Miratohet agjenda për mbledhjen me Qeverinë e Shqipërisë

Aktuale

Miratohet agjenda për mbledhjen me Qeverinë e Shqipërisë

Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 08:46
Qeveria e Kosovës

(E plotësuar) - Qeveria e Kosovës ka miratuar agjendën për mbledhjen e përbashkët në mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, e cila do të mbahet më 27 nëntor në Korçë, në Shtëpinë e Flamurit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj në mbledhjen e kabinetit qeveritar, tha se në këtë takim do të shqyrtohen dhe nënshkruhen shumë memorandume dhe marrëveshje të përbashkëta që do të rregullojnë fushat e bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

Limaj: Do të ketë nënshkrime të disa marrëveshjeve   

“Gjatë mbledhjes së Qeverisë, ne kemi harmonizuar rendin e ditës në mes dy qeverive tona... Hapjen e mbledhjes e bëjnë të dy kryeministrat e dy vendeve tona. Do të ketë nënshkrime të disa marrëveshjeve. Listë e marrëveshjeve që deri më tani janë të harmonizuara dhe që do të jenë pjesë të ditës ndërmjet dy qeverive tona, është një marrëveshje që do të ketë Zyra e Kryeministrit, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale një marrëveshje, MTI një marrëveshje, MZHE një marrëveshje, MBPR një marrëveshje, MKRS një marrëveshje, MPJ katër marrëveshje dhe Ministria e Integrimit Evropian një marrëveshje. Kemi edhe 2-3 marrëveshje ende të papërfunduara tek Ministria për Diasporë dhe Integrime”, theksoi ai.

Qeveria miratoi edhe dy rekomandime të tjera për t’u diskutuar në mbledhjen e dy qeverive, atë për heqjen e taksës së librit për librat që vijnë nga Shqipëria në Kosovë dhe vendosjen e një lektori të gjuhës shqipe në çdo katedër të gjuhës shqipe. Këto ishin propozime të zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, sipas të cilit në këtë mënyrë do të rritej bashkëpunimi i komunikimit Prishtinë-Tiranë.

Mbledhja e Qeverisë vazhdoi me kërkesën e kryeministrit, Ramush Haradinaj që të zbatohet ligji për Zonën e Obiliqit, si dhe të ketë kontroll për cilësinë e produkteve ushqimore.

Haradinaj: Të gjitha mallrat të kenë etiketat në gjuhën shqipe

“Kërkojmë nga ju me e bë një analizë, një studim, me e pa se si është gjendja, me etiketimin dhe me shpjegimet e mallrave që i drejtohen tregut tonë. Shumicën e rasteve këto mallra nuk e kanë gjuhën shqipe. Tash imagjinoni konsumatorët të cilët i blejnë, nuk dihet çka po blihet. Me sa po marrë vesh unë, deri tek barnat në farmaci e të tjerat, është e pashpjegueshme pra që një qytetar që blen një medikament mos me e pa se çka po blen. Jemi në dijeni se në Kosovë nuk transmetohet kjo, është mirë me pas kujdes, atyre që u takon, kujtdo që iu takon me e zgjidhë”, tha ai.

Në këtë mbledhje është miratuar edhe vendimi për themelimin e Këshillit Kombëtar për inovacion dhe ndërmarrësi, ku ministri i Inovoacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, bëri të ditur se ky këshill do të përbehet nga 15 anëtarë që do të përfshijnë të gjitha ministritë relevante, odat ekonomike, përfaqësues të bizneseve, Komisionin për Arsim dhe Kuvendin.

Ai tha se kushtet dhe veprimtaria e Këshillit Kombëtar për Inovacion do të përcaktohet me rregullore të veçanta.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që Qemajl Marmullakaj të jetë sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë. Për këtë pozitë komisioni ka pranuar 8 aplikacione dhe ka aprovuar tre kandidatë si të përshtatshëm për këtë pozitë, ndërsa është aprovuar kandidatura e Qemajl Marmullakaj.

Sa i përketë çështjes së furnizimit me energji elektrike të bizneseve ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se gjendja e furnizimit të bizneseve me energji është kritike dhe se janë rreth 300 milionë euro shpenzime të bizneseve për shkak të kualitetit të dobët të energjisë. Mirëpo ai theksoi se janë të përkushtuar në përmirësimin e infrastrukturës tek bizneset.

Lluka: Bizneset shpenzojnë rreth 300 milionë euro për shkak të kualitetit të dobët të energjisë

“Ka raporte të ndryshme që dëshmohet se janë rreth 300 milionë euro shpenzime të bizneseve gjatë vitit, kryesisht për shkak të kualitetit të dobët të energjisë dhe ndërprerje të paplanifikuara... Deri më tani investimet që janë bërë nga KEDS e që janë rreth 100 milionë euro për pesë vite, kanë shkuar në rregullimin e tensionit të ulët që ka qenë më i dëmtuari e që prek qytetarët dhe shtëpitë, e tash për 5 vitet e ardhshme jemi pajtuar që investimet të shkojnë në tension të mesëm që kryesisht i prek bizneset, pra përmirësimin e infrastrukturës tek bizneset”, theksoi ai.

Qëveria e Kosovës ka miratuar edhe 24 mijë e 950 euro për projektin e Këshillit Lokal të Aktiviteteve Rinore në Lespoaviq, që synon integrimin e fëmijëve të asaj pjese.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka ngritur çështjen e përgatitjes së dokumentit të prioriteteve të Kosovës gjatë kryesimit të CEFTA-s, nga janari i viti 2018.

Qemajl Marmullakaj zgjidhet sekretar i MD-së

Qemajl Marmullakaj është zgjedhur sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë.

Vendimi është marrë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës. Për këtë pozitë komisioni ka pranuar 8 aplikacione dhe ka aprovuar tre kandidatë si të përshtatshëm për këtë pozitë, ndërsa është aprovuar kandidatura e Qemajl Marmullakaj.

Qeveria miraton themelimin e Këshillit për Inovacion dhe Ndërmarrësi

Me propozimin e ministrit të Inovacionit Besim Beqaj, Qeveria e Kosovës ka miratuar themelimin e Këshillit për Inovacion dhe Ndërmarrësi.

Ministri Beqaj bëri të ditur se ky këshill do të përbehet nga 15 anëtarë që do të përfshijnë të gjitha ministritë relevante ,odat ekonomike, përfaqësues të bizneseve, Komisionin për Arsim dhe Kuvendin.

Qeveria miraton draftin e rendit të ditës për mbledhjen e përbashkët me Shqipërinë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e radhës ka miratuar draftin e rendit të ditës për mbledhjen me Qeverinë shqiptare që do të mbahet më 27 dhe 28 nëntor në Korçë.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ka treguar propozimin për rendin e ditës për mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë.

Limaj ka prezantuar para kabinetit qeveritar temat që do të diskutohen me palën shqiptare. Ai ka përmendur një varg marrëveshjesh që do të arrihen gjatë kësaj mbledhje.

“Do jetë një marrëveshje nga zyra e kryeministrit, një nga ministria e Tregtisë, Ministria e Punëve të Jashtme 4 marrëveshje, një marrëveshje nga ajo e Integrimeve. Pritet që edhe një marrëveshje nga ministria e Diasporës edhe disa marrëveshje nga ministrit të tjera”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat