Ministri i MFSK-së, pjesë e konferencës së ‘Kartës së Adriatikut-A5’

Aktuale

Ministri i MFSK-së, pjesë e konferencës së ‘Kartës së Adriatikut-A5’

Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 15:53
Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës Rrustem Berisha

Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës Rrustem Berisha, dhe delegacioni që e shoqëronte në përbërje: drejtori i Drejtorisë për Politika dhe Plane të MFSK-së, Faruk Geci dhe koloneli Fadil Hadergjonaj, këshilltar ushtarak i ministrit, zhvilluan disa takime bilaterale në Ohër të Maqedonisë, gjatë punimeve të konferencës SHBA- Karta e Adriatikut-A5.

Sipas komunikatës për media nga MFSK, ministri Berisha dhe delegacioni i ministrisë për FSK-në, u takuan me ministren e Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska-Jankovska. Në takimin e përbashkët të dy ministrave u bisedua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive dhe dyja vendeve.

Berisha i shprehu ministres Shekerinska, gatishmërinë e MFSK/FSK për pjesëmarrje në operacione jashtë vendit me kapacitetet aktuale, pastaj u bisedua për shkollimin e kadetëve të FSK-së nga radhët e komuniteteve pakicë në Akademinë e Mbrojtjes të Maqedonisë, si dhe gatishmërinë e FSK-së për të ofruar trajnime në Qendrën e Trajnimit të FSK-së, për Kërkim- Shpëtim të personelit të Ushtrisë së Maqedonisë, dhe me theks, që ka Kosova ka nevojë për mbështetje në rrugën e saj për anëtarësim në iniciativa rajonale dhe më gjerë.

Berisha në Ohër, zhvilloi një takim edhe me ministrin e Mbrojtjes së Bullgarisë, Krasimir Karakachanov, me të cilin biseduan për situatën e sigurisë në rajon e më gjerë.

Ministri i Kosoves dhe ministri bullgar Karakachanov biseduan edhe lidhur me inicimin e proceduarave për arritjen e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive dhe dy vendeve në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, e gjithashtu u bisedua edhe për kapacitetet trajnuese në fushën e Policisë Ushtarake, të cilat i posedon Forcat  e Armatosura të Bullgarisë, e që do të ishin të dobishme për FSK-në. Gjithashtu, ministri Berisha zhvilloi takim bilateral edhe me ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Malit të Zi, Predrag Boshkoviq, të cilin e uroi, me këtë rast, për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, si dhe i shprehu konsideratën për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy ministrive dhe dy vendeve.

Ai në fund, zhvilloi takim edhe me delegacionin e ministrisë së Mbrojtjes të Kroacisë të prirë nga drejtori i Departamentit për Politika dhe Plane, Petar Mehatov, me të cilin biseduan për marrëdhëniet e shkëlqyera në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes ndërmjet të dyja vendeve dhe dy ministrive  dhe për shkëmbimet e shumta dhe aktivitete të gjithanshme në kuadër të marrëveshjes bilaterale të bashkëpunimit.

Në të gjitha takimet bilaterale, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, pikë kryesore të takimeve kishte edhe procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës si dhe nevojën që ky proces të mbështetet nga shtetet mike të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat