Delawie kërkon nga Presidenti e Kryeministri të marrin vendime të mira për Shtetin

Aktuale

Delawie kërkon nga Presidenti e Kryeministri të marrin vendime të mira për Shtetin

Më: 2 dhjetor 2017 Në ora: 11:53
Greg Delawie

(E plotësuar) - Sistemi gjyqësor i Kosovës vazhdon të përballet me sfida të ndryshme, sikurse është lufta kundër korrupsionit, mungesa e llogaridhënies, ndërsa integrimi i të gjitha gjykatave në veri në sistemin e Kosovës përmendet si e arritur në këtë vit.

Në fillimin e punimeve të Konferencës së Shtatë Gjyqësore të Republikës së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, tha se Kosova që nga shpallja e pavarësisë e deri më tash ka ndërmarrë një sërë veprimesh me qëllim të konsolidimit të sistemit të drejtësisë dhe në funksion të respektimit të rendit kushtetues.

Kreu i shtetit përmendi si ndër të arriturat e sistemit gjyqësor në këtë vit, edhe integrimin e gjykatave në veri në sistemin e Kosovës.

Thaçi: Janë funksionalizuar gjykatat në tërë territorin e vendit

“Të arriturat e sistemit tonë gjyqësor nuk janë të pakta, por gjatë rrugëtimit ka pasur edhe sfida. Vetëm përgjatë këtij viti kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm në forcimin e sistemit tonë gjyqësor dhe në shtrirjen e tij në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Si president i Kosovës bazuar në propozimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kam emëruar njëqind gjyqtarë, ku prej tyre dyzet gjyqtarë kanë qenë nga komunitetet jo shumicë dhe janë funksionalizuar gjykatat në tërë territorin e vendit. konsideroj që ky vit është i veçantë për Kosovës, ngase shteti ynë po ndërtohet mbi parimet kushtetuese, të gjithëpërfshirjes, të barazisë dhe të lirisë së secilit individ, që të realizojë vetveten dhe të kërkojë të drejtën e tij apo saj pa iu cenuar asnjëherë e drejta që të jetë pjesë e shoqërisë kosovare”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit shtoi se institucionet e Kosovës dhe miqtë ndërkombëtarë, që nga pas lufta nuk janë ndalur së punuari që në Kosovë të ketë një sistem të mirëfilltë gjyqësor, ku të gjithë do të jenë të barabartë dhe të trajtohen si të tillë.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, ka folur për të arriturat e KGJK-së, duke thënë se ndër të arriturat kryesore është integrimi i gjykatave në veri në sistemin e Kosovës, në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel përmes dialogut.

Idrizi: Arritëm t’i integrojmë gjykatat në veri

“Sa i takon veprimeve dhe përpjekjeve të KGJK-së në integrimin gjyqësor të Veriut, këto janë disa nga të arriturat. Si rrjedhojë e ‘Marrëveshjes për Drejtësi’ të arritur në Bruksel, nga detyrimet që dalin nga aty kemi arritur të zgjedhim kryetarin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe zëvendësin e tij, të dyja këto përzgjedhje i kemi përmbyllur me sukses. Me sukses kemi përmbyllur përzgjedhjen edhe të disa Gjyqtarëve Mbikëqyrës në Degët e Gjykatave respektive. Po ashtu, si rrjedhojë e detyrimeve që dalin nga ‘Marrëveshja për Drejtësi’ e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kemi arritur që të integrojmë në sistemin gjyqësor të Kosovës, gjithsejtë 42 gjyqtarë nga komunitetet jo-shumicë, shto kësaj edhe stafin mbështetës administrativ, ku gjithsejtë 106 zyrtarë mbështetës janë rekrutuar për të mundësuar mbështetje adekuate administrative për gjyqtarët”, tha Idrizi.

Idrizi ka përmendur edhe progresin e arritur në zvogëlimin e lëndëve, duke thënë se gjykatat kanë zgjidhur me shumë lëndë se sa që kanë pranuar, që tregon arritjet në zvogëlimin e lëndëve të grumbulluara. Mirëpo, ai ka shtuar se për të zvogëluar akoma numrin e lëndëve duhet shtuatr numrin e gjyqtarëve.

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, tha se aktualisht besimi në sistemin e gjyqësisë është i ulët, duke qenë se media ka zbuluar shumë raste të korrupsionit në këtë sektor. Sipas tij, lufta kundër korrupsionit nënkupton edhe marrjen e masave efektive për forcimin real të pavarësisë së sistemit gjyqësor në tërësi.

Peci: Korrupsioni, fenomen i shëmtuar dhe i dhimbshëm për shtetin

“Një ndër problemet kryesore me të cilën ballafaqohet sistemi i drejtësisë në përgjithësi është lufta kundër korrupsionit, fenomen i shëmtuar dhe tepër i dhimbshëm për shtetin dhe shoqërinë kosovare në përgjithësi. Megjithatë, duke pasur parasysh në radhë të parë natyrën dhe efektet e vendimeve gjyqësore krahasuar me degët tjera të pushtetit apo edhe me operatorët tjerë të sistemit të drejtësisë, korrupsioni në pushtetin gjyqësor është më i dëmshmi dhe më i rrezikshmi. Mendoj se dëmet apo efektet negative të korrupsionit janë të shumta. Ai pengon zhvillimin e vendit, cenon rënd paqen dhe sigurinë sociale, nxit arbitraritet dhe vetëgjyqësinë, polarizon me pa të drejtë shoqërinë, toleron dukshëm cenimin e të drejtave dhe lirive të njeriut”, tha Peci.

Peci ka kërkuar që misioni i EULEX-it të përfundojë misionin e tij, pasi ka ardhur koha që Kosova të përballet vet me problemet e saj si shtet i pavarur dhe sovran

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, theksoi se forcimi i sundimit të ligjit në Kosovë është prioriteti i tij kryesor. Derisa, shtoi se do ta ndihmojnë Kosovën në luftimin e korrupsionit. Ai përmendi edhe disa të arritura në sistemin gjyqësor, sidomos integrimi i gjykatave në veri.

Delawie: Integrimi i gjykatave në veri në sistemin e Kosovës thelbësor

“Bashkërisht kemi mundësi që të shënojmë përparime në arritjet kohëve të fundit në forcimin e institucioneve të sistemit drejtësisë por edhe t’i trajtojmë mangësitë e sistemit që sjellin shkallën e lartë të mosbesimit ë publikut për gjyqësorit. Këtë vit kemi pasur disa arritje të rëndësishme. Ndër to zbatimi i suksesshëm i marrëveshjes për drejtësi të arritur përmes dialogut për integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe personelit tjetër në sistemin e Kosovës. Kjo ishte një e arritur e madhe dhe thelbësore për zgjerimin e qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës”, theksoi Delawie.

Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, theksoi se për ta rritur përgjegjshmërinë janë duke e konsoliduar legjislacionin që do të jetë një reformë e thellë për llogaridhënie dhe përgjegjësi në sistemin gjyqësor.

Tahiri: Ky vit shënoi integrimin e plotë te të gjitha gjykatave në Kosovë

“Për ta rritur efikasitetin, jemi duke konsoliduar qasje të reja që mundësojnë shqyrtim me të shpejt të lëndëve, si dhe jemi duke shqyrtuar masat alternative të zgjidhjeve të kontesteve. Ndërkaq për ta rritur përgjegjshmërinë jemi duke konsoliduar legjislacionin i cili do të quaj një reformë të thellë në mendësinë tonë rreth llogaridhënies dhe përgjegjësisë që duhet ta kemi sistemi gjyqësor. Viti që lamë pas shënoi edhe integrimin e plotë të gjitha gjykatave  në gjithë territorin e Kosovës nën sistemin juridik dhe nën një kushtetutë të vetme, pra të Republikës së Kosovës”, u shpreh Tahiri.  

Ushtruesi i detyrës së shefit të zyrës së BE-së në Kosovë, Ricardo Seri, ka përmendur disa sfida me të cilat ballafaqohet sistemi i drejtësisë në Kosovë.

Seri: Llogaridhënia e zyrtarëve gjyqësor është e dobët

“Këtu përfshin ngadalësinë e sistemit të drejtësisë, pra është i ngadalshëm në realizimin e aktgjykimeve. Pastaj është llogaridhënia e dobët e zyrtarëve gjyqësor dhe institucioneve të sundimit të ligjit të cilat vuajnë nga mungesa e financimit. Pavarësia e plotë e gjyqësorit mund të realizohet vetëm duke eliminuar ndikimet politike dhe korrupsionin brenda sistemit. Derisa ushtrojnë profesionin e tyre gjyqtarët duhet të jenë në gjendje të marrin vendime në bazë të ligjit dhe fakteve”, u shpreh ai.

Ndryshe, kjo konferencë është mbështetur nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë (OSBE). 

***

Ambasadori amerikan Greg Delawie ka thënë se do të trajtohen të gjitha mangësitë që kanë të bëjnë me sistemin e gjyqësorit. Ai thekson se forcimi i sundimit të ligjit është prioritet kryesor.

Me këtë ai tha se nënkuptojnë që SHBA-ja është një mbështetës i fuqishëm i sundimiit të ligjit në Kosovë dhe se sigurohen në dheniën e llogaridhënies.

Në fjalimin e tij, gjatë Konferencës së Shtatë Vjetore të Gjyqësorit të Republikës së Kosovës, Delawie tha se pret nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj që të marrin vendime të mira për shtetin.

“Bashkërisht kemi mundësinë që të shënojmë përparimin që e kemi arritur kohët e fundit por dhe t’i trajtojmë mangësitë e sistemit që kanë të bëjnë me gjyqësorin.

Përshendes integrimin e  gjyqtarëve serbë në Kosovë, kjo ishte një e arritur e madhe për të gjithë qytetarët, sepse ndarja e barabartë në ligj janë të drejta themelore demokratike. E di që është dashur kohë për tu arritur kjo por ka ende shumë punë për tu bërë”, është shprehur ai, derisa ka theksuar se shumica e çështjeve politike tashmë janë përmbushur.

Tutje, Delawie tha se vendosja e dispilinës dhe llogaridhënies për gjyqësorin është një hap i rëndësishm sepes qyetartët duhet t’i besojnë gjyqësorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat