VV: Vendimi për arrestimin e Kurtit, Haxhiut dhe Kadaj-Bujupit, i kundërligjshëm (Dokumente)

Aktuale

VV: Vendimi për arrestimin e Kurtit, Haxhiut dhe Kadaj-Bujupit, i kundërligjshëm (Dokumente)

Nga: Bota Sot Më: 25 nëntor 2017 Në ora: 13:49
Sami Kurteshi gjatë konferencës së sotme

(E plotësuar) - Lëvizja Vetëvendosje mbajti gjatë ditës së sotme konferencë për media, përmes të cilës anëtari i Kryesisë dhe deputeti Sami Kurteshi, foli mbi veprën penale të gjyqtarit Beqir Kalludra në lidhje me urdhër-arrestin ndaj deputetëve dhe shkeljen e KQZ-së, e cila ka urdhëruar ndërprerjen e votave me kusht, votave me postë dhe votave të personave me nevoja të veçanta, për Prishtinën e Prizrenin.

Në lidhje me çështjen e parë, Sami Kurteshi paraqiti kërkesën e deputetëve Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Donika Kadaj-Bujupi, drejtuar Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyqi, për përjashtimin e trupit gjykues. Kjo kërkesë u dorëzua me datën 22 nëntor, kurse në lidhje me arsyen e kërkeses, Kurteshi theksoi se ka dyshime mbi paanshmërinë e këtij trupi gjykues, duke përmendur se ky trup gjykues është i njëjti që ka dënuar aktivistët e VV-së për sulmin mbi Kuvendin e Kosovës pa asnjë provë.

Image
Kërkesa e protokuluar e deputetëve drejtuar Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, znj. Afërdita Bytyqi;

“Kërkesa për përjashtim drejtuar Kryetares së Gjykatës Themelore është dorëzuar me 22.11.2017, dhe pa marrë ende asnjë përgjigje, ashtu siç është obligim i Kryetares së Gjykatës Themelore sipas Kodit të Procedurës Penale, gjykatësi Beqir Kalludra pa pritur asnjë vendim nga Kryetarja e Gjykatës Themelore, me 23 nëntor, një ditë me vonë, ka lëshuar fletë-arrestin për deputetët tanë”, tha Kurteshi, duke thënë se veprimi i Kalludrës përbën vepër penale, me ç’rast kërkoi që të merren masa përgjegjësie penale ndaj tij, si dhe kërkoi lirim të mënjëhershëm të deputetëve Kurti, Haxhiu e Kadaj-Bujupi.

Image
Deklarimi i Beqir Kalludrës për urdhër-arrestin e lëshuar ndaj tre deputetëve

Në lidhje me çështjen e dytë, Kurteshi paraqiti kërkesën zyrtare drejtuar KQZ-së, konkretisht Valdete Dakës, nga Kryetari i VV-së Visar Ymeri, e cila u dorëzua me 23 nëntor 2017, për vijimin e numërimit të votave me kusht, votave me postë dhe votave të personave me nevoja të veçanta në Prishtinë e Prizren. Ai tha se nuk ka asnjë arsye ligjore dhe asnjë vendim të ligjshëm që ndalon numërimin e rregullt të votave të mebtura për këto dy komuna.

“Ne kërkojmë nga zonja Daka dhe KQZ-ja, vazhdimin e numërimit të rregullt për Prizrenin e Prishtinën dhe konsiderojmë se nëse nuk vazhdon numërimi i rregullt i votave, kjo përbën një cenim të integritetit dhe vullnetit të lirë të shprehur të qytetarëve, me anën e votës”, ishte porosia e Kurteshit.

 
Image
Kërkesa e Kryetarit Visar Ymeri drejtuar Kryetares së KQZ-së, znj. Valdete Daka

 

Kurteshi: Vendimi për arrestimin e Kurtit, Haxhiut dhe Kadaj-Bujupit, është i kundërligjshëm

Deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, sot përmes një konference për media ka thënë se gjyqtari Beqir Kalludra ka bërë shkelje ligjore teksa ka lëshuar urdhërarrest për deputetët, Albin Kurtin, Albulena Haxhiun dhe Donika Kadaj-Bujupin.

Kjo pasi Vetëvendosje më 22 nëntor të këtij viti kishte bërë kërkesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës që të përjashtohet trupi gjykues në rastin e deputetëve që akuzohen për gaz lotsjellës.

”Më 22 të këtij muaji, deputetët tanë të akuzuar për gazin lotsjellës kanë bërë një kërkesë për përjashtim të trupit gjykues në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në cështjen e deputetëve tanë dhe ky përjashtim ka të bëjë sidomos me gjyqtarin Beqir Kalludra. Ka dyshime të bazuara për paanshmëri të këtij gjykatësi ndaj deputetëve sepse i njëjti është i angazhuar edhe në cështjen e 4 aktivistëve të dënuar të Vetëvendosjes’’, ka thënë Kurteshi.

Kurteshi thotë se kanë fakte dhe argumente objektive që e dëshmojnë se ky grup gjykues nuk mund të jetë i paanshëm në këtë rast.

‘’Kërkesa është dorëzur më 22, për cka s’kemi  marrë ende asnjë përgjigje. Kalludra më 23 ka lëshuar fletëarrestin për deputetët tanë, edhe pse ka qenë obligim i kryetares së Gjykatës Themelore të Prishtinës  që ta njoftojë vetë gjyqarin. Kalludra nuk ka pasur të drejtë ligjore të marrë asnjë vendim pa marrë një përgjigje’’, ka theksuar deputeti Kurteshi.

Sipas tij, veprimi i tillë përbën vepër penale që duhe të ndiqet me përgjegjësi penale për lëshimin e fletëarrestit.

‘’Ne konsiderojmë se vendimi për arrestimin është në kundërshtim me ligjin, prandaj kërkojmë lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi të deputetëve tanë dhe të ndërmerren masa penale ndaj gjyqtarit Kalludra’’, ka shtuar Kurteshi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat