Haradinaj jep intervistë në gjuhën serbe

Aktuale

Haradinaj jep intervistë në gjuhën serbe

Më: 28 nëntor 2017 Në ora: 12:44

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për DW ka thënë se deklaratat për ndarje territoriale të politikanëve serbë nuk janë serioze, por opsione të tilla, sipas tij, do të sillnin tragjedi të reja.

Rreth dialogut, Haradinaj ka thënë se platforma për bisedime me Serbinë do të përgatitet nga Qeveria e Kosovës e cila do ta dërgojë për diskutim në Kuvend ku kontributin mund ta japin të gjithë.

“Lojërat me kufij në Ballkan janë të rrezikshme, kushdo që luan me to. Nuk besoj se këto janë tregime serioze dhe nuk do të doja të flas për këto pasi e dimë se çfarë do të ndodhë nëse luajmë me këtë”, ka thënë Haradinaj.

“Do të kishte tragjedi të cilat na kujtohen dhe nuk është e mençur të flasim për këtë. Është shumë e rrezikshme”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkohë duke folur rreth dialogut, Haradinaj ka thënë se platforma për bisedime me Serbinë do të përgatitet nga Qeveria e Kosovës, e cila do ta dërgojë për diskutim në Kuvend ku kontributin mund ta japin të gjithë.

“Dialogu ka kuptim vetëm me njohje”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se pala jonë ka qenë e gatshme për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës – por vetëm si një trup koordinues e jo ekzekutiv.

Haradinaj duke folur për raportet me Listën Srpska ka thënë se në një qeveri me 61 deputetë, secila parti mund ta rrëzojë Qeverinë por nuk pret që të ndodhë diçka e tillë.

Haradinaj ka thënë se ka qëndrime të ndryshëm në skenën politike rreth emrit të ushtrisë së Kosovës, por, sipas tij, tani bëhet fjalë vetëm për emrin – që sipas tij, në të ardhmen mund të jetë Armata e Kosovës.

Duke e komentuar çështjen e fletarresteve ndërkombëtare dhe pengesat që mund t’i shfaqen në udhëtime, Haradinaj ka thënë se ai gjithmonë udhëton lirshëm edhe kur ka pengesa.

Haradinaj nga gazetarët është pyetur edhe rreth gjykimit të tij në Hagë duke thënë se dy herë është liruar, por në mungesë të dëshmitares.

“Lexojeni qëndrimin e prokurorit Bramertz, nuk kam më shumë komente për këtë”, ka thënë ai.

Ndërsa, duke folur rreth Gjykatës Speciale, Haradinaj ka thënë se Kosova do t’i përmbushë obligimet.

“Bëhet fjalë për diskriminim sepse nuk kërkohet drejtësia për të gjitha viktimat, por duke i selektuar në baza nacionale që nuk është rruga më e mirë për drejtësinë”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se shpreson që demarkacioni të zgjidhet dhe Kosova të fitojë liberalizimin e vizave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat