Limaj hedh poshtë akuzat për keqpërdorim, aktgjykimi të premten

Aktuale

Limaj hedh poshtë akuzat për keqpërdorim, aktgjykimi të premten

Më: 22 nëntor 2017 Në ora: 17:24
Zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj

Në fjalën e tij përfundimtarë në rastin gjyqësor të njohur si MTPT, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, para trupit gjykues tha se do të binden se nuk ka asnjë provë që e implikon atë në korrupsion.

Limaj tha se e kanë dëgjuar fjalën e prokurorit dhe se në asnjë shkresë e në asnjë dokument nuk është thënë se ka ndodhur ndonjë keqpërdorim gjatë kohës sa ai ka qenë ministër.

Limaj: Zero cent është keqpërdorur nga unë si ministër

“Që nga dita e parë kam thënë se prokuroria do ta shihni gjatë procesit gjyqësor se nuk ka me arrit me provua qoftë edhe një cent që është keqpërdor në kohën kur unë kam qenë Ministër i Transportit. Dhe ja ku jemi sot, pas dy mijë 764 ditëve që unë ballafaqohem me këto akuza, ku jemi sot. Ju e keni dëgjuar nga 2015 që ka filluar procesi i kemi kaluar të gjithë ato prova të paraqitura nga prokurori, kemi dëgjuar gjithë ata dëshmitarë dhe në fund kemi dëgjuar dje edhe fjalën përfundimtare të prokurorit, në asnjë shkresë të lëndës, në asnjë dokument dhe nga asnjë dëshmitar nuk është thënë që edhe për një cent që është keqpërdorur gjatë kohës që kam qenë ministër. Dhe del ajo që ju kam thënë juve, me bindje, me ndërgjegje, njerëzore apo profesionale se zero cent është keqpërdorur nga ana ime sa kam qenë ministër”, tha Limaj.

Limaj tha se është krenar që pas dy mijë e 764 ditëve ajo që e ka thënë është provuar pasi sipas tij nuk është prezantuar asnjë provë që vërteton akuzën e prokurorisë.

Gjithashtu, ai tha se atij i është bërë një gjyq publik, dhe se njerëz dhe disa media nuk kanë lënë asgjë pa bërë në tendencë për të shkatërruar personalitetin e tij. Limaj tha se ky gjykim ka filluar me një letër dhe me atë letër do të përfundojë.

Zëvendëskryeministri tha se hetimet për të kanë filluar më 28 prill 2010 me një ankesë, që Limaj tha pa e verifikuar, pa e testuar besueshmërinë e asaj letre, pa pyetur dëshmitar, pa hetuar dokumente siç kërkohet nga ligji.

Limaj: Vendimi për autostradën dhe aeroportin

“Dy gjëra në fakt kam menduar se çfarë ka ndodhur këtu, unë nuk di tjetër përveç dy momenteve, nuk di për çka tjetër, dy, vendimi për autostradën dhe vendimi për aeroportin. Po, unë kam qenë shumë i vendosur që me vazhdua me ndërtua autostradën. Sikur tek çështja e aeroportit kam qenë kundër privatizimit të aeroportit dhe kam qenë kundër që aeroportin me dhënë me koncesion për 35 vite, por me dhënë për 20 vite”, tha ai.

Ndërsa, Karim Khan, avokati nga pala mbrojtëse e Fatmir Limajt, i ka mohuar pretendimet e Prokurorisë për rastin në MTPT, i cili  ka thënë para gjykatës se Limaj dhe të tjerët nuk i kanë vjedhur 80 centë, e lëre më 80 milionë euro.

Po ashtu, Khan në fjalën përfundimtare, ka vënë në dyshim vërtetësinë e dëshmisë së Mehmet Shkodrës, në bazë të të cilës kishte nisur të hetohet rasti në 2008-2009. Ai tha se dëshmitarët kanë thënë se deklaratat e Shkodrës nuk janë të vërteta, por mendojnë se janë të fabrikuara.

E avokati mbrojtës Khan u shpreh i bindur se nëse ndjekin provat, klienti i tij Fatmir Limaj do të shpallet i pafajshëm.

Khan: Nëse shqyrtoni provat Limaj do të dalë i pafajshëm

“Përkundër rastit dhe përkundër të pandehurit se kush është apo janë të pandehurit. Ne jemi të bindur se nuk do të udhëhiqeni nga ndonjë thashetheme, ndonjë interes, por do të udhëhiqeni nga provat. Nëse shqyrtohen provat keni mundësinë që të vini vetëm tek një mundësi e kjo është që ta lironi klientin tim Fatmir Limaj nga të gjitha akuzat. Dhe unë kërkoj, në fakt lutemi me përulësi se ju të nderuar do ta bëni këtë dhe ta vëni në vend drejtësinë”, tha ai.

Limaj akuzohet për krim të organizuar e korrupsion, që ka të bëjë me kurdisje çmimesh të tenderëve në kohën sa Limaj ishte pjesë e PDK-së e ministër i Transportit. Për të njëjtat vepra ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka.  Aktgjykimi është paralajmëruar për të premten.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat