Haradinaj: Rezultati i PISA-s është për çdo kritikë

Aktuale

Haradinaj: Rezultati i PISA-s është për çdo kritikë

Më: 30 nëntor 2017 Në ora: 11:26
Konferenca ndërkombëtare për Pisa të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ)

(E plotësuar) - Përzgjedhja e mësimdhënësve më mesatare më të dobët, mungesa e programeve parashkollore, mos koordinimi i MASHT-it me komunat, politizimi i shkollave, numri i madh i orëve të humbura janë disa nga problemet që kanë bërë që Kosova të dalë dobët në testin PISA sipas kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

I pari i Qeverisë së Kosovës, tha se niveli i Kosovës në testin Pisa është i dobët, nivel për çdo kritikë dhe se është nivel që e turpëron Kosovën.

Haradinaj tha të jenë të interesuar të ndryshojnë cilësinë e arsimit në Kosovë dhe se e kanë obligim dhe përgjegjësi për ta ndryshuar këtë gjendje.

Këto komente kryeministri i bëri në hapje të konferencës ndërkombëtare për Pisa të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ).

Haradinaj: Nuk janë  seleksionuar mësimdhënësit me notën mesatare më të mirë

“Mësimdhënësit, edukatorët, seleksionimi i tyre, identifikimi i tyre është një proces jo aq përmbajtjesor, nuk janë marrë ata që kanë pasur mesataren më të lartë. Pra, kanë mbërri me qenë edukatorë, mësimdhënës, profesorë jo ata që kanë qenë më të mirët si studentë, jo ata që kanë pasur mesatare më të mirë. Vetvetiu kjo një mesatare më e ulët do të nxjerrë fëmijë me dije më të vogël. Pra, ky është një problem që e ka përcjellë Kosovën herët. E dyta, programet parashkollore nuk ekzistojnë, janë jo cilësore, nuk janë atraktive, nuk përputhen me  parametrat e nevojshme për më tutje. Ka edhe një mos koordinim të madh  të veprimeve mes Ministrisë dhe të komunave, veprojnë ndaras. Vetë ndarja e përgjegjësive pastaj implementimi është jashtëzakonisht jo funksional”, tha Haradinaj.

Po ashtu, Haradinaj tha se plan programet për nivelin fillor dhe të mesëm janë ende si eksperimentale, ndërsa tha se Kosova ka problem edhe me monitorimin, ku ai tha se shkollat në të gjitha nivelet janë shumë pak të inspektuara ose është inspektim jo përmbajtjesor.

Problem për cilësinë në arsim ai tha të jetë edhe numri i madh i orëve të humbura, si dhe problem sipas kryeministrit është vlerësimi i njohurive.

Image

Haradinaj: Kemi telashe me vlerësim të njohurive

“Kemi telashe me vlerësim të njohurive, vetvetiu kur bëhet vlerësimi, kur jepen vlerësimet në nota standardet, kriteret e përdorura kanë vërtetuar që nuk mjaftojnë për epilog. Kur ai fëmijë, ai nxënës përballet me pjesën tjetër të jetës del jo i plotësuar në dije dhe jo i formuar në dije. Nuk është veç testi Pisa, ka plot profesor që na thonë se studenti vjen të studioj dhe nuk është në gjendje tre rreshta ti shkruaj. Është e pamundur që nuk din të shkruaj dhe me lexua, pastaj me arrit rezultat në çfarë do materie. Duke qenë kështu unë mendoj se është mirë me shfrytëzua këtë moment për përballje me të vërteten që e kemi në vend. Pra, ky është një moment i mirë mi tregua vetës se nuk jemi mirë, me i identifikua problemet”, tha Haradinaj.

 vetëdijshëm që niveli i arsimit në Kosovë nuk është i duhur është edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Byqtyqi, por që ai tha se të gjithë së bashku do të rrugëtojnë për ta përmirësuar këtë gjendje të arsimit.

Ai tha se duhet angazhim i të gjithëve për të përmirësuar gjendjen në arsimim, ndërsa tha se nevojitet edhe një buxhet shtesë për Ministrinë që drejton.

Bytyqi: Nevojitet buxhet shtesë për arsimin

“Na duhet angazhim i të gjithëve, në veçanti i Qeverisë pra të jetë prioritet arsimi në Kosovë që ta ndryshojmë gjendjen aktuale dhe po ashtu na nevojitet buxhet shtesë, sepse kemi projekte që kanë edhe një kosto shtesë. Ajo çka ne kemi arritur këtë vit duke pas parasysh edhe  buxhetin që e ka Kosova, nuk e ka një buxhet të nivelit të lartë i cili mund të mbuloj të gjitha  kërkesat nga të gjitha dikasteret, pro në veçanti nga dikasteri i arsimit. Ne ja kemi arritur që sivjet të kemi një buxhet më të lartë sesa vitin e kaluar, diku rreth 20 përqind do të ketë një buxhet më të lartë, por gjithsesi edhe ky buxhet nuk është buxhet i mjaftueshëm”, tha ministri.

Ambasadori gjerman Christian Heldt, tha se Pisa ka një potencial të madh për të identifikuar sfidat në sistemin arsimor. Po  shtoi se është detyrë e përbashkët që të përgatitin gjeneratat e ardhshme me atë se çka do të përballen jashtë.

Heldt: Pisa ka një potencial që të paraqes sfidat në sektorin e arsimit

“Është detyrë e jona e përbashkët  që të përgatisim gjeneratat e ardhshme me atë se çka do të përballen jashtë. Prandaj, pranimi ose njohja e asaj se si do të bëhen reforma në arsim, Gjermania ka  ofruar mbështetje MASHT-it për administrimin e testit deri në shpërndarjen e rezultateve në raportin nacional të vitit 2015 për testin Pisa. Megjithatë, reforma nuk duhet të ndalojnë, por do të fillojnë prej aty duke marrë parasysh atë që na  ka treguar Pisa. Pisa ka një potencial që të paraqes sfidat në sektorin e arsimit dhe të vendos se ku të vendos levën në mënyrë që të përmirësohet cilësia e arsimit për gjithë fëmijët në Kosovë”, tha ai.

Konferenca ndërkombëtare “Të veprojmë së bashku për arsim më të mirë” e cila ka filluar sot do të zgjasë edhe gjatë ditës së nesërme.

Haradinaj: Testi PISA na ka turpëruar, duhet ta pranojmë të vërtetën

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft fur Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, kanë organizuar konferencën ndërkombëtare për PISA 2018 “Të veprojmë së bashku për arsim më të mirë”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se në testin PISA Kosova ka një nivel të dobët dhe për çdo kritikë.

Ai tha se nuk kanë kohë që të humbin në lidhje me këtë.

“Kemi testin PISA që është shumë keq dhe që na turpëron neve si Kosovë. Kontributin tim do ta jap vetëm t’i përmend disa shkaqe dhe jemi të përkushtuar të ndryshojmë gjendjen”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai përmendi disa nga shkaqet e mungesës së cilësisë së arsimit.

 "Mësimdhënësit , seleksionimi i tyre është një proces jo aq përmbajtjesor. Nuk janë marrë ata që kanë pas mesatare më të lartë. Kanë arrit me u bë mësimdhënës ata që nuk kanë qenë më të mirët. E dyta programet parashkollore nuk përputhen me parametrat e nevojshme për më tutje. Plan programet janë ende eksperimentale.  Të mos flasim për organizimin e infrastrukturës së shkollave. Kemi problem me monitorim, shkollat tona janë pak të monitoruara. Kemi numër shume të madh të orëve të humbura. Kemi telashe me vlerësim të njohurive, kur jepen vlerësimet në nota standardet kanë vlerësuar se nuk mjaftojnë për epilog. Është mirë për përballje me të vërtetën t’i tregojmë vetes se puna nuk është mirë", tha ai.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi, tha se janë të vetëdijshëm që nuk është niveli i duhur i cilësisë së arsimit në Kosovë.

Kjo konferencë shënon edhe një hap për të përmirësuar gjendjen e arsimit në Kosovë. Qëllim i kësaj konference Bytyqi tha se është të rritja e ndërgjegjësimit  të gjitha strukturave në lidhje me rëndësinë e këtij testi.

Ai tha se MASHT e ka mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës po ashtu edhe  të donatorëve e që qëllim kanë përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë.

Ambasadori gjerman në Kosovë Christian Heldt  tha se PISA ka një potencial të madh për të identifikuar sfidat në sistemin arsimor.

"Ne kemi bërë përvojën në Gjermani dhe mendojmë që investimi në arsim është mënyra më e mirë për të zhvilluar kohezion në sistemin arsimor. Siç e dini në 2015 Kosova mori pjesë në vlerësimin PISA  që krijoi një debat të gjerë. Ju lutem të jeni të sigurt që edhe tek ne na tronditi në 2001. Ne përfituam shumë nga ato analiza dhe për këtë arsye avokojmë përdorimin e kërij instrumenti. Njohja e faktet që duhet të bëhen reforma në arsim është një hap i madh .PISA ka potencial të madh të paraqes sfidat në sistemin e arsimit. Kjo tregon se ku dudhet  të vendoset leva", tha ambasadori gjerman.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat