Për mungesë kuorumi ndërpritet seanca plenare, vazhdon të mërkurën

Aktuale

Për mungesë kuorumi ndërpritet seanca plenare, vazhdon të mërkurën

Më: 24 nëntor 2017 Në ora: 10:44
Kuvendi i Kosovës, foto arkvi

(E plotësuar) -  As sot Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zhvillojw punimet e seancës plenare në mungesë të kuorumit.

Derisa dje seancën e lëshoi pozita, sot të njëjtën gjë e bëri opozita në shenjw kundërshtimi për caktimin e vazhdimit të seancës për sot, e jo javën tjetër.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e quajti presedan të llojit të vet caktimin e seancës vetëm nga shumica, meqë seancat caktohen me një lloj konsensusi brenda Kryesisë së Kuvendit.

Hoti: Caktimi i seancës pa konsensus presedan i llojit të vet

“Me vjen keq për mënyrën se si po zhvillohen punimet në Kuvendin e Kosovës. Dje kishim 23 pika të rendit të ditës dhe  po prisnim që fillojw seanca normalisht. Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së doli dha një propozim as fjalën nuk na u dha për të dhënë vlerësimin tonë mbi atë propozim dhe u ndërpre seanca. Pasdite në Kryesinë e Kuvendit ju përdorët fuqinë e votës për të caktuar sot seancën në orën 10:00 edhe pse ky është një presedan i llojit të vet sepse caktimi i seancës caktohen me njëfarë konsensusi brenda kryesisë. Prandaj në shenjë të kësaj të mospajtimit tonë ne do ta lëshojmë seancën”, tha Hoti.

Megjithatë, pas daljes së LDK-së dhe mos pranisë së deputetëve të Vetëvendosjes, meqë në atë kohë u arrestuan deputetët Albin Kurti, Donika Kadaj e Albulena Haxhiu, pozita vazhdoi seancën me pyetjet parlamentare.

Por, pak pyetje u bën e pak morën përgjigje, meqë shumica e pyetjeve që ishin paraparë të bëheshin sot, ishin nga deputetët e opozitës të cilët nuk ishin në seancë.

Megjithatë, deputeti i PDK-së Fadil Beka pyeti ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, se kur do të filloj punën komisioni për vlerësimin e shkallës së invaliditetit.

Ndërsa, ministri Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, bëri të ditur se tashmë kanë marrë vendim për themelimin e komisionit mjekësor për vlerësimin e shkallës së invaliditetit sipas legjislacionit në fuqi.

Reçica: Invalidët e luftës nga 1 dhjetori mund të aplikojnë për realizimin e pensionit

“Aktualisht jemi duke finalizuar proceduar për themelimin e këtij komisioni mjekësor i cili do të formohet në marrëveshje edhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe do të jetë në përbërje nga mjek të fushave të përcaktuara me ligj. Ju informoj se invalidët e luftës nga 1 dhjetori mund të aplikojnë për realizimin e të drejtës në pension dhe beneficionet e parapara me ligjin për statusin e të drejtat e dëshmorëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile dhe familjeve të tyre”, theksoi Reçica.

Mirëpo, kur përfunduan pyetjet parlamentare, kreu i Kuvendit Kadri Veseli vlerësoi se nuk ka kuorum për të vazhduar seanca plenare.

Veseli: S’kemi kuorum për të vazhduar mbledhjen

“Jemi në pikën e tretë të rendit të ditës , miratimi i procesverbalit nga seancat e mëparshme, në sallë janë të pranishëm 43 deputetë, nuk mund ta miratojmë procesverbalin. Në rrethana të tilla për mungesë të kuorumit nuk mund të vazhdojmë as me seancën, vazhdimin e seancës. Vazhdimi i seancës do të jetë të mërkurën në orën 10:00”, tha Veseli.

Në rend dite në seancën e sotme kanë qenë 23 pika, ndër to edhe projektligji për Prishtinën, projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për presidentin e Kosovës, projektligji për liritë fetare dhe shumë projektligje tjera. 

***

Seanca e Kuvendit është ndërprerë pasi që nuk pat kuorum.

Deputetët e LDK-së kanë lëshuar sallën ndërsa ata të Vetëvendosjes  jashtë u përplasën me Policinë pasi që u arrestuan tre deputetë të kësaj Lëvizje.

 Seanca u caktua që të vazhdojë të mërkurën.

LDK lëshon seancën

Deputetët e LDK-së kanë lëshuar seancën e sotme në shenjë proteste për vazhdimin e kësaj seance.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti tha se seancat caktohen me një lloj konsensusi në Kryesi, derisa caktimin e vazhdimit të seancës sot, e konsideroi si te njëanshme, prandaj lëshuan sallën.

Ndërkohë në seancë nuk janë as deputetët e Vetëvendosjes pasi që jashtë ndërtesës së Kuvendit ata u përplasën me Policinë pasi që kjo e fundit arrestoi tre deputetë  të kësaj partie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat