Haliti tregon kur do të shkojë demarkacioni për votim në Kuvend

Aktuale

Haliti tregon kur do të shkojë demarkacioni për votim në Kuvend

Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 19:04
Xhavit Haliti

Komisioni shtetëror për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi sot ka prezantuar raportin pwrfundimtar para kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, shkruan Indeksonline.

Në bazë të të gjeturave, Haradinaj ka thënë se ky raport tregon se Kosova humb shumë territor me demarkimin e kaluar.

“Komisioni Shtetëror e ka argumentuar fuqishëm parimin uti possidetis juris, me çka dëshmohet se deri në Kullë dhe Zhlep, territori është menaxhuar nga Kosova. Vetëm 17% e territorit të Malit të Zi, deri më 2013, është përfshirë në regjistrat kadastralë të kësaj republike”, ka shkruar në facebook Haradinaj.

Ndonëse sot raporti u prezantua, ende nuk është caktuar një datë se kur do të shkojë në Kuvend për t`u votuar nga deputetët.

Madje, Xhavit Haliti, nga Kryesia e Kuvendit, në një prononcim ka thënë se janë duke e kërkuar një seancë, në të cilën mund të debatojnë e pastaj ta votojnë demarkacionin.

“Ne e kemi shqyrtuar dhe po kërkojmë një seancë për ta informuar kuvendin lidhur me çështjen e demarkacionit dhe për të debatuar dhe për ta votuar këtë. Variant i dytë i mundshëm është që kryeministri ose qeveria t’i drejtohet kuvendit ose kryesisë së kuvendit me kërkesë për seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje”, ka thënë Haliti.

Ndonëse po flitet për votimin e demarkacionit, Haliti tha se ende nuk kanë marrë ndonjë kërkesë zyrtare për caktimin e datës së seancës.
“Deri tani nuk kemi marrë asnjë kërkesë kështu që kur të vijë kërkesa sipas mënyrës se si i drejtohet kuvendit, kryesia e merr vendimin e vet edhe e shqyrton variantin e parë ose të dytin”, është shprehur Haliti.

Subjektet politike në vend ende nuk janë deklaruar nëse do e votojnë këtë variant të demarkacionit. Ndërkaq, kujtojmë se demarkacioni mbetet ende kusht për liberalizimin e vizave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat