Bulliqi: Kufiri Kosovë-Mali i Zi nuk është i njëjtë, këto janë të gjeturat e Komisionit

Aktuale

Bulliqi: Kufiri Kosovë-Mali i Zi nuk është i njëjtë, këto janë të gjeturat e Komisionit

Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 07:18
Bulliqi duke prezantuar para Qeverisë raportin për Demarkacionin

(E plotësuar) - Qeveria e Kosovës ka miratuar raportin e komisionit për shënimin e kufirit me Malin e Zi, si dhe marrëveshjen e nënshkruar të vitit 2015, duke e dërguar kështu në Kuvend për shqyrtim të mëtutjeshëm.

Kjo u bë pasi që para kabinetit qeveritar, raportuan për të gjeturat anëtarët e komisionit qeveritar për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror .

Kryetari i komisionit për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, Shpejtim Bulliqi, i cili para kabinetit qeveritar paraqiti të gjeturat e punës së këtij komisioni, tha se puna e ish-komisionit është reflektuar me të meta thelbësore.

Bulliqi: Puna e komisionit të kaluar me të meta thelbësore

“Gjatë analizës së materialeve komisioni jonë ka ardhur në përfundim se puna e ish-komisionit është reflektuar me të meta thelbësore, të cilat dhe i kanë determinuar këto përfundime. Komisioni ka tejkaluar kompetencat e tij, gjykuar sipas nenit 40 të ligjit për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, duke i lejuar vetës t’i futet procesit të delemitimit, përkatësisht caktimit të vijës së re të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, pa një marrëveshje ndërkombëtare paraprake. Dy kjo për faktin se marrëveshjen e nënshkruar për kufirin, thuhet se çështja e demarkacionit është lënë të kryhet brenda dy vitesh, pasi të hyjë në fuqi kjo marrëveshje. Ish komisioni ynë ka qenë i thirrur të shënjoj vijën e dikurshme administrative mes dy njësive të ish-Jugosllavisë, e në asnjë mënyrë të bëjë kufirin e ri”, tha ai.

Bulliqi shtoi se komisioni i tyre ka konstatuar në mënyrë unanime se vija kufitare në marrëveshjen për kufirin shtetëror në mes Kosovën dhe Malit të Zi, nuk është në përputhje me vijën administrative kufitare të ish-krahinës socialiste të Kosovës.

Bulliqi: Këto dokumente nuk i kemi prodhuar ne

“Si rezultat i të gjitha këtyre të gjeturave në punën e ish-komisionin për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, komisioni ynë ka konstatuar në mënyrë unanime se vija kufitare në marrëveshjen për kufirin shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, 26 gusht 2015, nuk është në përputhje me vijën administrative kufitare, të ish krahinës socialiste autonome të Kosovës. ...Dua t’iu siguroj se asnjë nga materialet që do t’ua prezantoj, nuk i kemi prodhuar ne, por institucionet kredibile të kohës dhe se ato nuk mund t’i zhvlerësoja askush, as ata që pretendonin se Kosova nuk humb asnjë centimetër territor”, tha ai.

Bulliq më tej tha se nga materialet e ish-komisionit, konstatohet se nuk është trajtuar dokumentacioni i përkufizimit të kufirit administrativ mes Kosovës dhe Malit të Zi nga viti 45-46 dhe të dhënat shoqëruese gjeo-hapësinore.

Ndërsa tha se në negociata ish-komisioni ka ofruar dy variante të ndryshme të shtrirjes së vijës kufitare. Njërin variant të bazuar në hartën topografike dhe kufijtë administrativ dhe variantin e dytë e ka bazuar në kufijtë kadastral për zonat kufitare.

Antari i komisionit, profesori Zejnullah Gruda deklaroi se puna e ish-komisionit për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, është karakterizuar nga mos njohja e thellë e së drejtës ndërkombëtare, e së drejtës diplomatike dhe sidomos e së drejtës së traktateve.     

Ndërsa tha se bisedimet mes Kosovës dhe Malit të Zi, janë mbajtur fshehur .

Gruda: Bisedimet me Malin e Zi janë fshehur

‘Komisioni nuk ka ditur ose nuk ka respektuar mandatin, ngase afro dy vjet ka biseduar me delegacionin e Malit të Zi, për çështje që fare nuk kanë qenë në mandatin e tij. Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës dhe vendimin për vazhdimin mandatit të tij, ka qenë shënjimi dhe mirëmbajtja e kufirit shtetëror, e jo përcaktimi i kufirit. E ai ka biseduar për përcaktimin e kufijve, e jo për shënjimin e kufirit, për çka ka qenë i autorizuar. Kjo është fshehur nga opinioni publik por dhe nga Kuvendi i Kosovës, të cilët nuk kanë ditur asgjë, derisa nuk është dekonspiruar se me Malin e Zi po bisedohet për kufi. Derisa nuk është nënshkruar marrëveshja, e madje edhe shumë kohë pas nënshkrimit të saj”, tha ai.

Edhe Florim Jusufi tha se ajo që ia betonon bindjen për gabimin e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, janë pagesat që buxheti i Kosovës, ka bërë për mirëmbajtjen e rrugës Pejë-Qakorr dhe Pejë- Kullë.

Jusufi: Kjo ma betonon që është bërë gabim janë pagesat nga buxheti

“Ajo që e betonon këtë gabim në nxjerrjen e këtij kufiri, janë këto fotografi që po i shihni. Këto janë situacionet. Pagesa që i kanë bërë buxheti i Kosovës për mirëmbajtjen e rrugës Pejë-Qakorr dhe Pejë Kullë. Të gjitha janë, ne e kemi marrë dhe i kemi fut në dokumentet për dhjetë vite, por në listën në institucionet e Kosovës ishin për çdo muaj”, tha ai.

Të gjitha këto që i prezantuan për një orë anëtarë e komisionit, nuk ia mbushen mendjen aspak zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, i cili tha se dëgjoi vlerësime dhe jo ndonjë provë materiale apo ndonjë fakt konkret nga komisioni.

Hoxhaj: S’pash prova apo fakte

“Mandatin që keni marrë nga kryeministri, nga Qeveria përveç mandatit, i cili është i votuar në mbledhje të Qeverisë, ka qenë që të gjendet e vërteta dhe vetëm e vërteta. Unë personalisht dëgjova ka vlerësime shumë të përgjithshme, por dhe jo ndonjë provë materiale dhe jo ndonjë fakt konkret. Meqë kam qenë anëtar i disa qeverive, ju jeni komisioni i 5 që merreni me ketë teme. Vërtetë iu dëgjova me vëmendje nuk ishit konkret dhe nuk pash ndonjë qartësi të re. Kur kemi marrë vendim në mbledhje të Qeverisë, unë kam thënë se kur temat janë komplekse, është detyrë e komisionit dhe politikës që t’i thjeshtësoj. Sot e kam përshtypjen se e keni kompliku dhe më shumë“, tha ai.

E Bulliqi tha se nuk kanë ardhur ta akuzojnë askënd, por ta nxjerrin një të vërtetë.

Bulliqi: Ne s’po akuzojmë askënd, po e nxjerrim në shesh një të vërtetë

“Një çështje duhet ta keni parasysh, që esenca dhe puna jonë nuk është në këtë rast ta akuzojmë askënd. Ne nuk jemi ardh me qit këtu para gjyqit askënd. Ne kemi punuar për hirë të së vërtetës, për me mujt me nxjerr në shesh një të vërtetë reale rreth këtij procesi. Jemi shumë të brengosur për gjendjen në të cilën jemi”, tha ai.

Në fund Bulliqaj dorëzoi një kopje të raportit, derisa me një abstenim qeveria procedoi raportin dhe marrëveshjen në Kuvend.

Ndryshe Qeveria në këtë mbledhje ka miratuar edhe propozim vendimin për caktimin e zonës ekonomike të Gllogovcit, si lokacion për ndërtimin e stadiumi kombëtar të Kosovës.

Hoxhaj përqeshë punën e komisionit të Haradinajt: Nuk sollët asgjë të re!

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka deklaruar se dëgjoi vlerësime dhe jo ndonjë provë materiale apo ndonjë fakt konkret nga komisioni i ri për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror në lidhje me shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Hoxhaj në mbledhjen e kabinetit qeveritarë, ka thënë se Qeveria është e interesuar ta shtyjë këtë çështje përpara duke dërguar në Kuvend.

Ai tha se dëgjoi vlerësime të përgjithshme por jo ndonjë fakt konkret.

“Mandatin që keni marrë nga kryeministri ka qenë të gjendet e vërteta. Unë dëgjova vlerësime dhe jo ndonjë provë materiale dhe jo ndonjë fakt konkret. Ju jeni komisioni i 5 që merreni me këtë temë. Iu dëgjova me vëmendje, nuk ishit konkret dhe nuk pash ndonjë qartësi të re. Kur kemi marrë vendim më mbledhjen e Qeverisë, unë kam thënë se kur temat janë komplekse është detyrë e komisioneve dhe politikës që t’i thjeshtësojë, sot e kam përshtypjen që e keni komplikuar edhe më tutje”, tha ai.

Ai ka shtruar pyetjen se si mundet të bëhet shënimi i një kufirit  me dy kritere, duke përdor kriterin katastral në një pjesë dhe kriteri topografik që ka përdorë komisioni.

Gruda: Marrëveshja cenoi rënd tërësinë territoriale

Anëtari i Komisioni për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, profesori Zejnullah Gruda ka deklaruar se puna e ish-komisionit për shënjimin e kufirit me Malin e Zi është karakterizuar nga mos njohja e thellë e së drejtës ndërkombëtare, e së drejtës diplomatike dhe sidomos e së drejtës së traktateve.

Kjo sipas tij, nuk ka të bëjë vetëm me komisionin por edhe me një numër të madh akterësh kosovarë nga fusha e marrëdhënieve me botën e jashtme.

Ai para kabinetit qeveritar është ndalur për punën e ish-komisionit në aspektin e të drejtës ndërkombëtare, dhe vlerësimi i kësaj pune nuk mund të anashkalojë marrëveshjen e 2015 me Malin e Zi për kufirin, me të cilën është cenuar rënd tërësia territoriale e Kosovës.

Gruda: Delegacioni i Kosovës është ngutur të arrijë marrëveshje

Derisa kryetari i komisionit për shënjimin e vijave kufitare ka paraqitur të gjeturat e komisionit për demarkacionin, Zejnullah Gruda ka thënë gjatë kësaj mbledhje se ka ndodhur që dy delegacionet të takohem me agjenda të ndryshme.

“Komisioni ynë ka shkuar për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit, ndërsa Mali i Zi për të bërë përcaktimin e vijës kufitare – delimikacionin”, ka thënë Gruda. 

Sipas tij, është e paqartë dhe e pakuptueshme se si ka pranuar pala e Kosovës të hyjë në këso lloj negociatash. "Është e paqartë dhe e pakuptueshme si ka pranuar komisioni ynë të hyjë në ato negociata". 

“Delegacioni i Kosovës është ngutur të arrijë marrëveshje, derisa komisioni ynë nuk e ka ditur apo nuk e ka kuptuar mandatin e tij". 

Gruda, gjithashtu, ka cituar edhe marrëveshjen mes dy shteteve dhe thotë se dy komisionet, ai i Kosovës dhe ai i Malit të Zi kanë kompetenca të ndryshme.

Këto janë të gjeturat e komisionit për demarkacionin

Kryesuesi i Komisionit për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, Shpejtim Bulliqi ka thënë se raporti i ish komisionit Shtetëror për Demarkacion nuk është në përputhje me vijat ekzistuese kufitare mes Malit të Zi dhe Kosovës.

Këtë ai e bëri të ditur gjatë raportimit në mbledhjen e Qeverisë, duke folur edhe për të gjeturat tjera.

Sipas tyre, ish komisioni nuk ka përdorur shumë fakte të cilat i kanë pasur dhe janë pajtuar vetëm me ato që ka ofruar Mali i Zi.

Këto janë disa nga të gjeturat e tyre për gjetjet e ish-komisionit shtetëror për shënjimin e kufirit me Malin e ZI:

-Puna e ish komisionit është drejtuar me të meta thelbësore të cilat edhe kanë determinuar këto përfundime.

-Ish komisioni ynë ka tejkaluar kompetencat e tija duke i lejuar vetës t’i futet përcaktimit të vijës së re mes Kosovës dhe Malit të Zi pa një marrëveshje ndërkombëtare paraparake.

-Kjo për fakte se në marrëveshjen e nënshkruar është thënë se çështja e demarkacionit është lënë të kryhet brenda dy viteve pasi të hyjë në fuqi kjo marrëveshje.

-Ish komisioni ynë ka qenë i thirrur të shënjojë vijën e dikurshëm kufitare dhe në asnjë mënyrë të shënjojë vijë të re kufitare me Malin e Zi.

-Nga materialet e ish komisioni konstatohet se nuk është trajtuar dokumentacioni për kufizimin e kufirit me Malin e Zi nga vitit 45-46 dhe të dhënat shoqëruese hapësinore.

-Gjatë negociatave janë prezantuar të dhënat se dëshmojnë se pjesët e Kosovës kanë mbetur jashtë territorit të Kosovës, por pastaj janë larguar nga tavolina e bisedimeve gjatë marrëveshjes.

-Ish komisioni e ka pranuar si të mirëqenë se cdo mungesë e mbulimit të territorit me kadastër nga ana jonë është pranuar se i takon palës malazeze. Nga të dhënat e siguruara vihet në përfundim se kontrolli fektiv  i institucioneve tona mbi ato territore ka ekzistuar pa ndërprerë që nga vitit 1945-46 me vendosjen e vijës administrative mes Kosovës dhe Malit të Zi deri në ditët e sotme.

-Në punën e ish komisionit komisioni konstaton në mënyrë unanime se vija kufitare në marrëveshjen për kufirin mes Kosovës dhe Malit të 26 gushtit 2015 nuk është në përputhje me vijën administrative kufitare të ish krahinës socialiste autonome të Kosovës.

***
Kryetari i Komisionit Qeveritar për vlerësimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi, tha sot se marrëveshja për demarkacionin e kufirit, e nënshkruar në vitin 2015, ka të meta thelbësore.

Në raportimin e tij para qeverisë, Bulliqi tha se vija kufitare Kosovë- Mali i Zi ka pësuar ndryshime në krahasim me hartat e fundit.

“Komisioni ynë ka konstatuar në mënyrë unanime se vija kufitare nuk është në përputhje me vijën administrative të ish Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës”, tha Bulliqi.

“Jemi munduar që përkundër presioneve politike dhe mediatike, të brendshme dhe të jashtme, në afat kohor, ta përmbushim suksesshëm këtë raport”, shtoi ai.

Bulliqi ka kritikuar punën e komisionit të drejtuar nga Murat Meha.

“Puna e ish komisionit është reflektuar me të meta thelbësore që kanë determinuar këto lëshime. Ish komisioni i është futur delimitimit të kufirit pa një marrëveshje paraprake”, tha ai.

Bulliqi prezanton para Qeverisë raportin për Demarkacionin

Komisioni për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror sot prezanton para qeverisë së Kosovës, raportin e të gjeturave të reja në lidhje me demarkacionin me Malin e Zi.

Në mbledhjen e qeverisë e cila nis në orën 9:00, pikë e rendit të ditës është edhe raportimi i kryetarit të këtij komisioni Shpejtim Bulliqi i cili do të prezantojë të gjeturat rreth Demarkacionit,  i cili ka konfirmuar se tashmë raporti për këtë çështje është i përfunduar.

Prezantimin e raportit nga ana e Bulliqit e ka paralajmëruar të premten edhe kryeministri i vendit Ramush Haradinaj.

“I kam propozuar që një mbledhje të ardhshme të vijnë të na propozojnë në mbledhjen e qeverisë. Me siguri si konkluzë do të dalë se marrëveshjen duhet ta procedojë Qeveria në Parlament. Të gjeturat e raportit ia procedojmë Kuvendit. Sa na përket neve si Qeveri pas njohjes së materialit nuk na mbetët shumë punë pos me proceduar në Kuvend. Mundemi të hënën me mbajt një mbledhje të qeverisë por së pari të kemi konsulta paraprake”, tha Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat