Akuza tronditëse në Kuvend: Komandant Drini është vrarë me urdhër të Thaçit dhe Veselit

Aktuale

Akuza tronditëse në Kuvend: Komandant Drini është vrarë me urdhër të Thaçit dhe Veselit

Më: 6 dhjetor 2017 Në ora: 07:25
Kadri Veseli dhe Ekrem Rexha, komandant Drinit

(E plotësuar) - Deputetët e Kuvendit kanë miratuar Projektligjin mbi masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.

Ky projektligj mori 80 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Ministri i Financave Bedri Hamza, duke prezantuar projektligjin, tha se ky projektligj i shërben prioriteteve të Qeverisë dhe Ministrisë së Financave për të krijuar ambient të favorshëm për të bërë biznes në Kosovë.

Ndërsa, kryetari i komisionit për buxhet dhe financa Lumir Abdixhiku, theksoi se projektligji nuk paraqet buxhet shtesë për buxhetin e Kosovës. Ai tha se komisioni që ai udhëheq ka dhënë rekomandimin që të miratohet në lexim të parë ky projektligj. Këtë projektligj e kanë mbështetur të gjitha grupet parlamentare.

 Seanca është përmbyllur  ku nuk ka arritur që të votohet projektligji për buxhetin e vitit 2018.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar projektligjin Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për financim shtesë për Projektin për bujqësi dhe zhvillim rural ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Për këtë projektligj kanë votuar 84 deputetë, ndërsa kundër nuk ishte asnjë dhe nuk kishte asnjë abstenim.

Zeka-ministrave: Ejani në Kuvend, ose leni çelësat dhe veturat e shkoni në shtëpi

Deputeti i Nismës Milaim Zeka ka kritikuar kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, për mospjesëmarrjen e të gjithë ministrave në Kuvendin e Kosovës.

Zeka, i ka thënë kryeministrit se nëse vazhdohet kështu do të marrin rolin e opozitës për të shkarkuar këtë Qeveri.

“Kryeministër, tërhiqjau vëmendjen ministrave që të vijnë në Kuvend. Sepse ne jemi mbi juve, kur të dojmë ju rrëzojmë dhe kur të dojmë ju çojmë. E kam shumë seriozisht, Kryeministër ju po vini këtu për të na dëgjuar ndërsa ministrat nuk po vijnë, vetëm atëherë kur por iu teket. Ejani në Kuvend ose lerni çelësat dhe veturat e shkoni në shtëpi”, u shpreh Zeka.

Aprovohet projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për konkurrueshmërinë

Kuvendi miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për projektin e konkurrueshmërisë dhe gatishmërisë për eksport ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Ky projektligj mori 83 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

****

Projektbuxheti për vitin 2018 nuk ka marr votat e mjaftueshme të deputetëve.

Pas një debati dy ditësh nga ana e deputetëve projektbuxheti është hedhur në votim por që nuk ka marrë votat e mjaftueshme.

Për projektbuxhetin kanë votuar vetëm 58 deputetë që nuk ka  kuorum për t’u miratuar, pasi që opozita nuk ka dashur të marrë pjesë në votim.

 Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se gjatë seancës do ta hedh përsëri në votim. Tash po debatohet për pikat e tjera të rendit të ditës.

Molliqaj për Veselin: Nuk e di pse po ikë ai njeri

Deputeti Dardan Molliqaj e ka kritikuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli për fjalorin e përdorur ndaj deputetes së VV-së, Drita Millaku.

Veseli reagoi ndaj Millakut, pas akuzave të saj se Kadri Veseli e Hashim Thaçi janë  urdhërdhënësit e vrasjes së komandant Drinit.

Image

Veseli iu drejtua Millakut duke thënë se “nuk bën të lëshohet fjala si… p’e din ti”, duke thënë se do të zbulohet akuza e drejtuar ndaj tij nga deputetja. Millaku reagoi, pasi që një prej deputetëve të PDK-së tha se vjehrri i saj ka punuar me UDB-në.

 E kur Molliqaj deshi ta pyes Veselin për këto fjalë të tij, ai kishte dalë nga salla paraprakisht, duke thënë se “nuk e di pse ky njeri ikë në këso raste”.

“A po mendon që duhet me bo qashtu, që guxon me bo qashtu, apo thjesht është njeri i papërgjegjshëm. Po pres kur të jetë këtu dhe të përgjigjet për ato fjalë që i tha ndaj deputetes tonë, Drita Millakut”, tha Molliqaj.

Akuzave të deputetes Millaku, iu ka përgjigjur edhe kryetari i PDK-së dhe i Kuvendit Kadri Veseli, i cili tha se do të përgjigjet secili për të bëmat dhe deklaratat e veta.

Veseli: S’do të ikë askush nga përgjegjësia për atë çka flet e çka ka bërë 

“Është mirë kjo foltore të përdoret për gjëra të mirëqena dhe dinjitet. Po e vërej se është duke u përdor për gjëra që nuk i takojnë, megjithatë mos e ndalni, veq nuk është ta lëshoni fjalën sikurse po e dini, por është mirë të keni dinjitet, është mirë të merrni përgjegjësi për atë çka folni. Është mirë të merrni përgjegjësi edhe jashtë këtij Parlamenti të shkoni diku tjetër, por do të vijmë edhe tek ato gjëra ngadalë- ngadalë. Pritne prej janari do të vijmë me të mira shumë, nuk do t’i ikë askush në këtë dynja çka ka bërë e çka flet, veç ka marrë fund koha e ish Serbisë, ka marrë fund përgjithmonë dhe këtë futne në kokë dhe do të ballafaqohemi për të gjitha gjërat të zoti e të njeriu, a Kuvendi është për të folur për gjëra që kanë të bëjnë me qytetarët e Kosovës”, tha Veseli.

Deputetja Millaku gjatë seancës së paradites ka akuzuar presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli se kanë dhënë urdhër për vrasjen e komandant Drinit.

Deputetët e opozitës kritikojnë projektbuxhetin, Hamza e arsyeton

Seanca e mbetur dje në gjysmë ku në rend dite ka qenë projektbuxheti për vitin 2018 po vazhdon edhe sot.

Gjatë paradites në seancë nuk ishin shumica e anëtarëve të kabinetit qeveritar e as kryeministri Ramush Haradinaj, përveç ministrit të Financave Bedri Hamza.

Sikurse dje projektbuxheti i propozuar nga ministri Hamza është kritikuar nga deputetët e opozitës si i mangët dhe jo profesional.

 Deputeti i Vetëvendosjes Faton Topalli tha se për 17 vjet nuk doli askush që këtë vend ta nxjerr nga balta.

Ai përmendi faktin se duke pasur rezerva të thëngjillit e ende e ka çmimin më të lartë në rajon.

Topalli: Asnjë ministër nuk ke në gjendje ta nxjerr këtë popull nga balta

“Sinqerisht duhet të pyes së si një doktor i ekonomisë, akademik si Isa Mustafa dhe tjetri dje guvernator i BQK-së i vlerësuar si ekonomist i zoti të mos dijë asgjë më shumë se për të kopjuar politikat ekonomike të një historiani. Si është e mundur që ky vend i cili jeton mbi energji që ka rezerva të thëngjillit për një mijë vitet e ardhshme dhe që paguan 50 më shumë për energji elektrike se sa vendet e rajonit. Ky vend që jeton mbi plumb, mbi arë, ky vend që ka popullsinë me të re në Evropë që të mos ketë gjetur për 17 vite me radhë as gjatë pushtetit të LDK-së, as të PDK-së një ministër të zotin që është në gjendje ta nxjerrë këtë vend nga balta”, tha Topalli.

Për këto, u kundërpërgjigj ministri i Financave Bedri Hamza, i cili i quajti vlerësime të gabueshme dhe jo reale.

 Hamza; The analiza të pasakta                                                                

“E pate një diskutim goxha analitik por me analiza të pasakta dhe të paqëndrueshme. E para buxheti është 2 miliardë e 82 milionë, nëse flet për pjesën e të hyrave është diçka tjetër, nëse flet për pjesë e të dalave buxhetore është diçka tjetër dhe buxheti është 2 miliardë e 82 milionë euro. Pjesa e të hyrave është 1 miliardë e 829 milionë plus deficiti buxhetor dhe çështjet tjera kur t’i shtohen. Gjithashtu patë prapë analiza tjera të pasakta, partnerë kryesor i Kosovës është BE, shkëmbimet me të mëdha tregtare i ka me BE-në. Sa i përket ndryshimeve, unë e di dhe gjithë pajtohen që Kosova ka nevojë për rritje ekonomike me të madhe, por rritja ekonomike prej 4.6 apo sipas vlerësimeve të BB prej 4.8 është rritja më e madhe ekonomike në regjion, është rritja më e madhe ekonomike që ka ndodh pas luftës”, theksoi Hamza.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, vlerësoi se projektligji për buxhetin e vitit 2018 është në shpërputhje me programin e Qeverisë për katër vitet e ardhshme.

 Selmanaj: Buxheti dhe programi qeverisës në shpërputhje

“Dje na u tha një e vërtetë se do të ketë rritje ekonomike 4.6 për qind në vlera nominale dhe 4.8 për qind apo 5 në vlera reale dhe kjo përafërsisht do të jetë e njëjtë për tri vitet e ardhshme, kjo është e vërteta e parë ministër. E vërteta tjetër është se në programin qeverisës është parashikuar një rritje pre 7-8 për qind. E vërteta tjetër, ju na thatë që rritja e pagave në sektorin publik në Kosovës do të jetë 3.5 për qind apo 5, mirëpo e vërteta tjetër është që në programin qeverisës keni thënë që rritje do të ketë deri në 30 për qind. Në programin qeverisës parashiheshin si prioritete dy segmente të rëndësishme, arsimi dhe shëndetësia. Dhe ju dje na thatë që do të ketë rritje të buxhetiti në këta dy sektorë, pajtohem edhe këtu, por i nderuar ministër reflektimi në këtë projektbuxhet është krejt i kundërt”, theksoi Selmanaj.

 Selmanaj e ka quajtur paradoks parashikimin në programin qeverisës se FSK-ja do të shndërrohet në ushtri, derisa në buxhet nuk ka asnjë cent shtesë përveç shumës prej 58 milionë eurove të cilat janë para të rregullta për shpenzimet që i bën FSK-ja.

Edhe ndaj deklaratave të Selmanajt iu përgjigj ministri Hamza, duke thënë se ka lidhshmëri mes buxhetit dhe programit qeverisës.

 Hamza: Programi dhe buxheti kanë lidhshmëri

 “Dua të besoj që i ke lexuar me kujdes edhe programin qeverisës edhe buxhetin, edhe ka një lidhshmëri, edhe nëse e shikojmë cilat janë prioritetet në programin qeverisës, janë të reflektuara edhe në buxhet. Nëse i kemi dhënë prioritet rendit dhe ligjit, kemi rritje të buxhetit për sektorin e rendit dhe ligjit, nëse kemi thënë që është prioritet shëndetësia, ka rritje, i vetëdijshëm që ka nevojë për rritje më të madhe edhe për arsimin, prandaj ka një lidhshmëri. E përmendët çështjen e rritjes ekonomike, besoj që më tepër ka qenë çështje teknike e numrave, mirëpo nëse e shikojmë me kujdes në projektbuxhet thotë që rritja ekonomike reale do të jetë 4.6 për qind ndërsa rritja nominale 6 për qind. Mirëpo pak më poshtë thotë që rritja mund të kalojë këto nivele nëse fillojnë investimet në projektet e mëdha gjeneruese në energji”, u shpreh Hamza.

 Seanca ku ende do të diskutohet për projektbuxhetin do të vazhdojë në orën 14:00, pasi deputetët kanë shkuar në pushim një orësh.

***

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Drita Millaku ka drejtuar akuza të rënda kundër krerëve institucionalë të Kosovës.

Madje ajo ka akuzuar presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli se kanë dhënë urdhër për vrasjen e Ekrem Rexhës, komandant Drinit, pas luftës në Kosovë.

Këtë deklaratë Millaku e ka thënë sot gjatë fjalës së saj në Kuvend ku po diskutohet projektbuxheti për vitin 2018.

 Millaku: Komandant Drini u vra me urdhër e dijeni të Thaçit e Veselit

“Buxheti për presidentin veç kemi një rritje prej 20 përqind, pra gjysmë milioni kemi me shumë. Çka po i duhet kjo rritje buxhetit të presidentit, ku nuk i ka mbetur asgjë tjetër veç të takohet me Vuçiqin dhe të bëjë shpërndarje të dekoratave dhe atë pa kriter. E në anën tjetër kërkesa për dekorimin e komandant Drinit rrinë në sirtarë që katër vite, pra nuk e dekoron sepse me urdhër të tij dhe me dijeni të tij e të Kadri Veselit ai është vrarë”, tha Millaku.

Ndaj fjalës së deputetes Millaku ka reaguar deputeti i PDK-së  Nezir Çoçaj, i cili ia ka përmendur se nëse dëshiron fakte për këtë t’i ndihmojë vjehrri i saj për të cilin tha se ka punuar në UDB(shërbimi sekret i Serbisë).

 Çoçaj: Si reja e Sylë Millakut që ka punuar në UDB është mirë të keni fakte

 “Drita Millaku si reja e Sylë Millakut, unë e di që Sylë Millaku ka fakte sepse ka punuar në organet e UDB-së dhe të Jugosllavisë, duhet të jetë më profesionale, është mirë me pas fakte kur thotë për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin që kanë dorë në vrasjen e komandant Drinit, një ushtarak i respektuar edhe nga Thaçi, edhe Veseli dhe gjithë ushtarët e UÇK-së që kanë qenë në Zonën e Pashtrikut ku ka qenë komandant, komandant Drini. Prandaj që nëse ka fakte, është mirë që edhe Syla t’i ndihmoj kapak, sepse Syla është vjehrri i deputetes Millaku  dhe ka pasur mundësi, nëse s’iu beson organeve të Kosovës t’i besoj organeve të Serbisë dhe përmes organeve të Serbisë t’i ndjek ata persona. Sa i përket gradave për polic, unë e di që burri i deputetes me gradë është i vogël por janë procedura që i bënë Ministria dhe nuk i bënë as Hashim Thaçi, askush tjetër”, tha Çoçaj.

Debati mes Millakut dhe Çoçajt ka vazhduar edhe më tutje ku deputetja e VV-së ka folur edhe për komunën e Prizrenit, ku kandidati i VV-së Mytaher Haskuka ka fituar zgjedhjet për kryetar të komunës.

***

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Besa Baftiu, ka folur në seancën e Kuvendit, ku po bisedohet rreth votimit të buxhetit, për gjendjen e rëndë në qendrat klinike të Kosovës.

Baftiu ka thënë se spitalet e Kosovës janë në gjendje të mjerë ku nuk investohet në to, dhe shumica e pacientëve duhet të udhëtojnë jashtë vendit, për mjekim të mëtutjeshëm, ndërsa nëse nuk ka të ardhura individi, sipas saj, duhet të pajtohet me fatin që e pret në Kosovë.

“Është e çuditshme se si presidenca blen një aparat fotografik 10000 mijë euro, ndërsa nuk investohet mjaftueshëm për qendrat klinike në Kosovë, ku janë në gjendje të mjerueshme”, ka thënë Baftiu.

Ajo ka reaguar edhe për “Ligjin për emergjenca” ku nuk ishte paraparë në tërësi për buxhet.

Topalli: Qeveritë shkojnë e vijnë, ndërsa politikat ekonomike mbeten të njëjta

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Faton Topalli, në seancën e cila po zhvillohet aktualisht për buxhetin e Kosovës, ka thënë që ky buxhet ka 400 faqe material te ndërlikuar për qytetarët, mirëpo nuk ka asnjë ndryshim nga buxheti i kaluar.

Topalli theksoi gjithashtu se rritja prej 104 milionë eurove, edhe pse për qytetarin duket rritje e madhe, kjo është një rritje jashtëzakonisht e vogël.

“Secili banorë do të përfitojë 0.16 cent në ditë e 5 euro në muaj më shume se nga  buxheti i kaluar, mirëpo sa do të ndryshojë gjendja e qytetarit me 0.16 cent më shumë. Kur ndërrohen qeveritë, ndryshohen politikat ekonomike, mirëpo ky buxhet është i njëjtë”, ka thënë deputeti.

Deputeti i Vetëvendosje, gjithashtu theksoi se vendi mbijeton nga remitencat e tregtia e shumë më pak nga prodhim.

***

Seanca që ishte ndërprerë dje ka vazhduar sot.

E paraparë për orën 10 ajo ka filluar me gjysmë ore vonesë, por që në të nuk po marrin pjesë asnjë nga anëtarët e kabinetit qeveritar.

 Më herët në mbledhjen e Qeverisë ishte vet kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i cili kërkoi nga ministrat që të jenë prezent në seancë, por që as ai nuk është në këtë seancë.

Nis seanca e Kuvendit, diskutohet për buxhetin

Për shkak të mungesës së kuorumit, Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë seancën e djeshme ku është diskutuar për projektbuxhetin 2018, për të vazhduar sot në ora 10.00.

Kërkesa për vazhdimin e seancës së Kuvendit është bërë nga deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, kërkesë kjo e cila u mbështet edhe nga përfaqësuesit e partive tjera politike.

Përveç projektligjit për buxhetin, në rend dite janë edhe këto pika:

2. Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për projektin e konkurrueshmërisë dhe gatishmërisë për eksport ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,

3. Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për financim shtesë për Projektin për bujqësi dhe zhvillim rural ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,

4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.

***

Sot do të vazhdoj seanca e Kuvendit duke filluar nga ora 10:00.

Kuvendi i Kosovës dje e ka ndërprerë seancën ku është diskutuar për projektligjin për buxhetin e vitit 2018.

Projektbuxheti është përcjellë me debate të ashpra dhe mospajtime ndërmjet deputetëve.

Sipas parashikimeve të Qeverisë së Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës do të grumbullojë 446 milionë euro, ndërsa Dogana e Kosovës 1 miliard e 175 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat