Barani flet për problemet e shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës

Aktuale

Barani flet për problemet e shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 3 dhjetor 2017 Në ora: 19:26
Halit Barani

Duke folur rreth asaj se cilat janë ankesat kryesore të shqiptareve që jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës, dhe se a duhet  të kenë kujdes Institucionet e vendit, kur bëhet fjalë për formimin e asociacionit të komunave serbe, kryetari i Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Mitrovicë Halit Barani ka thënë për "Bota sot", se ankesat e shqiptarëve që jetojnë ende në lagjet veriore të Mitrovicës janë të shumta dhe të arsyeshme.

Kurse sa i përket të drejtave dhe lirive të njeriut, sipas Baranit qytetarët e përkatësive etnike jo serbe, posaçërisht ata shqiptar, ankohen çdo herë se atyre po u shkelen të drejtat në mënyrë sistematike dhe masovike.

“Qytetarë që jetojnë në atë pjesë, kanë probleme të shumta në arsim, në shëndetësi, në mbrojtjen sociale, si dhe akoma nuk ndihen të sigurt, e në veçanti në orët e mbrëmjes të natës ata nuk mund të ndihen të sigurt dhe të lirshëm. Prandaj mendoj se Institucionet e vendit duhet të kenë kujdes maksimal kur është bëhet fjalë për formimin e asociacionit të komunave serbe. Institucionet e vendit po ashtu duhet detyrimisht të zbatojnë konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë asociacion, në mënyrë që të mos dalë jashtë suazave kushtetuese. Po ashtu, mendoj se institucionet e vendit, duhet t’i kushtojnë rëndësi edhe respektimit të të drejtave dhe lirive të plota të qytetarëve të përkatësive etnike që jetojnë në komunat me shumicë serbe, e që do të jenë pjesë e asociacionit”, ka thënë Barani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat