KQZ vendos që të fillojë numërimi i votave me kusht dhe rinumërimi për Prishtinën dhe Prizrenin

Aktuale

KQZ vendos që të fillojë numërimi i votave me kusht dhe rinumërimi për Prishtinën dhe Prizrenin

Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 11:45
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mbledhja e sotme

(E plotësuar) - Komisioni qendror i zgjedhjeve ka marrë vendim që të fillojë numërimi i votave me kusht sot në orën 14:00, për komunat të cilat nuk do të shkojnë në rinumërim.

Pas numërimit të këtyre votave, KQZ ka vendosur që të fillojë edhe rinumërimi për komunat për të cilat mori vendim PZAP që janë Prishtina, Prizreni, 35 vendvotime në Dragash dhe rinumërimn e tre  vendvotimeve në Rahovec.

Por kundër vendimit të KQZ-së  ishte anëtari i këtij komisioni nga radhët e VV-së Adnan Rrustemi, i cili kërkonte që KQZ të mos marrë vendim për rinumërim, pa kaluar 24 orë nga vendimi i PZAP-së, pasi që sipas tij ky vendim ende nuk është i plotfuqishëm.  

Rrustemi  vendimin e PZAP-së e quajti politik e të orkestruar, çështje kjo që ngjalli debat të ashpër në mes të anëtarëve të KQZ-së. Rrustemi kërkoi që të vazhdoj numërimi i votave me kusht sipas planit dhe KQZ-ja ta presë përfundimin e afatit të ankesave për vendimin e PZAP-së dhe vendimin e Gjykatës supreme.

Rrustemi: Vendim absurd

“Një vendim i PZAP, që për bindjen time është skandaloz. Është definitivisht vendim politik. S’ka asnjë bazë as juridike, as në proces zgjedhor. Është për mua një vendim që synon padyshim suspendimin e vullnetit të votuesve. Suspendimin e zgjedhjeve. Është absurd për nga përmbajtja po ta shohësh...Nuk ka pasur asnjë vërejtje dhe as një shqetësim gjatë ditës së zgjedhjeve nga asnjë komisioner i të gjitha partive politike. Nuk ka pasur asnjë vërejtje nga komisionerët e partive politike në ditën e  votimit. Madje është absurd po ta shohësh edhe kur bëhet fjalë rinumërimin e votave, me post dhe me kusht. Po kërkon rinumërimin e diçkafit që nuk u numërua ende. Ne e dimë se nuk i kemi numëruar as votat me kusht as votat me post. Si ka mundësi me urdhëru KQZ-në me bë rinumërim të diçka që ne nuk e kemi numëru ”,tha ai.

Anëtari i KQZ-së nga PDK Betim Gjoshi,  tha se askush nuk duhet që t’i frikësohet transparencës

Gjoshi: S’mund të punojmë me emocione

“nuk kemi askush që t’i  frikohemi transparencës dhe ligjshmërisë... Ne nuk mund të punojmë me emocione ditë pas dite e nuk mund të dirigjojmë agjendën”, tha ai.

Ndërsa Sami Hamiti nga LDK kërkoi që mos të krijohen tensione.

Hamiti: Të mos bëjmë tensione

“Të mos bëjmë tensione. Në këtë anë ajo është transparencë,. Qysh e konsideron dikush politike një çështje e cila shkon me transparencë prej ditës së parë i kemi ftuar kamerat dhe mediat atje dhe të ketë numrin e  vëzhguesve. Të vërtetohet të legjitimohet më mirë. Të dy komunat kanë numër të madh të votuesve e diferencat janë të vogla. Shumë më mirë është dhe për subjektin VV. Pse po prejudikohet këtu le të legjitimohet diçka”, tha ai.

E kryetarja e KQZ-së Valdete Daka,  nuk e pati aspak të lehtë ta udhëheqë këtë mbledhje, ku në rend dite priste ta fuste edhe vendimin e  PZAP-së që Prishtina dhe Prizreni të shkojë në rinumërim.

Daka: Mos bëni presion

“Të mos e diskutojmë vendimin të lutem. Argumentet i shkruani në ankesë. S’ka nevojë me bë presion në askënd. E bëni ankesën iu lutem”, tha ajo.

Por Rrustemi këmbëngulte në kërkesat e tij, duke pohuar se ky është një vendim i paprecedent.

Rrustemi: Vendim i paprecedent

“Ky është vendim i  paprecendent. Nuk është çështja kryetare me ia nënshtru këtë vendim votës. nëse profesionalisht e trajtojmë. Për mua një vendim i KQZ-së sot për me fillu rinumërimi,. Për sa kohë është afati i ankesave dhe do të ketë ankesë, është presion i drejtpërdrejtë  mbi Gjykatën Supreme se vendimi yt është i papërfillshëm se tashmë ne po vazhdojmë] punën”, tha ai.

Por për Ilir Gashin nga PDK, kjo gjë nuk është aspak tragjike.

Gashi: Nuk është tragjike kjo punë

“Nuk është tragjike kjo punë. Se   askush s’mund ta ndryshojë vullnetin e qytetarëve, por vetëm ri-konfirmohet ajo mbi të cilën kanë votuar. Nuk shoh asgjë t keqe në këtë drejtim”, tha ai.

***

KQZ-ja e ka përfunduar mbledhjen e sotme me shumë përplasje mes anëtarëve të saj.

KQZ-ja vendosi që në orën 14:00 të fillojë numërimi i votave me postë, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta për 14 komunat, ku nuk ndikojnë në rezultat.

Ndërkaq, rinumërimi i kërkuar me vendim të PZAP-it do të bëhet pas përfundimit të numërimit të këtyre votave.

Numërimi i votave me kusht do të vazhdojë në komunat ku s’ka ankesa

Komisioni Qendror Zgjedhor ka marrë vendim që QNR të vazhdojë me numërimin e votave me kusht për ato komuna ku nuk ka ankesa dhe rinumërime.

KQZ po ashtu mori vendim që pasi të numërohen votat me kusht për komunat që nuk shkojnë në rinumërim, të fillojë rinumërimi në Prishtinë dhe Prizren, sipas vendimit të PZAP dhe në 35 vendvotime në Dragash, si dhe rinumërim i tri vendvotimeve në Rahovec.

Numërimi i votave me kusht për komunat që nuk shkojnë në rinumërim fillon në ora 14:00.

Vendimi për rinumërim të votave ngjall debat në KQZ

Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar hyrjen në rend ditë vendimi i PZAP për rinumërim të votave në Prishtinë dhe Prizren.

Rrustemaj këtë vendim e ka quajtur politik dhe skandaloz.

 "Vendimi i PZAP është  skandaloz, tërësisht politik. Nuk ka bazë politike që synon suspendimin e vullnetit të votuesve dhe zgjedhjeve. S’ka pasur vërejtje me ditën e zgjedhjeve nga komisionarët. Është absurd kur bëhet fjalë për rinumërimin e votave me postë dhe me kusht që ende s’janë numëruar. Qysh ka mundësi me urdhërua  KQZ me rinumëru diçka që nuk është numëruar. Kërkoj nga QNR që të vazhdojë numërimin e votave me kusht qysh ka qenë i planifikuar. Nuk mund ta fusim ne rend dite kur vendimi është i apelueshëm në Gjykatën Supreme”, tha Rrustemaj.

 Ndërsa Ilir Gashi nga PDK tha se vendimi i PZAP duhet të hyjë në rend dite e njëjtë propozoi edhe Sami Hamiti nga LDK.

Ndërsa kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se nuk ka nevojë për presion nga askush.

***

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po mban mbledhjen e radhës.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat