Thaçi uron 28 Nëntorin: Ishim, jemi dhe do të jemi gjithmonë bashkë

Aktuale

Thaçi uron 28 Nëntorin: Ishim, jemi dhe do të jemi gjithmonë bashkë

Nga: Bota sot Më: 28 nëntor 2017 Në ora: 09:18
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, që po ashtu festojmë ditëlindjen e komandantit Adem Jashari dhe daljen e parë publikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se sot, simotra të pandashme, Kosova dhe Shqipëria qëndrojnë të bashkuara rreth agjendës evropiane, përcjell Bota sot.

“Ishim, jemi dhe do të jemi gjithmonë bashkë”, ka shkruar Thaçi.

Postimi i plotë:

Nëntori i ka dhënë gjithmonë shpirt historisë sonë. Por, krenaria kombëtare, lidhja shekullore dhe vendosmëria e popullit tonë, më së miri përbashkohen rreth Flamurit Kombëtar më 28 Nëntor.

Bashkë me 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ne sot e festojmë edhe ditëlindjen e komandantit tonë të madh, Adem Jashari, si dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj gjithë shqiptarëve anekënd botës, ua uroj festat e krenarisë dhe lavdisë sonë kombëtare.

Ky muaj historik na ka dhënë gjithnjë guxim e forcë për ta shpallur edhe Republikën e Kosovës.

Dhe sot, simotra të pandashme, Kosova e Shqipëria qëndrojnë të bashkuara edhe rreth agjendës evropiane. Ishim, jemi dhe do të jemi gjithmonë bashkë! HTH./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat