MMPH ndan mirënjohje për përfaqësuesit e organizatave joqeveritare

Aktuale

MMPH ndan mirënjohje për përfaqësuesit e organizatave joqeveritare

Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 16:23
Pamje nga takimi

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, me qëllim të bashkëpunimit për realizimin e projekteve mjedisore, priti sot në takim përfaqësuesit e organizatave joqeveritare të Kosovës.

Reshitaj tha se në vendin tonë Dita e Vullnetarizmit nuk vlerësohet aq sa duhet dhe sipas saj të jesh vullnetar në një vend që është në zhvillim është punë e madhe.

Ajo po ashtu tha se qëllimi i kësaj dite është vetëdijësimi i opinionit publik për zhvillimin e shoqërisë.

Reshitaj: Qëllimi i kësaj dite është t’u falenderohemi vullnetarëve

“Puna juaj për mjedisin, anagazhimi vullnetar, organizimi në të mirën e komunitetit me të vërtet janë misione të rëndësishme për shoqërin por edhe shtetin tonë. Qëllimi i kësaj dite është t’i falenderohemi vullnetarëve, organizatave joqeveritare vullnetare për përpjekjet e tyre në komunitet dhe për të rritur gjithashtu ndërgjegjësimin e opinionit publik për të kontribuar secili në mënyrën e vetë aq sa ka mundësi për të zhvilluar një shoqëri”, tha ajo.

Në këtë konferencë pjesëmarrëse ishin edhe disa organizata si: Paqja me natyrën, Inovator, Era, Pen, Let’s do it Kosova, HDPK, Ekovizoni, Green Art Center-Prishtina, të cilat prezantuan aktivitetet dhe kërkesat e tyre në fushën e mjedisit.

Përfaqësuesi i “HDPK”, Agim Vatovci, organizatë kjo e personave me aftësi të kufizuar, dha shembuj të ndryshëm për shtetet e jashtme dhe funksionimin e ligjit dhe mungesën e ligjeve të tilla.

Vatovci: Medaljet s’mund t’i hamë

“I kam 3 medalje të arta, por ato nuk hahen...Kam qenë 7 herë në Amerikë për 4 vite dhe atje e kam parë se më së shumti vlerësohen  3 gjëra artizanatet, e mbi të gjitha puna vullnetare”, tha ai.

Fatos Lajçi, përfaqësues i organizatës “Era”, tha se mungon partneriteti në mes zyrës së Parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri” dhe banorëve të asaj ane për shkak të mungesësë së buxhetit.

Ai tutje kërkoi që banorët e asaj zone të jenë pjesë përbërëse e menaxhmentit të parkut.

Lajçi: Të garantohet buxhet për parqet kombëtare

“Ideja jonë kishte me qenë që ju si ministre për të shikuar bashkë me Ministrinë e Ekonomisë apo me Ministrinë e Financave ose në rishikim të buxhetit që Parku kombëtar me pas një buxhet të caktuar dhe të garantuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ose në të kundërtën na del që të gjitha parqet të mbesin si farsë, si një shprehje e bukur që na kemi qef me pas. Banorëve që jetojnë në zonë duhet t’u japim hapësira ose bashkëpronësi të parkut, jo ata të ndihen të përjashtuar nga vendimmarrja, por të jenë pjesë përbërëse e menaxhmentit të parkut”, ka thënë ajo.

Krejt në fund ministrja Reshitaj ndau mirënjohje për të gjithë përfaqësuesit e organizatave dhe i inkurajoi ata për punën e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat