Merret vendimi për Azem Sylën – A do të mbetet në paraburgim?

Aktuale

Merret vendimi për Azem Sylën – A do të mbetet në paraburgim?

Më: 6 dhjetor 2017 Në ora: 12:49
Azem Syla

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla, do të vazhdoi të mbetet nën masën e paraburgimit, edhe për më shumë se një muaj.

Sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, që ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi i EULEX-it, Arkadius Sedek, më 5 dhjetor 2017, ua ka vazhduar masën e paraburgimit, Azem Sylës, Ilaz Sylës dhe Ljubisa Vujoviqit, deri më 12 janar të vitit të ardhshëm.

Azem Syla, bashkë me 39 persona të tjerë, në dy aktakuza, ngarkohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me krimin e organizuar, në rastin e njohura si “Toka”.

Arsyetimi i kryetarit të trupit gjykues, për vazhdimin e kësaj mase, është se ekziston rreziku që tre të pandehurit të pengojnë procedurën që është duke u zhvilluar ndaj tyre.
Për çështjen e paraburgimit, më 4 dhjetor të këtij viti, është mbajtur seancë dëgjimore. Në atë seancë, prokurori i rastit Danilo Ceccarelli, ka kërkuar që tre të akuzuarve t’u vazhdohet paraburgimi.

Sipas deklaratës së prokurorit, që e kishte dhënë në këtë seancë dëgjimore, caktimi i kësaj mase eliminon rreziqet që mund të paraqiten nga të pandehurit nëse ata lirohen nga masa e paraburgimit.

Ai kishte deklaruar se në këtë mënyrë, të akuzuarit mos të ikin, mos të ndikojnë te dëshmitarët dhe të mos i përsërisin veprat.

Ndërsa, mbrojtja ka kundërshtuar këtë kërkesë duke propozuar që të hiqet kjo masë e sigurisë dhe të zëvendësohet me masa tjera.

Mbrojtësi i Azem Sylës, avokati Besnik Berisha, masën e paraburgimit e ka konsideruar si shkelje e të drejtave të klientit të tij, për gjykimin në kohë të arsyeshme, pasi sipas tij, gjendja shëndetësore e të mbrojturit të tij, po përkeqësohej.

Avokati Berisha, kishte propozuar që si masë e sigurisë të caktohej arresti shtëpiak.
Kurse, edhe mbrojtësit e dy të akuzuarve të tjerë, avokatët Haxhi Millaku, mbrojtës i Ilaz Sylës dhe Zivojin Jokanoviq, mbrojtës i Ljubisa Vujoviq, kanë kundërshtuar kërkesën për vazhdimin e paraburgimit, duke kërkuar që ndaj klientëve të tyre të caktohen masa tjera të sigurisë, që Ilaz Syla të paraqitet në polici, kurse Vujoviq të lë dorëzani, për të siguruar prezencën e tij në procedurë.

Ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Azem Syla, pas lëshimit të urdhërarrestit ndaj tij dhe të tjerëve, ishte arrestuar më 29 prill të vitit 2016.

Më pas, më 30 prill të atij viti, Azem Sylës, i ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, sikur që e njëjta masë u ishte shqiptuar edhe dy të akuzuarve të tjerë në këtë rast Ilaz Sylës dhe Ljubisa Vujoviqit.

Më 30 prill 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte lëshuar aktvendimin për fillimin e hetimeve fillimisht ndaj 12 të akuzuarve, Azem Syla, Shaban Syla, Ilaz Syla, Mexhid Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Edvard Gashi, Sabedin Haxhiu dhe Hajrullah Berisha.

Kurse, në prill dhe qershor të vitit 2015 si dhe në mars e prill të vitit 2016, ishte zgjeruar hetimi, duke u përfshirë edhe Avni Maxhuni dhe Ljubosha Vujoviq.

PSRK-ja, më pas, më 24 tetor të vitit 2016, ka ngritur aktakuzën në këtë rast, e cila ishte konfirmuar më 4 prill të vitit 2017.

Më 12,13 dhe 15 dhjetor 2016, është mbajtur seanca fillestare, me ç’rast Azem Syla dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat që u viheshin në barrë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat