Hoxha: Komunikimi për procesin integrues të jetë i rregullt

Aktuale

Hoxha: Komunikimi për procesin integrues të jetë i rregullt

Më: 6 dhjetor 2017 Në ora: 14:31
Dhurata Hoxha

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka thënë se 35 kapituj të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, mbulojnë sferat e zhvillimit të një shoqërie, andaj për të arritur standardet e kërkuara për integrim, kërkohet që të avancohet në të gjitha këto fusha.

Ajo këto komente i bëri në takimin me grupin punues të zyrtarëve për komunikim të ministrive, të involvuara në procesin e integrimit evropian.

“Kërkohet koordinim i mirëfilltë dhe njëkohësisht të zhvillohet komunikim me qytetarët në baza të rregullta, në mënyrë që edhe ata ta kenë të qartë se çfarë kërkohet nga ta dhe cili do të ishte kontributi i tyre në këtë proces”, tha Hoxha.

Ministrja Hoxha kërkoi të kihet parasysh rëndësia dhe serioziteti i procesit integrues në komunikim.

“Përcillni me seriozitet procesin dhe në koordinim me Zyrën për informim të MIE-së, komunikimin e rregullt të procesit te integrimit dhe zbatimin e MSA-së, në fushat Tuaja, pasi që së shpejti, Strategjia për komunikim shkon për aprovim në Qeveri dhe ministrat gjegjës, do të kenë raportime të rregullta për nivelin e zbatueshmërisë së Strategjisë dhe sfidave të procesit”, tha Hoxha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat