Apostolova: Politikanët të mos mbajnë peng të rinjtë e Kosovës

Aktuale

Apostolova: Politikanët të mos mbajnë peng të rinjtë e Kosovës

Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 13:02
Konferenca “Rëndësia e përafrimit të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së: Sfidat dhe mundësitë”

(E plotësuar) - Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova të martën tha se është kundër dërgimit të demarkacionit në Gjykatën e Arbitrazhit, pasi që kjo çështje është zvarritur dhe duhet të zgjidhet.

Kështu deklaroi ajo në tryezën e rrumbullakët për statusin aktual të mbrojtjes së sinjalizuesve, ku apeloi udhëheqësit e institucioneve të Kosovës që të sigurojnë argumentet e nevojshme me të cilat ata do të kërkojnë heqjen e regjimit të vizave për Kosovën.

Apostolova: Pala kosovare të sigurojë argumentet e nevojshme për heqjen e vizave

“Ne iu bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që të sigurojnë për ne argumentet e nevojshme me të cilat ne, komisioni dhe shërbimet do të dalin përpara shteteve anëtare të BE-së dhe me të cilat ata do të kërkojnë heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Pra dje, kalimi i këtyre dy dokumenteve siç edhe ministri Tahiri na përkujtoi, është një hap shumë i rëndësishëm sepse tani procesi është duke vazhduar, Kuvendi, anëtarët e Kuvendit, në  njërën anë do të kenë marrëveshjen e demarkacionit të kufirit e cila tashmë ekziston si propozim, dhe në anën tjetër do kenë argumentet e komisionit të sapoformuar”, u shpreh Apostolova.

Ajo përsëriti se problemi i demarkacionit nuk duhet të zgjatet më shumë pasi që qytetarët e Kosovës meritojnë lëvizje të lirë.

Apostolova: Nuk dua që politikanët të mbajnë peng të rinjtë e Kosovës

“Dua t’iu kujtoj edhe njëherë që demarkacioni i kufirit me të vërtetë thelbësor për t’u zgjidhur. Nuk dua që politikanët të mbajnë peng të rinjtë e Kosovës, një rini fantastike që meriton lëvizje të lirë, që ndoshta nuk iu kujtohet konflikti dhe duan të jenë pjesë e Evropës. Kërkoj nga të gjithë ata që do ta kenë rastin të votojnë të kenë këtë në mendje”, tha Apostolova. 

Apostolova: BE, e përkushtuar për rajonin dhe paqen

Nëpërmjet përafrimit me Bashkimin Evropian, politikën e tij të jashtme, ne përmbushim interesat e shtetit tonë, interesat e qytetarëve dhe interesat kombëtare. Nëpërmjet këtij përafrimi, ne forcojmë subjektivitetin tonë ndërkombëtarë, bëhemi pjesë e një organizate politike, e cila është njëra prej akterëve më të rëndësishëm botërorë.

Kështu ka thënë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i  Kosovës,  Behgjet Pacolli, në konferencën e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës me mbështetjen e organizatës gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar GIZ të titulluar “Rëndësia e përafrimit të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së: Sfidat dhe mundësitë”.  

“Le t’i tregojmë qytetarëve tanë, mirëpo edhe klasës politike, e cila ndoshta nuk mund t’i kuptojë plotësisht këto koncepte: pse ne jemi duke u përafruar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, pra perëndimit. Ne po e bëjmë këtë sepse ne jemi të vendosur që të jemi gjithherë me perëndimin. Ne po lëvizim drejt perëndimit dhe perëndimi nuk vjen te ne, BE nuk vjen te ne”, ka thënë Pacolli.

Në vazhdim të prezantimit të tij, ministri Pacolli ka kërkuar më shumë koordinim me aleatët dhe unifikim të politikës së brendshme.

“Ne nuk mund të sillemi sikur jemi qendra e botës. Duhet të koordinohemi me aleatët tanë më të mirë, sepse që nga koha e Skënderbeut, ne e kemi këtë mesazh: bashkimi bënë fuqinë. Ne nuk mund ta sfidojmë Bashkimin Evropian me lojërat tona të brendshme politike, as  të shfrytëzojmë atë për këto lojëra”, është shprehur Pacolli.

Ai ka përmendur edhe punën, që është bërë deri më tash nga institucionet vendore në këtë drejtim dhe gjithashtu edhe sfidat që mbesin përpara.

“Është shumë e rëndësishme të përmendet, që deri më tash, Kosova plotësisht e ka përafruar politikën e saj të jashtme, megjithëkëtë më shumë hapa duhet të ndërmerren në linjë me kërkesat që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit”, ka thënë Pacolli.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka potencuar se integrimi evropian mbetet ndër prioritetet kryesore të politikës kosovare.

Sipas saj, vlerat e BE-së konsiderohen edhe vlera të vendit tonë. Ajo, gjithashtu foli edhe për rëndësinë e sundimit të ligjit dhe sigurinë si kritere të rëndësishme për një të ardhme të përbashkët evropiane.

Paneliste tjetër e këtij debati ishte edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova.

Ajo ka vlerësuar se vendet aspiruese për anëtarësim në BE nga Ballkani  Perëndimor janë fqinjët e Bashkimit Evropian, duke theksuar kështu perspektivën evropiane të këtij rajoni drejt integrimit në BE.

Veç kësaj, Apostolova foli edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çka ka thënë se kjo tregon përkushtimin e BE-së për rajonin dhe paqen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat