Mediat, zë i rëndësishëm për luftimin e korrupsionit

Aktuale

Mediat, zë i rëndësishëm për luftimin e korrupsionit

Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 13:02
Tryeza “Roli i gazetarisë hulumtuese në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit-përvojat, sukseset, sfidat"

Mediat janë zë mjaft i rëndësishëm për luftimin e korrupsionit dhe shteti duhet t’i përkrahë mediat që ta bëjnë punën e tyre siç e lejon Kushtetuta.

Kështu u tha sot në tryezën me temën “Roli i gazetarisë hulumtuese në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit-përvojat, sukseset, sfidat", organizuar nga GIZ dhe Agjencia kundër Korrupsionit.

Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, Shaip Havolli tha se liria e shprehjes dhe medias është thelbësore për të raportuar rastet e korrupsionit, ndërsa qasja në informacione ndikon në rritjen e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë për sjelljet e tyre

Havolli tha sfidë mbetet luftimi i korrupsionit në vend,  mirëpo sipas tij bashkëpunimi me gazetarët  kanë ndikuar që të penalizohen zyrtarë për çështje të ndryshme, qoftë për korrupsion apo prokurim publik.

Havolli: Kemi penalizuar zyrtarë

“Gjatë këtij viti kalendarik përafrisht ka mbi 80 kërkesa që mediat kanë bërë kërkesa në agjencion për tu përgjigjur dhe po ashtu në mesin e tyre pra mediat kanë plasuar edhe informacione që si rezultat i tyre ne kemi penalizuar disa zyrtarë qoftë në çështje të korrupsionit, çoftë në çështje të deklarimit të konfliktit të interesit, çështje të prokurimit publik. Do me thënë, mediat kanë qenë edhe një raportues i mirë i disa çështjeve”, tha ai.

Havolli po ashtu ka kërkuar nga institucionet vendore që të jenë sa më të hapura me mediat deri në instancat që janë të rregulluara me ligj.

Ndërsa, ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt tha gjyqësori dhe shteti duhet t’i përkrahë dhe t’i mbulojë mediat që ato ta bëjnë punën e tyre siç e lejon kushtetuta.

Heldt: Gjyqësori duhet t’i përkrahë mediat

“Gjyqësori apo shteti duhet t’i përkrahë mediat, t’i mbulojë mediat që ato ta bëjnë punën e tyre në secilën mënyrë kushtetuese dhe të sigurojnë nëse ata merren me çështje sensitive, atëherë liria e tyre që ta bëjnë hulumtimin e tyre dhe të publikojnë informacione kritike nuk po përkeqësohet apo nuk po kanë konflikt me aktet tjera që dalin që kanë të bëjnë me parandalimin e mediave që ta bëjnë punën e tyre për atë shteti e ka përgjegjësinë kyçe në këtë. Në anën tjetër, mediat duhet ta gjejnë mënyrën në çështje të mëdha të korrupsionit apo në shpëlarjen e parave që kishim edhe në nivelin ndërkombëtar”, tha ai.

Driton Muharremi, gjyqtar në Gjykatën e Apelit, ka thënë se parim kryesor i gjyqësorit vendor mbetet krijimi i një bashkëpunimi të mirë me mediat dhe shoqërinë civile, me qëllim të rritjes së besimit të qytetarëve të Kosovës ndaj gjyqtarëve.

Ai po ashtu tha se gjyqësori nuk duhet të shihet në sytë e mediave si një opozitë, por të shihet si  partner në rrugën e fitimit të besimit të qytetarëve.

Muharremi: Duhet të krijohet një praktikë e re

“Duhet një praktikë e re nga ana e gjyqësorit, një formë e re e të ashtuquajturës marketing të punës së saj me qëllim të përmirësimit të imazhit, sepse ne pavarësisht perceptimeve të opinionit dhe statistikave që dalin për një besim të ulët në gjyqësorin e Kosovës por ne nuk mund ta mohojmë faktin që kemi gjyqtar të mirë, kemi gjyqtar të ndershëm. Gjyqësori nuk mund të shihet në sytë e mediave si një opozitë e saj apo si një mundësi për të përfituar prej gjyqësorit dhe dështimeve të saj, por mendoj që duhet të shihet si partnere në rrugën e qëllimit të përbashkët e që është ajo që përmes transparencës dhe bashkëpunimit të fitojmë besimin e qytetarit në sistemin e gjyqësorit të Kosovës”, tha ai.

Sipas tij gjyqësori e ka dhënë shembullin më të mirë për bashkëpunim me media pasi u ka mundësuar atyre që të përcjellin rastet e të ndryshme qoftë edhe për korrupsion.

Ndërsa, Baki Kelani nga Policia e Kosovës tha se gazetarët janë zë i rëndësishëm që ndikojnë në aspekte pozitive te të gjitha institucionet publike dhe se fal raportimeve mediave edhe ata si institucion kanë hapur raste për natyra të ndryshme, qoftë edhe për korrupsion.

Kelani po ashtu tha se fal bashkëpunimit me mediat kanë arritur që të rangohen si institucion i besueshëm dhe transparent për qytetarët e Kosovës.

Kelani: Nevoja e institucioneve për bashkëpunim me media e ndërsjellët

“Është një nevojë e madhe e të gjitha institucioneve që të kenë një bashkëpunim të ndërsjellët, sepse çdo kund ku kemi shkëputje të zinxhir bashkëpunues e në këtë rast të jetë një shkëputje  me gazetarët me mediat që mbulojnë këtë fushë me të vërtetë është një dëm i madh për çdo institucion, por flas edhe për vetë Policinë e Kosovës. Ne jemi munduar t’iu hapim dyert në maksimum kuptohet deri në atë pikë ku ligji e mundëson dhe kemi arritur që me bashkëpunimin e ndërsjellët që kemi të arrijmë të rangohemi si institucionet përveç asaj më të besuara të arrijmë të prangohemi edhe si institucioni më transparent”, tha ai.

Kelani po ashtu tha se me qëllim që gazetarët të kenë qasje më të lehtë për informacione në Policinë e Kosovës ata kanë krijuar nëntë zyra për informim në regjione të ndryshme të vendit.

Gazetarja e Kohavizion, Ardiana Thaçi ka shpalosur sfidat me të cilat ajo ballafaqohet gjatë raportimit për raste të ndryshme, duke thënë se gazetarët shpesh herë mbesin  vetëm drejt zbardhjes së një të vërtete.

Ajo përmendi sfidat që ka hasur gjatë raportimit për rastin e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi duke thënë se ndaj saj ka një mbyllje totale nga ana e prokurorisë pasi ka kërkuar të di se ku ka mbetur dosja Lumezi. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat