Kuvendi miraton Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për presidentin

Aktuale

Kuvendi miraton Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për presidentin

Më: 29 nëntor 2017 Në ora: 07:30
Seanca e Kuvendit

(E plotësuar) - Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 39 vota për, 13 kundër dhe 15 abstenime kanë miratuar në parim Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Presidentin e Kosovës.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, derisa ka prezantuar projektligjin, tha se me plotësimin e Ligjit për presidentin krijohet një lgjislacion jo diskriminues dhe ia jep mundësinë presidentit që të jap kontributin e tij pas përfundimit të mandatit, duke u mbështetur nga stafi i tij.

Gashi: Ndryshimi i Ligjit konsiston në krijimin e një legjislacioni të barabartë

“Nevoja e ndryshimit të këtij projektligji konsiston në krijimin e një legjislacioni të barabartë, jo diskriminues sa i përket përfitimeve të presidentit dhe ish zyrtarëve të lartë, duke pasur parasysh se presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Kosovës. Me këtë projektligj presidentit do t’i jepet mundësia t’i krijojë kushtet që edhe pas periudhës pesë vjeçare dhe pas mbarimit të mandatit, të mund të jap kontributin e tij, duke u mbështetur nga stafi mbështetës, ashtu siç është paraparë edhe për zyrtarët e tjerë të lartë, i paraparë me Ligjin për përfitimin e ish zyrtarëve të lartë”, tha Gashi.

Mbështetje në parim i kanë dhënë këtij projektligji i kanë dhënë të gjitha subjektet politike, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është shprehur kundër.

Deputeti i kësaj partie, Sami Kurteshi tha se vota e tyre kundër është për arsye se natyra e presidentit ndryshon nga ajo e zyrtarëve të lartë publik, pasi presidenti mund të rizgjidhet në një post tjetër pa mandatit.

Kurteshi; S’e votojmë ndryshimin e ligjit për presidentin

“Natyra e presidentit, e funksionit të presidentit të Kosovës ndryshon nga natyra zyrtarëve të lartë publik nga fakti se natyra e zyrtarëve të lartë publik kemi të bëjmë për funksionar dhe zyrtar që i përkasin sistemit të drejtësisë, që nuk mund të rizgjidhen në postet e ndryshme dhe në funksione të ndryshme. Ne mendojmë se është personalizuar dhe nuk flitet as për forcën retroatkive të këtij ndryshimi, që do të mund ta kishte për presidentet tjerë. Dhe çështja e tretë është se presidenti i Kosovës është i zgjedhuri i një partie politike, ai mund të konkurrojë edhe për pozita tjera dhe të zgjidhet në pozita tjera. Prandaj VV do të votojë kundër këtij ndryshimi”, theksoi Kurteshi.

Ndërsa, nënkryetari i Kuvendit nga PDK-ja, Xhavit Haliti ka thënë se Parlamenti ka gabuar, kur ka miratuar Ligjin që u garanton pension të përjetshëm për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, kryeprokurorin e tjerë. “Shpresojmë që do të diskutojmë se kush është funksionar i lartë i këtij shteti dhe kush nuk është, dhe praktikat duhet të ndiqen në përputhje të paktën me praktikat e vendeve serioze dhe jo të atyre që nuk janë serioze. Besoj që gjatë amendamentimit deputetët do ta thonë fjalën e tyre”.

Haliti: Gabuam që iu dhamë pension të përjetshëm kryeprokurorit e tjerëve

“Unë mendoj që ky Parlament ka gabuar që iu ka siguruar pension të përjetshëm kryeprokurorit, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, e kështu me radhë. Nuk është kjo praktikë askund, ndoshta në Amerikë që kanë pare boll, po në regjion nuk ka dhe mendoj që më mirë është të diskutojmë që të mos merremi me pensionet, por të merremi me punën. Ne kemi kaluar një Ligj për Parlamentin dhe unë nuk e di që deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk janë zyrtarë të lartë, nuk janë çkado, por janë pikërisht deputetët zyrtarët më të lartë të këtij vendi, sepse vendosin për gjithçka, e kemi refuzuar dhe iu kemi mundësuar disa kategorive, të cilët janë nëpunës të këtij vendi, nuk janë të zgjedhur të popullit. Prandaj po them që presidenti, kryeministri, kryetari i Kuvendit, janë diçka krejt tjetër krahasuar me disa kategori që nuk e besoj që diku në botë i kanë këto privilegje që i kanë në Kosovë”, tha Haliti.

Në këtë seancë janë shqyrtuar dhe miratuar edhe disa projektligje tjera, siç është Projektligji për ndërmjetësim, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën jo-kontestimore. Derisa, Projektligji për Shoqëritë Tregtare, Projektligji për standardizim, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, Projektligji për Infrastrukturë kritike dhe Projektligjit për Noterinë, nuk u miratuan për mungesë kuorumi seanca do të vazhdoj nesër në orën 11:00.

Kuvendi miraton në parim Projektligjin për liritë fetare

Kuvendi i Kosovës me 61 vota për, katër kundër dhe 13 abstenime miratoi në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31për Lirinë Fetare në Kosovë. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i cili prezantoi Projektligjin në fjalë, tha se nevoja për këtë Projektligj ka të bëjë me avancimin e kornizës ligjore.

Haradinaj: Nevoja e këtij projektligji konsiston në avancimin e kornizës ligjore

“Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e  ligjit 02/L-31për lirin fetare në Kosovë është miratuar nga qeveria e Kosovës me vendimin numër 0303 të datës 18,09.2017. Nevoja për nxjerrjen e këtij projekt ligji konsiston në avancimin e kornizës ligjore, e cila rregullon statusin juridik të bashkësive fetare, organin kompetent për regjistrimin gjegjësit çregjistrimin e bashkësive fetare në Kosovë, pozitën e tyre juridike dhe fondet dhe donacionet e tyre. Me ligjin në fuqi njihen pesë bashkësi fetare në Kosovë të cilat përbëjnë edhe trashëgiminë historike e kulturore dhe shoqërore të vendit. Këto bashkësi janë :Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha ortodokse serbe, Kisha Katolike, Bashkësia e besimit hebre dhe Kisha Protestante dhe Ungjillore e Kosovës. Në projekt ligj është shtuar edhe Bashkësia e tarikateve të Kosovës si bashkësi që përbënë trashëgiminë historike, kulturore dhe shoqërore të vendit”, tha ai.

Haradinaj tha se ky projektligj është hartuar duke u bazuar në konventat ndërkombëtare si dhe opinionin e Komisionit të Venedikut. Ai tha se ky Projektligj duhet të miratohet, pasi është ndër parakushtet për pranimin e Kosovës në UNESCO.

Por deputeti i VV-së Glauk Konjufca kërkoi nga kryeministri të dijë, se a kanë konsultuar paraprakisht bashkësitë fetare, me qëllim të  mos ketë reagime më vonë. 

Konjufca:  Nuk e di se sa është menaxhuar mirë procedura e konsultimit

“Nuk e di sa është menaxhuar mirë procedura e konsultimit të bashkësive fetare. Për shembull nuk është mirë që Kosova të miratoj një ligj kaq të rëndësishëm dhe më pastaj të kemi reagimin e bashkësive fetare dhe të shprehen ato pakënaqësi,  pasi ne ta miratojmë këtë ligj në këtë seancë, pra nëse ne tash me këtë ligj mënyrën se si po e votojmë, atëherë nxisim një debat edhe më të madh fetar në Kosovë. Unë mendoj që kjo nuk do t’i kontribuonte një ambienti që ka qenë dhe një tolerance ndër fetare në Kosovë, që ka qenë një far lloji tipari shumë i vlefshëm karakterizues i jetës fetare në Kosovë dhe jetës tonë në përgjithësi shoqërore që ka qenë diçka që gjithmonë jemi mburrur por edhe jemi lavdëruar prej të tjerëve. Nëse kjo preket me pakujdesi në trajtim atëherë unë mendoj që i kemi bërë dëme Republikës së Kosovës, kështu që nuk e di sa janë konsultuar deri në fund bashkësitë fetare”, tha ai.

E Haradinaj tha se është konsultuar me bashkësitë fetare, të cilat kanë rënë dakord.

Haradinaj: Bashkësitë fetare janë dakord

“Konsultimet me bashkësitë fetare. Unë e kam pas nderin me ftu në fillim Bashkësinë Islame, myftiun Tërnava dhe disa koleg i kemi biseduar plotë aspekte të ligjit, kuptohet ata kanë pasur një mendim se situata nuk është krejt e barabartë. Për shembull një bashkësi është më e madhe ka situatë tjetër, tjetra kështu por megjithatë kemi mbërri një dakordim, pra që është më mirë të kemi ligjin kështu si e kemi se sa të mos kemi fare. Kam biseduar edhe me tarikatet edhe ato janë dakord në këtë perspektiv që është paraparë në ligj. Kam pas rast me fol me Ipeshkvin e Kosovës jo me Ipeshkvin, sepse ishte jashtë vendit do ditë por me zyrtarë të tjerë të Ipeshkvijsh dhe me Kishën ortodokse serbe në Kosovë që janë dakord të gjithë me këtë ligj”, tha ai.

E deputeti Milaim Zeka si shqetësim ka ngritur lidhur me mos përfshirjen e kishës ortodokse

Zeka: Me ligj kisha ortodokse serbe duhet të theksohet si kisha ortodokse e Kosovës

“Si deputet kam vetëm një shqetësim. Për mendimin tim personal në  ligj do të duhej të theksohej  Kisha Ortodokse e Kosovës, e jo Kisha Ortodokse serbe. Pasi që dihet në bazë të krejt historiografisë ata që kanë lexuar pak a shumë që ndërtues arkitekt të këtyre kishave jemi pikërisht ne shqiptarët. E në qoftë se ne e definojmë me ligj si Kisha Ortodokse serbe, atëherë në mënyrë automatike i përjashtojmë, i fyejmë dhe i diskriminojmë pjesëtarët e kombit shqiptar që kanë fe ortodokse”, tha ai.

E edhe deputeti Nait Hasani, kërkoi që në Kosovë të jetë dhe kisha ortodokse shqiptare.

Hasani: Duhet ta kemi dhe kishën ortodokse shqiptare

“Po mungon kisha ortodokse shqiptare. Cila është arsyeja që mos ta kemi kishën ortodokse shqiptare. Nëse nuk e kemi kishën ortodokse shqiptare, ortodokset shqiptar që janë në Kosovë, ku do të jenë ata. Kujt do t’i nënshtrohen apo do të krijojnë ata vet një bashkësi tjetër. Andaj unë kërkoj që të shtohet dhe kisha ortodokse shqiptare, si bashkësi në vete në Kosovë“, tha ai.

E debat rreth këtij projektligji nxiti dhe çështja e numrit të anëtarëve për regjistrimin e bashkësive fetare, që parashihen të jetë 50 –të nënshkrime.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Kujtim Shala, tha se shteti nuk duhet që t’i financojë bashkësitë religjioze

Shala: Shteti nuk duhet t’i financojë bashkësitë religjioze

“Shteti s’duhet t’i financojë bashkësitë religjioze. E para, por kryesorja, sepse nuk dëshiroj ta zgjas është neni, i cili i përcakton bashkësitë fetare dhe që mua më duket që është kundër logjikës juridike të këtij teksti dhe kundër logjikës juridike të tekstit bazë, sepse ai si ka kështu dhe më shumë duken si qëndrime politike. Unë propozoj që ky nen, i cili saktësisht është neni 4A, do të thotë bashkësitë fetare në Kosovë të mos jap nominalisht bashkësitë fetare, mendoj që ky nen është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me parimin e lirisë së asocimit. Nuk mund ne të përcaktojmë cilat janë bashkësitë fetare dhe as të vëmë emrat, bashkësitë të cilat ekzistojnë dhe funksionojnë duhet të rregullohen, të regjistrohen në procedurën, në të cilën do të regjistrohen edhe në procedurën në të cilën do të regjistrohen edhe bashkësitë e reja të mundshme. Po ashtu edhe çështja e numrit. Unë mendoj që numri prej 50 është shumë i vogël sidomos, për rrethanat tona për kontekstin tonë por nuk pajtohem që të hiqet, duhet të saktësohet duhet të vendoset me ligj dhe duhet të mendohet mirë“, tha ai.

Dardan Molliqaj nga Vetëvendosje, tha se një prej mënyrave të rregullimit të çështjes së problemeve të mundshme që dalin nga çështjet fetare,  është që  të kontrollohen financat e të gjitha bashkësive fetare, duke u rregulluar përmes financimit shtetëror. Por të njëjtën kohë me qenë subjekt, të cilat i raportojnë institucioneve qysh janë dhe institucionet tjera.

Molliqaj: Kjo mënyrë është problem

“Mënyra qysh po prezantohet nga kryeministri, është problem për faktin se tani kryeministri ka vendos një praktikë për mendimin tim ad-hoc dhe në mënyrë arbitrare të ndarjes së fondeve, nga buxheti i republikës së Kosovës. Dhe heqja e këtij paragrafi, VV e kthen në pozicionin që nuk do ta votoj këtë ligj, për shkak se ia mundëson këtij kryeministri, por dhe kryeministrave të ardhshëm që me shpërnda në bashkësitë e ndryshme fetare për ndihma të ndryshme, që mund të keqpërdoren në të gjitha drejtimet”, tha ai.

Ndërkaq deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku  foli lidhur me financat s ai përket këtij projektligji.

Abdixhiku: LDK e përkrah ligjin në fjalë, por jo sa i përket çështjes së buxhetit

“LDK jemi në përkrahje të ligjit në fjalë. Por nuk jemi në përkrahje të propozimit nga kryeministri, që të hiqet paragrafi 3 i nenit 12, ku thotë që qeveria nuk financon asnjërën prej bashkësive fetare. Pra konsiderojmë që një ndryshim i tillë eventual, e bënë fillimisht të pavlefshme deklaratën financiare të këtij projektligji. Por gjithashtu e hap një derë të pa kontrollueshme nëpërmjet këtij ligji. Pra ne në qoftë se hapim derën e shpërndarjes  parave buxhetore nëpërmjet këtij ligji, por pa kontrolluar dhe shpenzimet e subjekteve që e rregullojmë, kemi bërë zgjidhje gjysmake”, tha ai.

Kuvendi miratoi në parim projektligjin për Prishtinën

Me 67 vota për, një kundër dhe tetë abstenime, Kuvendi i Kosovës ka aprovuar në parim Projektligjin për kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Prishtinën.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi,  i cili në emër të Qeverisë  paraqiti këtë projektligj, tha se Prishtina për herë të parë po trajtohet me ligj të veçantë, i cili do të jetë në funksion të zhvillimit të gjithmbarshëm të kryeqytetit.  

Gashi: Prishtina për herë të parë po trajtohet me ligj të veçantë

“Prishtina si kryeqytet  për herë të parë do të trajtohet me ligj të veçantë, i cili do të jetë në funksion të zhvillimit të gjithanshëm të kryeqytetit të Republikës së Kosovës Prishtinës, andaj duke pasur parasysh rëndësinë e këtij ligji të nderuar deputet ju ftoj ta votoni në parim këtë ligj”, tha ai.

E kryetari i komisionit funksional Nait Hasani tha se ky projektligj nuk i plotëson kërkesat e një kryeqyteti.

Hasani: Projektligji nuk i plotëson kërkesat e një kryeqyteti

“Ky Projektligj  në përgjithësi nuk i plotëson ato kërkesat  për një kryeqytet të Republikës së Kosovës. Por ky projektligj i ka disa të meta që s’kanë mundur t’i përmirësojnë.  Trajtimin e tij nuk është bërë ashtu si duhet plotësimi. Një nga gabimet që është bërë që ky projektligj s’është marrë si model nga ligjet e kryeqyteteve të ndryshme të Evropës dhe rajonit. Por është marrë bashkim modelesh të kryeqyteteve, të cilët e bëjnë jo funksional”, tha ai.

Ndërkaq deputetja e VV-së Shqipe Pantina falënderoi Qeverinë që më në fund e solli në Kuvend ligjin për kryeqytetin, një nga ligjet me të diskutuara dhe debatuara në publik.

Pantina: Të shihet interesi i qytetarëve, e jo kush e qeveris Prishtinën

“Dua të besoj që edhe diskutimi për përmbajtjen e projektligjit sot,  do ta ketë parasysh interesin e qytetarëve të Prishtinës dhe jo kush e qeveris atë. Ndonëse unë i uroj kryetarit të rizgjedhur të Prishtinës, punë të mbarë. Ky projektligj në përgjithësi  është i mirë dhe janë katër risi apo katër çështje që rregullon dhe janë të reja, e të cilat nuk i ka gëzuar kryeqyteti deri më tani. E para është ndarja e një grandi shtesë për 4 për qind nga grandi total për komuna. Ndonëse, mendoj se shuma duhet të diskutohet dhe për mendimin tim nuk është e mjaftueshme, megjithatë është më se e nevojshme dhe e drejtë që kryeqyteti të ketë një grand shtesë për të mundur të ofroj me cilësi shërbimet e nevojshme”, tha Pantina.

Ndërkaq deputeti nga radhët e AAK-së  Rasim Selmanaj tha se ky nuk është projektligj politik, por për të mirën e qytetarëve të Prishtinës.

Selmanaj: Nuk është projektligj politik

“Ky Projektligj dhe pse i vonuar por i domosdoshëm është i mirëpritur nga të gjithë, në veçanti nga qytetarët e Prishtinës.  Asnjë parti politike e aq më pak Parlamenti i Republikës së Kosovës, duhet ta sheh këtë projektligj në prizmin se kush do ta udhëheqë  sot Prishtinën, apo në të ardhmen.  Ky projektligj, nuk është një projektligj politik, por është në të mirë të Prishtinës”, tha ai.

Ndërsa deputeti I LDK-së Lumir Abdixhiku tha se në thelb të zgjidhjes së problemeve të kryeqytetit është financimi.  Ndërsa shtoi se granti prej 7 milionë euro, është i pamjaftueshëm.

Abdixhiku: Financimi në thelb të zgjidhjes së problemeve

“Në thelb të zgjidhjes së problemeve të kryeqytetit, është financimi. Dhe them të drejtën ligji sa do që bënë një përparim të lehtë nëpërmjet rritjes së grantit ose ndarjes së grantit të veçantë prej 4 për qind, prag minimal natyrisht është i pamjaftueshëm,  sepse grati i përgjithshëm i komunave sot në buxhetin e Republikës është diku rreth 179 milionë euro në vit dhe i bie që 4 për qind e 179 milionë eurove në vit.  Është jo më shumë sesa 7 milionë euro në vit, që po i shtohet Prishtinës. Pra, po i japim kompetenca, po i japim obligime të reja. Por me të gjitha problemet që po i theksojmë në Prishtinë me zgjidhje prej 7 milionë shtesë në buxhet, dorën në zemër është jo signifikante dhe e pa rëndësishme sado ku do që është pozitiv”, tha ai.

E deputeti i Nismës, Milaim Zeka tha se është turp që kryeqyteti nuk e ka ligjin deri tani.     

Zeka: Është turp që deri tani se kemi ligjin për Prishtinën

“Këto debatet shpesh herë po bëhen hala po mendojmë që jemi në fushatë, është më së pari turp që nuk ekziston deri më sot ligji për kryeqytetin, për Prishtinën këtë është më mirë me e diskutuar pse nuk kemi pasur ligj deri më tani. Në emrin e grupit parlamentar të Nismës e mbështesim fuqishëm këtë ligj. Ma mirë të kemi një ligj të keq për kryeqytetin sesa të mos të kemi ligj fare. Dhe ky ligj nuk është bërë deri më tani, vetëm për shkak të inateve dhe ‘ndërkamcave’ politike”, tha ai.

Por pas fjalimit të Zekës, reagoi kryesuesi i seancës Xhavit Haliti, i cili  tha atij se tashmë portalet do të shkruajnë menjëherë për të.

Haliti: Portalet kanë për të shkruar menjëherë çka the

“Faleminderit Milaim. Shpresoj portalet kanë me shkruar menjëherë çka the”, tha ai.

Miratohet në parim projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim Projektligjin për kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Prishtinën.

Pro këtij Projektligji kanë votuar 67 deputetë, një kundër, dhe tetë prej tyre kanë abstenuar.

Para hedhjes në votim të projektligjit për Prishtinën, në Kuvendin e Kosovës është zhvilluar një debat i deputetëve nga pozita dhe opozita.

***

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë.

Pro këtij projektligji ishin 61 deputetë, kundër ishin 4 deputetë dhe 13 deputetë abstenuan.

Sipas rregullave, 17 pjesëtarë të komuniteteve kanë qenë pjesë në këtë ligj për votim dhe 15 prej tyre kanë votuar për.

Image

Deputeti i PDK-së, Fatmir Xhelili, ka dhënë vërejtjet e tij rreth projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për liri fetare, duke thënë se ka mangësi që të trajtohen seriozisht, për të mos krijuar situata të paqarta.

“Kjo ka të bëjë me regjistrimin e bashkësive fetare si entitet juridik, si dhe për kriteret për mënyrat e shuarjes së bashkësisë fetare”, ka thënë ai.

Xhelili ka shtruar edhe pyetjen se kush do ta bëjë auditimin e bashkësive fetare.

Zeka: Në ligjin për liri fetare të mos përmendet Kisha ortodokse serbe

Deputeti i Nisma për Kosovën, Milaim Zeka, ka shprehur shqetësimin e tij që në ligjin për liri fetare duhet të përmendet Kisha ortodokse e Kosovës dhe jo Kisha ortodokse serbe dhe jo, pasi sipas historiografisë, ndërtues të kishave ortodokse janë shqiptarët.

“Nëse e definojmë me ligj si kisha ortodokse serbe, atëherë ne në mënyrë automatike i përjashtojmë, fyejmë dhe diskriminojmë pjesëtarët e kombit shqiptar me fe ortodokse”, ka thënë Zeka.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Fatmir Xhelili, ka dhënë vërejtjet e tij rreth projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për liri fetare, duke thënë se ka mangësi që të trajtohen seriozisht, për të mos krijuar situata të paqarta.

“Kjo ka të bëjë me regjistrimin e bashkësive fetare si entitet juridik, si dhe për kriteret për mënyrat e shuarjes së bashkësisë fetare”, ka thënë ai.

Xhelili ka shtruar edhe pyetjen se kush do ta bëjë auditimin e bashkësive fetare.

Haxhiu: Ligjet të jenë sa më të zbatueshme

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka paralajmëruar se GP i kësaj partie do ta mbështesë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31për Lirinë Fetare në Kosovë, duke ditur se kjo është në interes të vendit.

“GP i AAK-së do ta votojë në parim dhe do të shohim se ku do të bëjmë ndryshimet e nevojshme”, tha ajo.

Haxhiu tha se ligjet janë në interes të qytetarëve dhe duhet të jenë sa më të zbatueshme.

Ndërsa në emër të Nisma, Billa Sherifi i ka dhënë mbështetje këtij projektligji, duke ftuar deputetë e tjerë të japin kontributin e tyre.

GP i LDK-së e mbështet ligjin për liri fetare

Deputetja Lirie Kajtazi nga LDK-ja, duke folur rreth projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për liri fetare, deklaroi se Kosova do të respektojë bashkësitë dhe komunitete fetare, dhe të sigurojë që të gjitha grupet e regjistruara të jenë të barabarta para ligjit dhe shtetit.

Ajo tha se projektligji në fjalë do të qartësojë që kompletojnë këtë ligj, si kriteret për regjistrim, qartësimi i nenit 4.3 që rregullon se si bashkësitë kanë të drejtë të themelojnë institucioneve të ndryshme  edukative-arsimore.

Kajtazi tha se për shkak të ndjeshmërisë ligji duhet të përcaktojë qartë mënyrën e aktiviteteve këtyre institucioneve edukative-arsimore.

Ajo theksoi se personi që  aplikon për bashkësi fetare duhet të jetë shtetas i Kosovës.

“Të gjitha bashkësive fetare duhet t’iu ofrohet e drejta për mbrojtje me Kushtetutë, por pa privilegjuar asnjëri prej tyre”, tha deputetja Kajtazi, duke shtuar se GP i LDK-së e mbështet ligjin për liri fetare.

Konjufca Haradinajt: Të kemi kujdes në Ligjin për Liritë Fetare, a i keni konsultuar bashkësitë?

Deputeti Glauk Konjufca ka paraqitur disa pyetje ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj lidhur me Projekligjin për ndryshimin e Ligjit të Lirive Fetare.

Ai ka thënë se nuk ka asnjë dallim që është bërë në projektligj mes bashkësivë fetare.

“Nëse një shtet prekë organizimin e jetës fetare, prekë drejtpërdrejtë lirinë e shprehjes, lirinë fetare. Është mirë që në Kosovë po vjen një ligh që po ua njeh statusin juridik entiteteve fetare, por një problem që na shfaqet në fillim të ligjit është që nuk ekziston kurfarë dallimi ligjor, të paktën unë nuk kam mujtë me vërejtë, nuk ekziston kurfarë dallimi mes këtyre gjashtë bashkësive fetare, që ju i keni vendosë me karakter historik.  Nuk ka kurfarë dallimi mes këtyre bashkësive fetare tradicionale dhe këtyre të rejave tash që po doni të krijoni. Pra unë po pyes cili është dallimi mes tyre. Kosova duhet të ketë shumë kujdes se cila do të jetë kuota të arsyeshme për t’u krijuar një bashkësi fetare”, ka thënë Konjufca.

Por, Konjufca ka thënë se duhet të konsultohen edhe bashkësitë fetare nëse bëhen ndryshime në këtë Ligj.

“Nëse me këtë ligj nxisim edhe një debat ma të madh fetar në Kosovë, mendoj se kjo nuk do t’i kontribonte asaj që ka qenë shumë evidente dhe jemi mburrur me të, që është tolerance fetare.Nëse kjo preket, duhet të jemi të kujdesshëm. Nuk e di sa jemi konsultuar mirë me Bashkësitë fetare. Në debatet që kam parë, kam parë debate të zjarrta që ato nuk janë konsultuar fare për ndryshimet në ligj”, ka thënë Konjufca.

Haradinaj prezanton Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Lirinë Fetare

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në seancën e sotme të Kuvendit, ka prezantuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31për Lirinë Fetare në Kosovë, duke thënë se nevojitet avancimi i kornizës ligjore që rregullon statusin juridik të bashkësive fetare, pozitën e tyre juridike dhe fondet e tyre.

Me ligjin në fuqi njihen pesë bashkësi fetare në Kosovë, BIK, Kisha ortodokse Serbe, Kisha katolike, Bashkësia e besimit hebre dhe Kisha protestante. Në projektligj është shtuar edhe bashkësia e tarikateve të Kosovës.

“Projektligji bazohet në konventat ndërkombëtare”, ka thënë Haradinaj duke ftuar deputetët të mbështesin këtë projektligj.

Deliu kërkon që Kuvendi të marrë masa për dhunën ndaj grave

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra, ka përmendur rastin e fundit të dhunës  ndaj bashkëshortes, përkatësisht rasti i gruas nga Peja që vdiq si pasojë e dhunës nga bashkëshorti i saj.

Ajo ka përmendur edhe rastet e mëhershme, duke thënë se institucionet duhet të bëjnë më shumë për të parandaluar dhunën ndaj gruas.

“Dy ditë për shënimit të Ditës Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas, sevdije berisha u vra mizorisht nga bashkëshorti i saj. Këto raste dëshmojnë përshkallëzimin e dhunës ndaj gruas në Kuvend. Institucionet nuk kanë arritur të reagojnë mjaftueshëm. Këto raste na shtyjnë të reagojmë dhe të ndërmarrim hapat e duhur. Bëjmë thirrje që organet e drejtësisë të ndëshkojnë kryesit e kësaj vepre me dënimin e merituar”, ka thënë Deliu Kodra.

***

Kuvendi i Kosovës sot do të vazhdojë punimet e seancës plenare e cila u ndërpre javën e kaluar.

Seanca u ndërpre të premten pas arrestimit të tre deputetëve të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Donika Kadaj Bujupi dhe Albulena Haxhiu.

Kjo seancë sipas paralajmërimit të Kuvendit, do të nis nga ora 10.

Rendi i ditës:

3. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31për Lirinë Fetare në Kosovë,

5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për kryeqytetin e Republikës së Kosovës/Prishtinën,

6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme,

7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/26 për Trashëgiminë në Kosovë,

8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës,

9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-007 për procedurën jo-kontestimore,

10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Ndërmjetësim,

11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Shoqëritë Tregtare,

12. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Standardizim,

13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-072 për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr. 04/L-214,

14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për infrastrukturën kritike,

15. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Noterinë,

16. Rekomandimi i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media për shkarkimin e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,

17. Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2016,

18. Shqyrtimi i Raportit Vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016,

19. Shqyrtimi i Raportit Vjetor për funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike në sektorin publik të Kosovës për vitin 2016,

20. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb,

21. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit për Ankesa,

22. Zgjedhja e një (1) anëtari të Komisionit të Pavarur të Mediave,

23. Zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat