Papadopoulu me deklaratë ndaj raportimeve në media për EULEX-in

Aktuale

Papadopoulu me deklaratë ndaj raportimeve në media për EULEX-in

Më: 22 nëntor 2017 Në ora: 09:35
Ilustrim

Shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, ka lëshuar një deklaratë si përgjigje ndaj raportimeve të mediave, konkretisht të televizionit publik në lidhje me akuzat e ish-gjyqtarit Malcolm Simons drejtuar këtij misioni.

 “Ky mision e respekton plotësisht integritetin e sistemit gjyqësor të Kosovës, si dhe të gjitha vendimet dhe aktgjykimet e gjykatave kosovare në të cilat janë të përfshirë dhe të integruar plotësisht edhe gjyqtarët e EULEX-it. Gjykata Supreme e Kosovës është ajo që e ka nxjerrë vendimin i cili u vu në pikëpyetje në programin e RTK-së”, thuhet në deklaratë.

  Ajo më tej shpjegoi se e drejta për gjykim të shpejtë për të gjithë: viktimat, paditësit dhe të pandehurit duhet të respektohet dhe kjo është shumë e rëndësishme në menaxhimin e lëndëve jo vetëm në Kosovë, por në tërë Evropën. Praktikat fundamentale më të mira evropiane, të cilat synon t’i arrijë sistemi gjyqësor i Kosovës me ndihmën e EULEX-it, e mbrojnë integritetin dhe profesionalizmin e gjyqtarëve. Bazuar në këto standarde të larta të profesionalizmit, integritetit dhe pavarësisë, gjyqtarët e menaxhojnë vëllimin e punës së tyre në përputhje me parimet themelore të ligjit, për shembull disponueshmëria e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve mbrojtës dhe personelit tjetër mbështetës.

Papadopoulou theksoi se thashethemet dhe fjalët nuk janë mënyra për ta promovuar sundimin e ligjit në Kosovë.” Ajo shtoi se përmendja e emrave të gjyqtarëve dhe shpërndarja e mendimeve lidhur me jetën personale të tyre është “në kundërshtim me parimet e të drejtave themelore të njeriut dhe e rrezikon pavarësinë e tyre.

 “Rrëfimet e njëanshme të pakonfirmuara e kompromentojnë integritetin dhe profesionalizmin e gjyqtarëve, qofshin ata vendas apo ndërkombëtarë. Përveç kësaj, ato e minojnë autoritetin e gjykatave të Kosovës,” sqaroi ajo.

Ky mision më tej theksoi se beson fuqishëm që këto çështje duhet të trajtohen nga autoritetet përkatëse, “dhe jo nga mendimet personale të shprehura në një program televiziv” ka shtuar Papadopoulou.

EULEX-i është i përqendruar që t’i ndihmojë autoritetet për të krijuar një sistem efektiv dhe të pavarur të sundimit të ligjit të lirë nga ndërhyrjet politike. Ky Mision e përsërit përkushtimin e tij të plotë ndaj këtij qëllimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat