Haradinaj paralajmëron procedimin e demarkacionit në Kuvend

Aktuale

Haradinaj paralajmëron procedimin e demarkacionit në Kuvend

Më: 1 dhjetor 2017 Në ora: 10:19
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Raporti rreth të gjeturave në lidhje me Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, pritet t’i procedohet Qeverisë së Kosovës javën e ardhshme.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka njoftuar kabinetin qeveritar se kryesuesi i Komisionit Shtetëror për shënjimin e vijës kufitare, Shpejtim Bulliqi i ka konfirmuar atij përfundimin e punës rreth gjetjeve në lidhje me Demarkacionin.

Haradinaj tha se ka kërkuar nga Bulliqi që raportin t’ia prezantojë Qeverisë në fillim të javës tjetër, dhe më pas, Qeveria ta procedojë në Kuvend.

Pritjet janë që bashkë me raportin e Komisionit, Qeveria ta procedojë edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin në Kuvend, në mënyrë që ky institucion të marrë vendim, nëse do ta ratifikojë apo anulojë këtë marrëveshje.

“Të gjeturat e raportit, pra ia procedojmë Kuvendit. Sa na përket neve si Qeveri, pas njohjes së materialit nuk na mbetet shumë punë apo punë tjetër, pos ta procedojmë në Kuvend”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj.

Ai nuk e ka përjashtuar si mundësi që Qeveria të njoftohet nga Komisioni Shtetëror lidhur me gjetjet qysh të hënën.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar nga autoritetet e Prishtinës dhe Podgoricës, në fund të gushtit të vitit 2015, në Vjenë. E njëjta marrëveshje, ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës. Për ratifikimin e saj nevojiten 80 vota të deputetëve.

Kjo marrëveshje, ishte rezultat edhe i punës së Komisionit paraprak shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, që drejtohej nga Murat Meha.

Por, pas ardhjes në krye të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj, i cili në legjislaturën e kaluar kishte kundërshtuar ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, ka shkarkuar përbërjen e Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, duke emëruar përbërje të re me në krye Shpëtim Bulliqin.

Komisioni i ri ka nisur rishikimin e gjithë procesit, për të gjetur gabimet e pretenduara në Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Gjetjet e këtij komisioni tani pritet të dalin në Kuvendin e Kosovës për diskutim.

Ndryshe, ratifikimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e ZI, mbetet një nga kushtetqë Komisioni Evropian i ka vënë Kosovës, në lidhje me avancimet e saj në procesin e liberalizimit të vizave.

Autoritetet ndërkombëtare, kryesisht qarqet diplomatike nga Uashingtoni dhe Brukseli, në disa raste i kanë ftuar deputetët që ta ratifikojnë Demarkacionin në versionin aktual.

Kryeministri Ramush Haradinaj ia deklaruar se kryesuesi i komisionit për shënjimin e kufirit e ka njoftuar dje që është i gatshëm me raport dhe të gjeturat e tyre.

“I kam propozuar që një mbledhje të ardhshme të vijnë të na propozojnë në mbledhjen e qeverisë. Me siguri si konkluzë do të dalë se marrëveshjen duhet ta procedojë Qeveria në Parlament. Të gjeturat e raportit ia procedojmë Kuvendit. Sa na përket neve si Qeveri pas njohjes së materialit nuk na mbetët shumë punë pos me proceduar në Kuvend. Mundemi të hënën me mbajt një mbledhje të qeverisë por së pari të kemi konsulta paraprake”, tha Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat