Nesër vazhdon seanca e ndërprerë

Aktuale

Nesër vazhdon seanca e ndërprerë

Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 13:44
Mbledhje e mëhershme e Kryesisë së Kuvendit

(E plotësuar) - Nesër do të vazhdojë seanca e ndërprerë sot, pasi pozita lëshoi seancën. Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit me shumicën e votave, por me kundërshtimin e opozitës.

Përfaqësuesit opozitarë kërkuan që seanca të vazhdojë javën tjetër, derisa pozita ishte që kjo të vazhdojë nesër, pasi javën tjetër mund të mbajnë seanca tjera.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, kërkoi që seanca të vazhdojë nesër, madje pati kritika për një pjesë të opozitës që e kanë akuzuar atë se nuk po thërret seanca, derisa janë pajtuar vetë se nuk ka materie për të thirrur seanca plenare.

Veseli: S’ka pasur materie për seancë, por kritikoni për konsum politik

“Sido që të jetë për konsum politik gjithë ditën mos u ndalni me konferenca për shtyp para mediave, por nuk është korrekte me dal diçka për të cilin merremi vesh dhe në të njëjtën kohë kur ka materie të thoni kryetari nuk po dëshiron. Unë asnjëherë, madje këto vite jam munduar të jem korrekt por vendimmarrja ka qenë kolegiale”, tha Veseli.

Madje, kreu i legjislativit, akuzoi opozitën se vetë po kërkojnë shtyrjen e seancës për javën tjetër, ani pse tërë kohën kanë kritikuar për mos thirrje të seancës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, propozoi që seanca të vendoset nesër, pasi javën tjetër mund të vendosin për mbajtjen e seancave tjera.

Krasniqi: Propozojmë që nesër të vazhdojë seanca

“Unë iu kam ftuar kolegjialisht, jo si pozitë e opozitë. Me vjen keq çdo veprim që edhe për veprime të tilla ku s’do të duhej të kishte ndasi mes pozitës dhe opozitës, ju po e shihni prej prizmit pozitë-opozitë. Unë iu ftova kolegjialisht të na bashkoheni, nuk na u bashkuat. Nuk thash lëshojeni sallën, unë thash ju ftoj. Edhe ju vendoset mos të bashkoheni edhe ndodhi qysh ndodhi. Kërkesa jonë si grup ishte edhe aty që të vazhdojmë me seancë nesër”, theksoi Krasniqi.

Edhe shefi i GP të AAK-së, Ahmet Isufi ishte pro vazhdimit të seancës për nesër dhe se nuk ka arsye të shtyhet për javën tjetër.

Por, kundër ishin përfaqësuesit e opozitës. Nënkryetarja e Kuvendit nga Vetëvendosje Aida Dërguti, tha se propozimi i tyre është e mërkura e javës së ardhshme kur duhet të vazhdojë seanca e lënë në gjysmë sot.

Dërguti: Jemi kundër vazhdimit të seancës për nesër

“Unë mendoj që nesër nuk është e përshtatshme që të vazhdohet seanca. E hënë është një ditë para festës së 28 nëntorit dhe propozimi im është që të jetë të mërkurën”, tha Dërguti.

Derisa, shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, tha se ata janë kundër bërjes së Kuvendit ku sundon PDK-ja. Ai tha se për veprimet si të sotmet nga PDK, duhet të ketë koordinim.

Konjufca: Po doni ta bëni Kuvendin ku sundon diktati i PDK-së

“Kur flasim për legjitimitetin e ankesave të vonesave mendoj që nuk kanë të drejt të ankohen ata që e shtynë sot, ne sot e kemi pasur seancën, askush nuk na ka kontaktuar, s’ka pasur kurrfarë koordinimi mes grupeve parlamentare dhe tash po doni ta bëni Kuvendin ku sundon diktati i PDK-së. Nuk po me duket që është mirë, kundër kësaj jam në parim”, tha ai.

Edhe nënkryetari i Kuvendit në LDK-ja, Kujtim Shala, kërkoi që për tema të tilla të ketë koordinim, pasi në të kundërtën mund të reflektojnë si agjenda partiake.

Shala: Për tema të tilla duhet të koordinohemi

“Besoj që për kërkesa dhe situata të asaj natyre mund të konsultohemi, të diskutojmë dhe mund të merremi vesh paraprakisht. Unë nuk dyshoj në një qëllim të mirë të atij akti por ka rrezik që kur ndodh ashtu të reflektoj si agjendë e një subjekti politik, edhe nëse nuk është”, theksoi Shala.

Derisa, debatin e sotëm rreth lëshimit të seancës nga PDK, Veseli tha se për këtë temë nuk është dashur të diskutohet, sepse janë ndërtuar mjegulla të mëdha për vendin.

Veseli: Janë ndërtuar mjegulla të mëdha për vendin

“Unë besoj se as nuk është dashur ta diskutojmë sot këtë që po e diskutojmë, për arsye se mbi rrethana të tilla janë ndërtuar bukur shumë mjegulla të rënda për këtë vendin tonë”, u shpreh Veseli.

Seanca e sotme u ndërpre pasi PDK e lëshoi sallën bashkë me partitë tjera në pozitë, në shenjë proteste dhe indinjate ndaj deklaratave të fundit të ish-gjyqtarëve të EULEX-it se ka gjyqtarë të këtij misioni që kanë fyer dhe paragjykuar ish- pjesëtarët e UÇK-së, që janë akuzuar për krime lufte. 

Nesër vazhdon seanca

Kuvendi i Kosovës nesër do të vazhdojë seancën e radhës.

Kështu vendosi kryesia e Kuvendit me shumicë votash në mbledhjen e mbajtur.

Seanca e cila ishte paraparë të mbahej sot nuk vazhdoi punimet, pasi Partia Demokratike e  Kosovës, e cila në shenjë revolte ndaj deklaratave të misionit të EULEX-it për ish-ushtarët e UÇK-së, propozoi vazhdimin e seancës për ditën e nesërme.

Mbledhja e kryesisë së Kuvendit (Drejtpërdrejt)

Kryesia e Kuvendit po mban mbledhjen e radhës, ku pritet të caktohet dita e vazhdimit të seancës, e cila është ndërprerë sot.

Ndërprerja e seancës ndodhi me propozimin e PDK-së, në shenjë proteste për sjelljen e gjyqtarëve të EULEX-it, në rastin Drenica.

Kryesia mblidhet në orën 14 për caktimin e vazhdimit të seancës së Kuvendit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thirrur për orën 14 mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare.

Sipas njoftimit, Kryesia do të vendosë për ditën (sigurisht edhe orën) e mbajtjes së seancës së Kuvendit, e cila u ndërpre sot për shkak të braktisjes së saj nga deputetët e PDK-së dhe aleatëve të saj, në shenjë revolte ndaj, siç thanë, pretendimeve të EULEX-it dhe të indinjuar për deklaratat e zyrtarëve të këtij institucioni ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së.

Seancën e braktisi edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ndërsa opozita nuk pati numër të mjaftueshëm deputetësh për të vazhduar.

Seanca e sotshme kishte në rend të ditës 23 pika, ndër to projektligje me shumë rëndësi për vendin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat