Haradinaj: Jo projektit që e vendos Kosovën në hartën e gabuar

Aktuale

Haradinaj: Jo projektit që e vendos Kosovën në hartën e gabuar

Më: 29 nëntor 2017 Në ora: 14:14
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Mungesa e mundësive dhe standardi i dobët arsimor ka mundësuar që kosovarët të jenë më të prekshëm ndaj propagandës nga grupet ekstremiste.

Ky është konkluzioni i raportit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), ku në këtë raport janë kryer tetë intervista me luftëtarë të rikthyer, dy me familjet e tyre, si dhe dy me ato që mbështetën grupet ekstremiste në vend.

Në këtë raport u bë e ditur se largimi i kosovarëve drejt Sirisë ka filluar në vitin 2012 dhe ka vazhduar deri në vitin 2015, ku janë 253 meshkuj, 55 femra dhe 27 fëmijë.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se ideja se islami është i rrezikuar në Kosovë është false dhe ide e shpikur dhe e eksportuar prej atyre që dëshirojnë të zbatojnë agjendën e tyre, e që sipas tij është agjendë që ka për qëllim rrezikimin e të tjerëve, të qytetarëve e deri te fëmijët.

Haradinaj: Kosova duhet t’i thotë jo një projekti të tillë

“Përhapja e ideologjisë fetare, përhapja e ideologjisë islame nuk është bërë në shërbim të fesë, nuk është bërë për fenë, nuk ka për qëllim fenë, por është agjendë e ta quaj edhe një herë e rrezikshme. Rrezikon Kosovën, rrezikon njerëzit e Kosovës edhe Kosova me të drejtë duhet me ditë me i thënë jo një projekti të tillë i cili e vendos Kosovën në hartën e gabuar. Këtë e vërteton numri i të rinjve tonë që kanë mbërritur deri në luftërat po i quaj ashtu absurde, luftëra që e rrezikojnë jetën e të gjithëve edhe në projekte që janë rrezik për vendin tonë”, tha Haradinaj.

Kreu i Qeverisë tha se këtë ‘JO’ duhet t’ia thonë të gjitha familjet, institucionet e arsimit, institucionet e vendit, besimtarët dhe se këtë ‘JO’ ai tha se do ta thonë edhe organet e rendit dhe ligjit.

Haradinaj tha se Kosova është atdhe i të gjithëve dhe  se janë të gatshëm t’i riatdhesojnë ata që kthehen në Kosovë.

Ndërsa, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, tha se qeveria e tyre anembanë botës po punon për ta luftuar rritjen e lëvizjeve ekstremiste të dhunshme duke u përqendruar në sigurinë, kohezionin dhe përgjegjësitë e përbashkëta,

Delawie: Ky raport disa informata thelbësore dhe vështrime kyçe

“Për ta luftuar këtë problem global është thelbësore që të gjithë të punojmë bashkërisht në përpjekjet e përbashkërenditura. Jam më të vërtetë i kënaqur me punën e të gjithëve të përfshirë në këtë raport, i cili ka nxjerr analizë, rekomandime të hollësishme për nxitësit që ndikojnë në luftëtarët në konflikte të huaja nga Kosova. Sepse ofron ky raport disa informata thelbësore dhe vështrime kyçe të diskursit publik për faktorët nxitës që shtyjnë individët për të ju bashkuar konflikteve të huaja dhe për tu përfshirë në aktivitete. Por, në veçanti ky është studimi i parë i drejtpërdrejtë për luftëtarët terrorist në konflikte të huaja në Kosovë dhe ofron një bazë të rëndësishme të të dhënave për kauzat fundamentale që i motivojnë këta individ për të ju bashkuar rrjeteve radikale”, tha ai.

Raporti përfshin intervista me të dënuar nga gjykatat e Kosovës për pjesëmarrje në luftërat e huaja dhe me familjarë të tyre.

Ndërkaq, Alessandra Roccasalvo nga UNDP tha se intervistimi i tyre ka qenë një proces i komplikuar. Ajo paralajmëroi se Kosova do të përballet me sfida në momentin kur luftëtarët kosovarë do të fillojnë të kthehen nga frontet e luftës.

Roccasalvo: Duhet të pyesim vetën se si t’i ri integrojmë këta njerëz

“Në Kosovë ballafaqohemi me të njëjtat probleme sikurse çdokush tjetër në Evropë, pra kthimi i luftëtarëve të huaj është fakt janë njerëzit që po kthehen në vendet e tyre dhe kjo ndodh për shkak se shteti islamik i ka vështirësitë e veta. Mirëpo, të gjitha shoqëritë duhet ta pyesin vetën se si duhet t’i ri integrojnë këta njerëz, të cilët kanë bërë diçka që shumica e shoqërive janë kundër”, tha ajo.

Qëllim i këtij raporti ka qenë të kuptohen me mirë faktorët tërheqës dhe shtytës që i bëjnë kosovarët t’iu bashkohen grupeve të huaja terroriste dhe të mbështeten institucionet vendore dhe ndërkombëtare në zhvillimin e politikave dhe programeve më të mira për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, si dhe rehabilitimin dhe riintegrimin e luftëtarëve të huaj të kthyer.

Mungesa e mundësive, ndër faktorët që shtyjnë shtetasit e Kosovës në luftërat e huaja

Zyra e Kryeministrit dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) kanë lansuar sot raportin "Të Kuptuarit e Faktorëve Shtytës dhe Tërhjekës: Intervistat me luftëtarët e huaj të kthyer dhe familjet e tyre.

Me këtë rast, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Ideja se islami është i rrezikuar në Kosovë është false, është ide e ardhur prej atyre që e kanë definuar islamin për të kryer agjendat e tyre.

“Mendoj se në Kosovë të gjithë e kemi të qartë që nuk është bërë luftë me e mbrojtë islamin, pasi që islami në Kosovë është tradicional në Kosovë, ka bashkëjetuar me fetë tjera. Përhapja e ideologjisë islame nuk është bërë në shërbim të fesë por është agjendë e rrezikshme, e rrezikon Kosovën dhe Kosova me të drejtë duhet të dijë ti thotë jo.

Kryeministri tha se këtë ‘jo’ duhet të thonë të gjithë, përfshirë  edhe institucionet edhe organet e ligjit.

“Mendoj se jo të gjithë kanë qenë në nivel të detyrës në të kaluarën. Sot vetëdija në Kosovë është e madhe, por është e rrezikshme një gjuhë propagandistike e disa të ashtuquajtur imamë që rrezikojnë me i bë pjesë të luftërave terroriste të rinjtë.

Ndërsa, ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie, tha se është i kënaqur me punën e të gjithëve që janë përfshirë në këtë raport. Ky raport sipas tij, ofron disa të dhëna kryesore që i shtyjnë individët të marrin pjesë në luftëra të huaja.

“Ky hulumtim tregon që duhet të vazhdojmë të bëjmë punën. Duhet te vazhdojmë të investojmë në te rinjtë që të mos ju bashkohen këtyre luftërave.

Alain Lapon, menaxher i projektit, bëri të ditur se janë 253 meshkuj, 55 femra dhe 27 fëmijë, që ju kanë bashkuar luftërave të huaja. Ai tregoi edhe faktorët kryesorë të shtytjes dhe tërhjekjes, që përfshijnë sfidat socio ekonomike.

 "Faktorët nxitës, pikë së pari është mungesa e mundësive që i ka shtyrë të dalin prej Kosovës, mungesa e shkollimit dhe problemi i identitetit", tha ai.

Ai tregoj edhe procesin se si kosovarët kanë shkuar në Siri.

 "Procesi i rekrutimit ka qenë i njëjtë për të gjithë. Udhëtonin në Stamboll, pastaj vazhdonin deri në kufirin me Sirinë dhe pastaj ndërlidhshin me grupin e shqiptarëve që kanë qenë atje dhe pastaj janë trajnuar", tha ai.

Faktorët shtytës që i nxisin qytetarët t’i bashkohen grupeve terroriste (Drejtpërdrejt)

Zyra e Kryeministrit (ZKM) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) po lansojnë raportin "Të Kuptuarit e Faktorëve Shtytës dhe Tërhjekës: Intervistat me luftëtarët e huaj të kthyer dhe familjet e tyre në hotel Swiss Diamond me fillim në ora 14:00.

UNDP porositi këtë raport të pavarur me qëllim që të kuptohen më mirë faktorët shtytës dhe tërhjekës që i nxisin qytetarët t’i bashkohen grupeve terroriste të huaja dhe të mbështesin institucionet vendore dhe ndërkombëtare në zhvillimin e politikave dhe programeve më të mira që kanë për qëllim parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, si dhe rehabilitimin dhe riintegrimin e luftëtarëve të huaj të kthyer.

Të pranishmëve në ngjarje do t’ju drejtohen Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës, Greg Delawie, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, dhe Zëvendës Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Alessandra Roccasalvo. Do të pasojë prezantimi i raportit dhe seanca e pyetjeve dhe përgjigjeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat