A do t’i arrestojë Policia Kurtin, Kadaj-Bujupin dhe Haxhiun nesër në Kuvend?

Aktuale

A do t’i arrestojë Policia Kurtin, Kadaj-Bujupin dhe Haxhiun nesër në Kuvend?

Më: 22 nëntor 2017 Në ora: 18:14
Foto arkiv - Arrestimi i Albin Kurtit

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar për seancën e rregullt e thirrur për të enjten në ora 10:00. Ndërkohë që tre deputet të VV’së prej sot janë në kërkim të Policisë së Kosovës, sipas një urdhëroi të Gjykatës Themelore të Prishtinës për paraburgosje të tyre.

Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu do të mund ta arrestohen të enjten në Kuvend të Kosovës, në rast se ata nuk kapen më parë nga Policia e Kosovës.

Ndaj tre deputetëve të VV’së, Gjykata Themelore e Prishtinës të mërkurën ka lëshuar urdhëresë për arrestim dhe dërgim në paraburgim, pasi të njëjtit nuk u paraqiten në gjykatë për seancë në rastin e hedhjes së gazit lotsjellës, ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë qysh në fund të vitit 2015.

Urdhëresën e ka dhënë trupi gjykues në seancën e cila dështoi të mërkurën, pasi Kurti dhe Kadaj-Bujupi, përkundër se u kërkuan nga Policia në shtëpitë e tyre, ata nuk u gjeten aty, për tu sjellë me dhunë në gjykatë. Sikurse nuk erdhi as Albulna Haxhiu.

“Meqenëse të njëjtit nuk iu janë përgjigjur këtyre ftesave, trupi gjykues merr aktvendim kundër të akuzuarve Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi që të lëshojë urdhëresë për ndalim/arrestim dhe dërgim në qendër të paraburgimit, dhe gjithashtu të njëjtëve do t’u përcaktohet paraburgimi”, ka dhënë njoftimin gjyqtari Beqir Kalludra.

Në seancë kishte ardhur vetëm deputeti Faton Topalli i cili po ashtu akuzohet në të njëjtin rast.

Por, tre deputetët e VV’së kontakt me pjesëtarë të policisë do të kenë të enjten më mëngjes, derisa do të futen në objektin e Kuvendit të Kosovës. Kjo pasi seanca e radhës është caktuar për këtë ditë, qysh të hënën nga Kryesia e Kuvendit.

Express nuk ka mundur ta konfirmojë nga Policia e Kosovës nëse diçka e tillë do të mund të ndodhë të enjten. Megjithatë, zyrtarë të PK’së kanë bërë të ditur se urdhëresat e gjykatës Policia e ka për obligim t’i zbatojë në çdo kohë.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2015, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj katër deputetëve Lëvizjes Vetëvendosjes. Ata akuzohen se secili veç e veç kanë kryer veprat penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat