kapitullin e luftës dhe për të hapur kapitullin e paqes, dialogut, bashkëpunimit, bashkëjetesës në një shoqëri shumetnike, demokratike, gjithëpërfshirëse.

“Kemi konsoliduar shtetësinë e Kosovës brenda, duke shtrirë sovranitetin në tërë territorin e Kosovës, përshirë edhe pjesën veriore të Kosovës. Falë dialogut dhe masave afirmative, sot edhe kjo pjesë është e përfshirë në institucionet e Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se Kosova është modele e promovimit të dialogut për gjetjen e zgjidhjeve për rajonin.

Si President i Kosovës, bashkë me palët e tjera, ai ka thënë se tash po kërkojnë një dinamikë dhe një kualitet të ri për procesin e dialogut.

“Po punojmë që të arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të plotë të marrëdhënieve, për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për pajtim në mes dy shteteve tona”, ka thënë ai.

Image

I pari i shtetit ka thënë se në Ballkan ka pasur edhe përpjekje depërtimi të fundamentalizmit dhe radikalizmit.

“Kemi qenë të suksesshëm në parandalimin e disa sulmeve terroriste në territorin e Kosovës, por edhe në rajon. Jemi anëtar aktiv i Koalicionit Global Kundër ISIS-it dhe lider në rajon në luftimin e terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Për të forcuar infrastrukturën e sigurisë, ai ka thënë se është iniciuar edhe transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës dhe kjo do të bëhet me pajtimin e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe në koordinim të plotë me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë.

Presidenti i Kosovës, para deputetëve kanadez, ka thënë se Kosova ka ecur larg që një dekadë dhe më nuk është vend i shkatërruar nga lufta, por vend që punon për anëtarësim në NATO e BE dhe që realizon me sukses reformat në ekonomi, në drejtësi dhe institucione demokratike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat