Miratohet raporti për BQK-në, Vetëvendosje akuzon ministrin Hamza se ka shkelur ligjin

Aktuale

Miratohet raporti për BQK-në, Vetëvendosje akuzon ministrin Hamza se ka shkelur ligjin

Më: 30 nëntor 2017 Në ora: 07:32
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Kuvendi i Kosovës ka shkarkuar anëtaren e bordit të RTK-së Mimoza Hasani-Pllana.

Për shkarkimin e Hasani-Pllana kanë votuar 56 deputetë, 2 prej tyre kanë votuar kundër, ndërsa 16 të tjerë kanë abstenuar.

Hasani-Pllana kishte mbajtur funksionin e nëpunëses civile në Ministrinë e Arsimit si dhe ishte anëtare e bordit të RTK-së, për dy vite rresht, edhe pse ligji nuk e lejon një gjë të tillë.

Miratohen Projektligji për Shoqëritë Tregtare dhe ai për Standardizim

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme ka miratuar edhe Projektligjin për Shoqëritë Tregtare.

Pro këtij projektligji votuan 89 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.  

Gjithashtu menjëherë në votim është hedhur edhe Projektligji për Standardizim i cili mori miratimin e 91 deputetëve. 

Kundër këtij projektligji nuk kishte asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Miratohet raporti i BQK-së

Kuvendi i Kosovës ka miratuar raportin e Bankës Qendrore për vitin 2016. Për kanë votuar 67 deputetë, 10 kundër dhe një abstenim.

Para votimit deputetët kanë diskutuar duke dhënë vlerësimet e tyre në lidhje me raportin. Me këtë rast deputeti i LDK-së Lumir Abdixhiku që është njëherësh edhe kryetar i Komisionit pë Buxhet dhe Financa,tga se  në  bazë të të dhënave të paraqitura në raport shihet se në vitin 2016 ekonomia e Kosovës u karakterizua me rritje të aktivitetit ekonomik kundrejt vitit paraprak.

 Sipas vlerësimeve të BQK-së norma reale e rritjes së bruto-produktit vendor ishte 3.4 për iqnd në vitin 2016.

Abdixhiku: Në vitin 2016 pati rënie të investimeve të huaja

“Rritja ekonomike në vitin 2016 u mbështet nga rritja e kërkesës së brendshme, përderisa neto eksporti ndikuan negativisht në normën e rritjes ekonomike. Rënia e vlerës së eksportit dhe rritja e vlerës së importit rezu,toi me zvogëlimin e shkallës së mbulueshmërisë së importeve me eksportin në 11.1 për qind. Vlera e remitencave në vitin 2016 ka arritur në 691 milionë euro, ka rritje vjetore prej 3.8 për qind. Kategoria e investimeve të huaja në vitin 2016 ishte 219 milionë euro që paraqet nivel me të ulët krahasuar me vitin paraprak që kishte 308.8 milionë euro”, tha Abdixhiku.

Deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj,tha se s ipas vlerësimeve të BQK-së, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 4.1 për qind si shkak i rritjes së konsumit prej 3 përqind dhe rritjes së investimeve për 9.1 për qind.

Sipas raportit aktivitetet kredi dhënëse të sektorit bankar kanë pasur ndikim në financimin e rritjes së aktivitetit të sektorit privat. Rritja ekonomike gjatë vitit 2016 ishte edhe si rezultat i rritjes së vlerës së shtuar të aktivitetit në sektorin e bujqësisë, tregtisë dhe aktiviteteve financiare.

Hadërgjonaj: Duhet angazhim më i madh për kartonin e gjelbër

“Në Kuvendin e Kosovës kemi miratuar ligjin për sigurimin e detyrueshëm të përgjegjësisë në vitin 2011 me procedurë të shpejtuar për të krijuar kushtet që të vijmë deri të kartoni i gjelbër. Ende nuk u krijuan mundësitë që të sigurohet kartoni i gjelbër dhe kompanitë e sigurimeve vazhdojnë të rrisin përfitimet e tyre derisa diaspora jonë vazhdon të dëmtohet edhe me tutje. Është mëse e domosdoshme që të rritet angazhimi që të gjendet zgjidhja për këto dy çështje të ndjeshme për qytetarët e Kosovës”, u shpreh Hadërgjonaj.

Deputeti Dardan Sejdiu nga Vetëvendosje, tha se i japin mbështetje këtij raporti, pasi në mënyrë të saktë paraqet sektorin që BQK rregullon.

Sejdiu: Raporti i BQK-së paraqet saktë sektorin që rregullon

“Raporti i BQK-së paraqet në mënyrë të saktë sektorin që e rregullon, porse shpërfaq edhe nevojën për një qasje më aktive sa i përket orientimit dhe kredi dhënies që japin bankat. Raporti paraqet në mënyrë të saktë dhe të mirë sektorët të cilët i rregullon kjo bankë. Ne si grup do ta përkrahim këtë raport”, theksoi Sejdiu.

Ministri i Financave Bedri Hamza sqaroi se për të qenë anëtare e kartonit të gjelbër duhet që Kosova të jetë anëtare e OKB-së, kusht ky që Kosova ende se ka plotësuar.

 Hamza; Me qenë anëtare e kartonit të gjelbër duhet të jemi anëtarë të OKB-së

“Për kartonin e gjelbër nuk kam qëllim që tash si ministër të dal në rolin që nuk më  takon por për kartonin e gjelbër është përgjegjës Byroja e Sigurimeve. Për t’u anëtarësuar në kartonin e gjelbër dhe me qenë anëtare e di që Zvicra nuk ka qenë anëtare e OKB-së dhe është anëtarësuar por ajo është një shtet tjetër, një rast tjetër që dallon nga shtetet tjera. Kosova këtë kusht legal nuk e ka plotësuar. Kemi tentuar përmes Shqipërisë, por ka probleme, telashe në raport me Byronë Evropiane të kartonit të gjelbër dhe nuk është pranuar. Është tentuar përmes Sllovenisë prapë një gjë e tillë nuk është mundur të arrihet”, tha Hamza.

Deputeti Faton Topalli, tha se proteston fuqishëm në Kuvend për plaçkitjen e mërgimtarëve me polisat e sigurimeve, duke mos qenë pjesë e kartonit të gjelbër. Sipsa tij, edhe pa qenë anëtare e OKB-së, Kosova ka mundur të ketë kartonin e gjelbër.

Topalli: Protestoj për plaçkitjen që po u bëhet mërgimtarëve

“Rasti i kompanive të sigurimeve, implikimi i politikës, i familjeve të fuqishme në krimin me të madh të pasluftës, heshtjes së Autoritetit të konkurrencës dhe departamentit të Konsumatorit në MTI dhe inkriminimi i vetëdijshëm apo i pavetëdijshëm i BQK-së fletë se sa thellë i ka futur rrënjët krimi dhe sa shumë është i përshirë gjithë sistemi ynë në të. Sot në emër të 800 mijë mërgimtarëve protestoj para këtij Kuvendi për trajtimin dhe plaçkitjen që u bëhet mërgimtarëve për polisat e sigurimit. Protestoj kundër të gjitha atyre institucioneve që janë përgjegjëse për ta zgjidhur këtë çështje dhe nuk kanë marrë asnjë hap deri me tani për ta zgjidhur. Mos na gënjeni as ne as opinionin publik  se nuk e kemi kartonin e gjelbër për shkak se nuk jemi pjesë e OKB-së. Zvicra është bërë anëtare e OKB-së tek në vitin 2002, derisa kartonin e gjelbër ka shumë dekada më herët që është përdorur nga Zvicra”, theksoi Topalli.

Pantina: Hamza e ka shkelur ligjin për BQK-në

Deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Pantina, pati një përplasje me ministrin e Financave Bedri Hamza, i cili ka qenë guvernator i BQK-së, duke thënë se ka bërë shkelje ligjore kur ka vendosur të jap dorëheqje nga BQK-ja vetëm një ditë para se të bëhej ministër, derisa ligji thotë se duhet të tregoj tre muaj përpara.

Pantina: Tani kemi një ministër që ka bërë shkelje ligjore

“Guvernatori që ka qenë përgjegjës për periudhën që flet ky raport është këtu, por tani në cilësi tjetër, është ministër i Financave. Dua t’ia përkujtoj ish guvernatorit, tani ministër i Financave, nenin 43 të ligjit për BQK-në. Dhe neni 43 thotë kështu. ‘Guvernatori dhe zëvendësguvernatorët duhet të japin dorëheqje duke njoftuar me shkrim presidentin ose bordin e BQK-së, të paktën 3 muaj përpara’.  Zotëri guvernator, tani ministër ka dhënë dorëheqje vetëm një ditë para se të emërohej ministër. Tani kemi një ministër që ka ardhur në detyre duke bërë shkelje ligjore të një pozitë të mëhershme”, tha Pantina.

Por, Pantina mori përgjigje nga Ministri i Financave Bedri Hamza, i cili tha se nuk e ka shkelur asnjë ligj. Hamza: Asnjë shkelje ligjore s’e kam bërë

 “E lexove ligjin, e lexove mirë, është mirë që në Kuvend ka jurist të mirë dhe i respektoj. Por ka dallim të madh mes asaj mundet dhe duhet. Edhe këtë juristët na sqarojnë dhe kjo mundet dhe duhet është goxha dallim i madh dhe nuk e kam bërë asnjë shkelje, sepse kur është mundet, nuk e dinë, nuk ka mundësi, kështu që në aspektin ligjor është shumë në rregull”, u shpreh Hamza.

Në seancën e Kuvendit deputetët  ende janë duke e diskutuar raportin e  Bankës Qendrore.

***
Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën plenare, ku ndër të tjera do të shqyrtohet raporti vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016 dhe raporti vjetor i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2016.

Gjatë kësaj seance do të diskutohet edhe rekomandimi i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media për shkarkimin e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës dhe raporti vjetor për funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike në sektorin publik të Kosovës për vitin 2016.

Gjithashtu si pikë e rendit të ditës është formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb, formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa, zgjedhja e një anëtari të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Kuvendi vazhdon seancën

Seanca parlamentare e Kuvendit të Kosovës do të vazhdoj punimet sot duke filluar nga ora 11:00.

Në seancën e mbajtur dje janë miratuar disa projektligje, mirëpo, kanë mbetë  edhe pikat e tjera të rendit të ditës.

Këto janë pikat e rendit të ditës që vazhdojnë për shqyrtim nesër:

Rekomandimi i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media për shkarkimin e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,

Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2016,

Shqyrtimi i Raportit Vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016,

Shqyrtimi i Raportit Vjetor për funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike në sektorin publik të Kosovës për vitin 2016,

Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb,

Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit për Ankesa,

Zgjedhja e një (1) anëtari të Komisionit të Pavarur të Mediave,

Zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat