Thaçi kundër Haradinajt: Debatet shterpe akademike morën fund, ratifikojeni marrëveshjen në Kuvend

Aktuale

Thaçi kundër Haradinajt: Debatet shterpe akademike morën fund, ratifikojeni marrëveshjen në Kuvend

Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 11:43
Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, thotë me vendimin e sotëm të Qeverisë për të proceduar ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, në Kuvendin e Kosovës, merr fund saga e siç thotë ai ‘debateve shterpe akademike, e cila duke mos sjellë asnjë argument të ri, për tri vite me radhë ka prolonguar izolimin e qytetarëve të vendit, duke shkaktuar konfuzion dhe frikë se kinse Kosova rrezikon të humbet territor’.

Në Facebook, presidenti ka theksuar se mirëpret vendimin e qeverisë për procedimin në Kuvend të marrëveshjes për demarkacionin, ku ka kërkuar nga deputetët edhe ratifikimin e sa më të shpejt të saj, në mënyrë që vendit t’i hiqet regjimi i vizave.

Postimi i Thaçit në Facebook

E mirëpres dhe përgëzoj Qeverinë e Republikës së Kosovës për vendimin e sotëm për të proceduar për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Dua të besoj në vullnetin politik dhe shtetëror të përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve, por njëkohësisht ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake të tyre, që të jenë të bashkuar në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje ndër-shtetërore.

Ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi i jep fund izolimit të vendit tonë, duke mundësuar heqjen e regjimit të vizave, por edhe e forcon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë.

Me vendimin e sotëm të Qeverisë merr fund saga e debateve shterpe akademike, e cila duke mos sjellë asnjë argument të ri, për tri vite me radhë ka prolonguar izolimin e qytetarëve të vendit, duke shkaktuar konfuzion dhe frikë se kinse Kosova rrezikon të humbet territor.

Tani është koha që Kuvendi i Republikës së Kosovës të marrë vendimin e vet meritor në interes të qytetarëve të vendit, të cilët me durim të pashembullt janë duke pritur me vite të tëra heqjen e vizave, respektivisht heqjen e izolimit. HTH

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat