Gjykata merr vendim për Albin Kurtin dhe Donika Kadaj-Bujupin

Aktuale

Gjykata merr vendim për Albin Kurtin dhe Donika Kadaj-Bujupin

Më: 1 dhjetor 2017 Në ora: 08:27
Seanca gjyqësore ndaj katër deputetëve të Vetëvendosjes

(E plotësuar) -  Kryetari i Trupit Gjykues në procesin gjyqësor kundër katër deputetëve të Vetëvendosjes, Beqir Kalludra, duke përfunduar seancën e sotme gjyqësore ka njoftuar se trupi gjykues ka refuzuar kërkesën e palëve mbrojtëse, duke mbetur në fuqi aktvendimi për caktimin e masës së paraburgimit për deputetët Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi.

Kalludra tha se ndaj këtij aktvendimi është përgatitur ankesë por lënda ende nuk është dërguar në Gjykatën e Apelit.

Të akuzuar në këtë rast janë edhe deputetët tjerë të VV’së, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu të cilët mbrohen në liri.

Seanca gjyqësore do të vazhdojë më 7 dhjetor, duke filluar nga ora 09:00.

Seanca gjyqësore ndaj katër deputetëve të Vetëvendosjes

Kryetari i Trupit Gjykues në procesin gjyqësor kundër katër deputetëve të Vetëvendosjes Beqir Kalludra ka ftuar dëshmitarë tjerë në seancën e ardhshme që do të mbahet më 7 dhjetor.

Në mesin e dëshmitarëve të ftuar për të dëshmuar për hedhjen e gazit lotsjellës më seancën e 8 tetorit të vitit  2015 është edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, deputetët Naser Osmani, Armend Zemaj dhe  Bekim Haxhiu.

Sot kanë dëshmuar deputetët Flora Brovina, Blerta Deliu-Kodra, Xhavit Haliti, Nuredin Ibishi si dhe dy punëtore të administratës së Kuvendit.

Deputetët Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në seancën e Kuvendit. Seanca e ardhshme do të mbahet më 7 dhjetor në orën 9:00.

Ish deputeti i LDK-së Nuredin Ibishi ka përfunduar dëshminë e tij kundër deputetëve të VV-së Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi, të cilët akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës.

Ibishi tha se seancat janë penguar nga opozita në mënyra të ndryshme deri me hedhjen e gazit lotsjellës nga deputeti Albin Kurti.

Ibishi shtoi se edhe në seancat tjera është hedhur gaz lotsjellës por nuk ka mundur ta specifikoj se kush ka hedhur, por sipas tij shumica e opozitës kanë hedhur gaz.

Ai shtoi se përdorimi i gazit ka penguar në mbarëvajtjen e seancave. I akuzuari Albin Kurti ka pyetur Ibishin nëse ai ka qëndruar tërë kohën afër tymit. Ndërsa Ibishi ka shpjeguar se pasi ka ndezur gazin lotsjellës Kurti ka shtyrë gazin kah grupi parlamentar i LDK-së.

Kurti po ashtu ka pyetur se ku e bazoni përkufizimin si armë hedhjen e gazit. Por Ibishi ka shpjeguar se si ndizet një gaz lotsjellës.

Haliti nuk tregon emra se kush hedhi gaz lotsjellës, Kadaj-Bujupi përjashtohet nga seanca

Beqir Kalludra, urdhëroi largimin e Donika Kadaj-Bujupit nga salla e gjyqit.

Në gjykimin e katër deputetëve të Vetëvendosjes për lotsjellësin në Kuvend, gjyqtari Beqir Kalludra urdhëroi largimin nga salla e gjyqit të të akuzuarës Donika Kadaj- Bujupi.

Përjashtimi nga seanca ndodhi pasi e akuzuara Kadaj-Bujupi e pyeti dëshmitarin Nuredin Ibishi se pse e kishte fituar një nderim/medalje në vitin 1989.

Kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra, i tha të akuzuarës se kjo pyetje nuk ka përgjigje, por Kadaj-Bujupi vazhdoi prapë t’ia bëjë pyetjen.

Pastaj gjyqtari urdhëroi largimin e saj.

Xhavit Haliti nuk tregon emra se kush hedhi gaz lotsjellës në Kuvend

Anëtari i kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, tha sot në seancën gjyqësore ndaj katër deputetëve të Vetëvendosjes se nuk e ka parë saktësisht kush ka hedhur gaz lotsjellës gjatë seancave të Kuvendit.

Deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli e Donika Kadaj janë të akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës në seancë, ndërsa tre deputetë të PDK-së, përfshirë edhe Xhavit Halitin, kanë dëshmuar sot për këtë rast.

Haliti u pyet nga prokurori për rrethanat e hedhjes së gazit lotsjellës.

“Sinqerisht të them, siç e ka parë opinioni, i kam parë lëvizjet, i ka hedhë opozita. Nuk mund ta konkretizoj saktësisht se kush e ka hedhur. Mund të them se të gjithë kanë hedhur gaz, ka qenë kauzë e opozitës por nuk kam parë asnjë person të veçantë, konkret që e ka hedhur gazin. Arsyeja që nuk e kam vërejtur është se kam qenë kryesues i seancës, duke i shikuar shkresat dhe nuk mund ta specifikoj se kush e ka hedhur gazin”, tha Haliti.

“Nuk ka pasur mundësi që të mbahen seancat për shkak të gazit, të gjithë deputetët kanë dalë jashtë”. Shtoi ai.

Haliti tha se vetë nuk e ka parë që dikush në sallë të Kuvendit të ketë marrë lëndime trupore si pasojë e gazit lotsjellës.

“Nuk e kam parë dikë drejtpërdrejt. Për lëndimet e disa kolegëve jam informuar nga portalet. Kam tentuar të dal i fundit nga salla, në sallë nuk ka mbetur askush i alivanosur, jashtë sallës nuk e di”, tha ai.

Kur u pyet nga Albin Kurti se si e din se tymi në sallë ka qenë gaz lotsjellës, Xhavit Haliti u përgjigj: “E kam provuar shumë herë këtë tym”.Blerta Deliu, deputete e PDK-së, ka thënë se e ka parë deputetin e Vetëvendosjes, Albin Kurti duke hedhur gazin lotsjellës në 8 tetorin e vitit 2015.

Deliu ka treguar edhe për fjalët e Kurtit, që sipas saj, ai i ka thënë pasi që e kishte hedhur gazin lotsjellës.

“Këtu duhet 50 qesi m’i kallë. Këtë vend duhet me kallë”, kishte qenë deklarata e mëhershme e Kodrës, sipas prokurorit të rastit.

Kodra e ka konfirmuar ta ketë thënë këtë deklaratë, kur është pyetur nga gjykatësi Beqir Kalludra.

“Po është e vërtetë që unë e kam dëgju zotin Kurti kur ka thënë se në këtë vend duhet m’i dhezë edhe 50 të tjera dhe këtë vend duhet me kallë”, ka thënë ajo.

Por, vetë Albin Kurti tha se këtë deklaratë të tmerrshme nuk e ka thënë kurrë.

Kurti e pyeti Kodrën: Si është e mundur që ju, gjersa ishit e preokupuar me veten për të dalë nga objekti, ju e kujtuat deklaratën vetëm kur ju pyeti prokurori?

Ndërsa, Kodra tha: Unë e kam dëgju atë deklaratë kur kam dalë nga ulësja ime. Jam e bindur se atë deklaratë e kam dëgju.

Deliu-Kodra: E kam parë Albinin duke hedhur gaz lotsjellës

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka thënë sot në Gjykatë se e ka parë deputetin Albin Kurti duke hedhur gaz lotsjellës.

Ajo sot është paraqitur si dëshmitare për të dëshmuar në rastin e katër deputetëve të VV-së të cilët akuzohen se kanë hedhur gaz lotsjellës në seancën e Kuvendit të datës 8 tetor 2015.

 “Unë e kam parë deputetin Albin Kurti duke e hedhur gazin lotsjellës”, tha Deliu.

Ajo është pyetur nëse ka dijeni se si Kurti e kishte futur gazin lotsjellës në Kuvend, por tha se nuk e di dhe se me këtë gjë duhet të merren organe tjera.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli e Donika Kadaj-Bujupi janë duke u gjykuar për hedhjen e gazit lotsjellë në Kuvendin e Kosovës, me anë të të cilit parandalonin mbajtjen e seancave në mënyrë që të evitohen marrëveshjet për Asociacionin e komunave serbe, si dhe ajo për demarkacionin.

Image

Kurti nuk e pranon avokaten, ngritet në këmbë dhe e merr në pyetje Flora Brovinën

Albin Kurti nuk e ka pranuar mbrojtjen e caktuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, në seancën e sotme ku ai akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në legjislaturën e Kuvendit të Kosovës.

Kurti tha se mund të pajtohet me avokaten Fetije Ademi, por theksoi se ajo nuk e përfaqëson atë.

 “Ndonëse mund të pajtohem me atë çfarë tha mbrojtësja Fetije Ademi, ajo nuk më përfaqëson mua”, ka thënë Kurti.

Kurti, duke mos e pranuar avokaten Ademi, ka marrë detyrën mbi vete për t’i parashtruar pyetje dëshmitares Flora Brovina, për të cilën dyshohet se në seancën 8 tetorit 2015 është alivanosur nga gazi lotsjellës.

 Ai ka shprehur keqardhje që Brovina atë ditë është dashur të shtrihet nga QKUK.

Më vjen keq që atë ditë ju është dashur të shkoni në QKUK.

“A e keni ditur që më datën 8 tetor do të ketë gaz lotsjellës në Kuvend”, ka pyetur Kurti. “Jo”, është përgjigjur Brovina.

Kurti e ka pyetur Brovinën edhe për atë se ku e ka marrë sëmundjen nga e cila vuan ajo, duke e pyetur nëse përkeqësimi i shëndetit të saj atë ditë, ka qenë “proces e jo akt”.

Por Brovina ka thënë se “unë nuk kam dashur që t’i vendosi stendat në burgun e Serbisë. Unë kam intervenuar kur kam dalur nga burgu. Pastaj e kam pasur gjendjen stabile”.

Deputetët e VV-së deklarohen të pafajshëm

Në gjykimin kundër katër deputetëve të Vetëvendosjes po dëshmon deputetja Flora Brovina.

Ajo gjatë dëshmisë ka thënë se nuk ka besuar që ka mundur të hidhet gaz lotsjellës.

Brovina tha se ka menduar që është gaz koncertesh dhe jo gaz lotsjellës.

 Ajo ka thënë se nuk e ka parë kush e ka hedhur gazin,  por Albin Kurti ka qenë duke folur dhe duke kundërshtuar debatin. Seanca është duke vazhduar.

Avokati: Veprimeve në Kuvend u dha të drejtë edhe Kryeministri

Haxhi Millaku, avokati i faton Topallit tha në gjykimin e deputetëve se veprimeve të opozitës në Kuvend u dha të drejtë edhe Ramush Haradinaj.

Haxhi Millaku, avokati i Faton Topallit, tha sot se veprimeve për të cilat po akuzohen katër deputetët e Vetëvendosjes u dha të drejtë edhe Kryeministri Ramush Haradinaj.

Haradinaj para një jave teksa kundërshtoi veprimet e deputetëve të Vetëvendosjes në lidhje me gjyqësorin, tha se gazi lotsjellës ka pasur efekte pozitive.

“Edhe edhe pse këto veprime ishin kundër kodeksit të sjelljes, ato assesi nuk kanë elemente inkriminuese”, tha Millaku.

Avokati më tutje konstatoi se nga gazi lotsjellës që u hodh në Kuvend u irrituan vetëm dy partitë që atëherë ishin në pushtet.

“Nga gazi që u përdor në Kuvend u irrituan vetëm dy partitë në pushtet dhe faktori ndërkombëtar do te reagonte nëse do të irritohej dikush nga të përkëdhelurit (pakicat), por u irrituan vetëm deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha Millaku.

***

Deputetët e Vetëvendosjes Albin Kurti, Faton Topalli, Donika Kadaj-Bjupi dhe Albulena Haxhiu janë deklaruar të pafajshëm sot pasi që prokurori ua lexoi aktakuzën.

Ata akuzohen për hedhjen e gazit të lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

 Haxhiu dhe Topalli kanë shkuar në seancë në bazë të thirrjes së gjyqtarit ndërkohë që Kurti dhe Kadaj-Bujupi janë sjellë nga paraburgimi pasi që janë arrestuar sepse kishin shkelur masën e arrestit shtëpiak.

Ndërkohë dëshmitarët e këtij rastit, deputetët Xhavit Haliti, Blerta Deliu Kodra, Bekimi Haxhiu janë liruar nga seanca deri të ftesën e radhës për të dëshmuar.

Në fillim të seancës avokati i të akuzuarës Donika Kadaj-Bujupi kërkoi përjashtimin e trupit gjykues ndërsa për Kurtin, Haxhiun dhe Topallin janë caktuar avokatë sipas detyrës zyrtare.

Xhavit Haliti e Nuredin Ibishi dëshmitarë në gjykimin e deputetëve të VV-së

Mbrojtësi i Albulena Haxhiut, i caktuar sipas detyrës zyrtare, në emër të klientes së tij ka kërkuar shkarkimin e trupit gjykues.

“Nuk do të jeni objektiv në këtë çështje penale”, ka thënë mbrojtësi i Haxhiut, pasi gjyqtari Beqir Kalludra nuk ia ka dhënë fjalën deputetes, por vetëm avokatit.

Seanca ka shkuar në pauzë 10- minutëshe, pasi avokati i Faton Topalllit, Haxhi Millaku, ka thënë se mbrojtësit e të akuzuarve kanë nevojë për konsulta.

***

Xhavit Haliti e NUrediin Ibishi pritet të dëshmojnë në gjykimin e deputetëve të VV-sçë për hedhjene e gazit lotsjellës në Kuvend.

Nënkryetari i Kuvendit Xhavit haliti dhe ish-deputeti Nuredin Ibishi pritet të dëshmojnë sot në gjykimin e katër deputetëve të VV-së për gazin lotsjellës në Kuvend.

Seanca ishte paraparë të fillonte në orën 9:00, por sigurimi është duke kontrolluar mediat dhe njerëzit tjerë që duan të jenë pjesë e seancës së sotme.

Prezente janë edhe Blerta Deliu e Flora Brovina, që në këtë proces konsiderohen të dëmtuara.

Seanca e fundit lidhur me këtë rast ishte paraparë të mbahej më 22 nëntor, por ishte shtyrë në mungesë të Albin Kurtit, Donika Kadaj-Bujupit dhe Albulena Haxhiut.

Pasi nuk  e arsyetuan mungesën e tyre, gjyqtari Kalludra lëshoi urdhër arrest ndaj tre deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Deputetët u liruan vetëm 48 orë pasi ju caktua paraburgimi ndërsa më 27 nëntor u arrestuan përsëri pasi morën pjesë në festimet e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë pas numërimit të votave me kusht dhe atyre me post që i dhanë fitoren kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Atë ditë i pranishëm në gjykatë ishte vetëm Faton Topalli.

Katër deputetët e Vetëvendosjes akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Të akuzuarit ishin  arrestuar gjatë nëntorit e dhjetorit të vitit 2015.

Seanca fillestare ishte mbajtur më 6 janar 2016.

Pas leximit të aktakuzës, deputetët Kurti, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu nuk ishin deklaruar për fajësinë, ndërsa deputeti Topalli ishte deklaruar i pafajshëm.

Megjithëse nuk u deklaruan për fajësinë, deputetët aktakuzën e kundërshtuan duke e cilësuar politike.

Sot seanca kundër 4 deputetëve të Vetëvendosjes

Katër deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje do të paraqitën sot para Gjykatës Themelore të Prishtinës lidhur me hedhjen e gazit në Kuvendin e Kosovës.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj – Bujupi dhe Faton Topalli do te paraqiten në gjykim për hedhje të gazit në Kuvendin e Kosovës.

Seanca e fundit lidhur me këtë rast ishte paraparë të mbahej më 22 nëntor, por ishte shtyrë në mungesë të Albin Kurtit, Donika Kadaj-Bujupit dhe Albulena Haxhiut .

Pasi nuk  e arsyetuan mungesën e tyre, gjyqtari Kalludra lëshoi urdhër arrest ndaj tre deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Deputetët u liruan vetëm 48 orë pasi ju caktua paraburgimi ndërsa më 27 nëntor u arrestuan përsëri pasi morën pjesë në festimet e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë pas numërimit të votave me kusht dhe atyre me post që i dhanë fitoren kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Prokuroria pretendon se Deliu, Brovina e Haxhiu, kanë pësuar lëndime të lehta trupore nga gazi lotsjellës i aktivizuar në Kuvend nga kolegët e Vetëvendosjes.

Katër deputetët e Vetëvendosjes akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Albin Kurti ka munguar edhe në seanca të tjera të këtij gjykimi, ndërsa gjyqtari Beqir Kalludra ndaj tij ka lëshuar fletarrestim, të cilin e kishte pezulluar në kohën e zgjedhjeve të përgjithshme për shkak se Kurti ishte kandidat për kryeministër të Vetëvendosjes.

Të akuzuarit ishin  arrestuar gjatë nëntorit e dhjetorit të vitit 2015.

Seanca fillestare ishte mbajtur më 6 janar 2016.

Pas leximit të aktakuzës, deputetët Kurti, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu nuk ishin deklaruar për fajësinë, ndërsa deputeti Topalli ishte deklaruar i pafajshëm.

Megjithëse nuk u deklaruan për fajësinë, deputetët aktakuzën e kundërshtuan duke e cilësuar politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat