Vetëvendosje kundërshton demarkacionin, Haxhiu flet për mënyrat e kundërshtimit të marrëveshjes

Aktuale

Vetëvendosje kundërshton demarkacionin, Haxhiu flet për mënyrat e kundërshtimit të marrëveshjes

Nga: Bota sot Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 11:40
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu ka thënë se partia pjesë e të cilës është, e kundërshton marrëveshjen e demarkacionit.

Ajo ka thënë se kryeministri do të duhej të përkujdesej që Kosova të mos humb territor e të mos i cenohet territori, por që e gjitha është bërë vetëm për postin përcjell Bota sot.

“Edhe nga personat kompetentë është vërtetuar se Kosova humb territor. Ne ende nuk e kemi parë se çfarë përmban ky raport, por nga deklaratat që kemi dëgjuar nga Bulliqi, Kosova humb territor dhe për këtë duhet të njoftohet edhe Kuvendi i Republikës. Ajo që Vetëvendosje nuk e kupton është pse Haradinaj e ka proceduar në Kuvend atë marrëveshje të demarkacionit me të cilën Kosova humb territor, e që është dashur të tërhiqet ajo marrëveshje kur është zgjedhur kryeministër. Si duket ka një ndryshim në qëndrim dhe ne ende se kemi të qartë se çka po pretendon Haradinaj të bëjë me këtë çështje”, është shprehur ajo pas mbledhjes së kryesisë.

Ajo ka folur edhe për PDK-në, e cila tha se kjo parti është gati për gjithçka që ta mbrojë marrëveshjen e Hashim Thaçit.

“Ende pa përfunduar mbledhja e qeverisë, PDK doli me deklaratë se duhet të votohet marrëveshja e nënshkruar nga Hashim Thaçi. Siç duket ky subjekt politik nuk e ka hallin as tek humbja e territorit, as te liberalizimi i vizave, por halli i vërtetë është tek nënshkrimi që Hashim Thaçi ka dhënë tek marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi dhe duke pasur parasysh që sipas kodit penal, falja e territorit është tradhti ndaj vendit, sigurisht që ky është shqetësimi më i madh që ka PDK-ja. Pra këta janë në gjendje që ta anashkalojnë edhe tërë punën e komisionit që ka bërë deri më tani, vetëm e vetëm që t’i qëndrojnë pas Hashim Thaçit, sepse ky është halli i vetëm që ka PDK-ja”, ka deklaruar Albulena Haxhiu.

Sa i përket mënyrave të kundërshtimit të vetëvendosjes për marrëveshjen e demarkacionit, ajo tha se për këtë do të vendosin në mbledhjen e kryesisë së partisë, që ta shoshin si do të kundërshtojnë./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat