Korrupsioni dhe moszbatimi i ligjeve, pengesë për Gjyqësorin

Aktuale

Korrupsioni dhe moszbatimi i ligjeve, pengesë për Gjyqësorin

Më: 2 dhjetor 2017 Në ora: 14:12
Foto ilustrim

Sistemi i drejtësisë në Kosovës, vazhdon të përballet me probleme të ndryshme, siç është korrupsioni, mungesa e llogaridhënies, besimi i duhur të cilin do të duhej ta kishte nga qytetarët, por edhe sfida të tjera. Kështu u tha të shtunën nga drejtues të institucioneve të Kosovës, por edhe zyrtarë ndërkombëtarë në konferencës e Shtatë Gjyqësore të Republikës së Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Kosova që nga shpallja e pavarësisë e deri më tash, ka ndërmarrë veprime me qëllim të konsolidimit të sistemit të drejtësisë dhe në funksion të respektimit të rendit kushtetues.

"Ju jeni ata që e keni këtë detyrë të shenjtë para vetes, para popullit dhe para ligjit. Profesionalizmi, paanshmëria dhe pavarësia e juaj e rrit besueshmërinë e sistemit tonë gjyqësor, ndërsa sigurimi i qasjes së barabartë në gjykata e rrit edhe më tej besueshmërinë e qytetarëve karshi gjykatave dhe pa dyshim që të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë në mbështetjen tuaj, për t’i arritur synimet dhe qëllimet për një sistem gjyqësor të mirë-organizuar, profesional, të pavarur, të paanshëm dhe në shërbim të shoqërisë”, tha Thaçi para gjyqtarëve.

Kurse, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, tha se aktualisht besimi në sistemin e gjyqësisë nga ana e qytetarëve është i ulët.

Sipas tij, lufta kundër korrupsionit nënkupton edhe marrjen e masave efektive për forcimin real të pavarësisë së sistemit gjyqësor në tërësi.

"Është fakt se aktualisht, besimi i publikut në sistemin e drejtësisë është në kuota të ulëta. Është fakt se media ka zbuluar raste të korrupsionit edhe në sistemin e drejtësisë. Korrupsionin në pushtetin gjyqësor është më i dëmshmi dhe më i rrezikshmi”.

“Në radhë të parë, ne gjyqtarët duhet të rrisim profesionalizimin dhe të formojmë integritetin si e kundërta e korrupsionit. Ka më shumë vend për transparencë e komunikim të drejtpërdrejtë e të vazhdueshëm me publikun. Ka më shumë vend për debat, analiza e kritika profesionale të vendimeve gjyqësore”, u shpreh Peci.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, theksoi se forcimi i sundimit të ligjit në Kosovë, është prioriteti i tij kryesor. Ai tha, po ashtu, se SHBA-ja do ta ndihmojë Kosovën në luftimin e korrupsionit.

"Siç e dini të gjithë, forcimi i sundimit të ligjit në Kosovë është prioritet yni kryesor. Me këtë nënkuptoj ta ndihmojmë Kosovën në sundimin e ligjit dhe në luftimin e korrupsionit. Ne jemi mbështetës të fuqishëm të sundimit të ligjit në Kosovës dhe përqendrohemi në veçanti në rritjen e llogaridhënies transparente dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë",tha Delawie.

Në fjalën e tij, ambasadori amerikan tha, po ashtu, se pret nga krerët e institucioneve të Kosovës, nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, që të marrin vendime të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës.

Kurse, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, theksoi se për ta rritur përgjegjshmërinë, janë duke i konsoliduar ligjet që do të jetë një reformë e thellë për llogaridhënie dhe përgjegjësi në sistemin gjyqësor.

"Për ta rritur efikasitetin, jemi duke konsoliduar qasje të reja që mundësojnë shqyrtim më të shpejtë të lëndëve, si dhe jemi duke fuqizuar masat alternative të zgjidhjes së kontesteve. Për të arritur përgjegjshmërinë, jemi duke e konsoliduar legjislacionin, e që do ta quaj një reformë të thellë në mendësinë tonë rreth llogaridhënies dhe përgjegjësisë që duhet ta ketë sistemi gjyqësor", tha Tahiri.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, foli për të arriturat e KGJK-së, duke thënë se ndër të arriturat kryesore është integrimi i gjykatave në veri në sistemin e Kosovës, në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel përmes dialogut.

"Si rrjedhojë e detyrimeve që dalin nga ‘Marrëveshja për Drejtësi’ e arritur në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kemi arritur që të integrojmë në sistemin gjyqësor të Kosovës, gjithsejtë 42 gjyqtarë nga komunitetet jo-shumicë, shto kësaj edhe stafin mbështetës administrativ, ku gjithsej 106 zyrtarë mbështetës janë rekrutuar për të mundësuar mbështetje adekuate administrative për gjyqtarët", shpjegoi Idrizi.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë ndër më të kritikuarit, qoftë kur flitet për joefikasitet në punë, pastaj mospërmbarim të lëndëve, por edhe sa i takon çështjes së korrupsionit.

Raporte të ndryshme vlerësuese vendore dhe ndërkombëtare kanë theksuar se qytetarët në Kosovë edhe më tej ballafaqohen me problemin e zvarritjes së procedurave për shqyrtim të lëndëve, si dhe me drejtësi joefektive.

Organizatat joqeveritare në Kosovë, që monitorojnë punën e sistemit të drejtësisë, konsiderojnë se krahas problemeve në vonesat e shqyrtimit të lëndëve në gjykata dhe prokurori, ka probleme edhe me kategorizimin e lëndëve, të cilat duhet të jenë me prioritet për shqyrtim./rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat