Haradinaj dhe Hoti ‘kapen’ për demarkacionin

Aktuale

Haradinaj dhe Hoti ‘kapen’ për demarkacionin

Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 11:57
Avdullah Hoti

(E plotësuar) - Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, foli për tri gjëra lidhur me programin e Qeverisë, që sipas tij janë ‘punët e mëdha, premtimet elektorale dhe disa aspekte procedurale”.

Hoti tha se kjo Qeveri nuk është për punë të mëdha.

 Hoti; Pse u fshehët pas ‘raportit Bulliqi’ dhe sollët të njëjtën marrëveshje për demarkacionin

“Po e filloj me të parën me punët e mëdha, programi qeverisës nuk është i punëve të mëdha, në fakt me këtë program do të degradojë procesi që është arritur në tri vitet e fundit. Punë e madhe është që Qeveria t’i përmbush kriteret për liberalizmin e vizave dhe këtu kushti i parë është marrëveshja e demarkacionit. Në faqen 7 keni premtuar se do ta zgjidhni çështjen e demarkacionin në bashkëpunim me Malin e Zi. Ne po presim marrëveshje të re me Malin e Zi ta vendosni kufirin atje ku i keni kërkuar komisionit Bulliqi që të vizatojë. Por ju e sollët marrëveshjen siç ka qenë. Pse nuk e morët vendimin e madh dhe të mos e aprovoni këtë marrëveshje në Qeveri. Në fakt jeni fshehur pas raportit Bulliqi kur e keni proceduar këtë marrëveshje”, tha Hoti.

 Edhe ndaj Hotit u kundërpërgjigj kryeministri Haradinaj, i cili tha se sa i përket punëve që kanë të bëjnë me atdheun askush s’mund t’ia devijojë rrugën.

 Haradinaj: Njëqind herë nëse rrëzohem prapë në këmbë bie si maca

“Mua me vjen keq gjithkujt me ia kthye fjalën, njëqind herë me më rrëzu prapë në këmbë bie, si maca, mos harroni, merreni macen gjuajeni prapë në këmbë bie, por jeni shumë këtu që rrëzoheni e nuk mund të çoheni më, as politikisht as kurrqysh. Pra vnojeni mendjen çka po doni se takohemi prapë, edhe politikisht  edhe me zgjedhje edhe mu rrëzu, edhe mu çu. Për tema të atdheut mbane mend, këtu me keni gjithë, nëse mendoni se ma devijon rrugën dikush për tema të atdheut gaboheni se nuk ka mundur askush”, tha Haradinaj.

Por, Hoti replikoi përsëri ndaj kryeministrit, duke thënë se nuk është mirë që kryeministri të kërcënojë.

 Hoti: Kryeministër mos kërcënoni

 “Kush është patriot e më pak patriot nuk është mirë kryeministri të gjuaj fjalë, as të kërcënoj a bie në këmbë a bie rrëzut. Ne nuk jemi duke biseduar për atë çështje sot, sot po diskutojmë për programin qeverisës për katër vitet e ardhshme, që është kontratë me qytetarët”, tha Hoti.

Nuk u ndal me kaq, pasi kryeministri Haradinaj reagoi përsëri, duke thënë se deputetët janë ata që duhet të vendosin për çështjen e demarkimit.

 Haradinaj: Ju vendosni si deputetë nëse guxoni

 “Shikoni, unë nuk kam qef me u nguc me askënd as me i thënë do fjalë që duhen në fund, herët, vetëm keni parasysh komisioni shtetëror i Kosovës ky që është sot është i njëjti si ai që ka ekzistuar dikur do të vyej edhe për tema tjera. Ky raporti i tij nuk është as me u fsheh por ia kemi pasur borxh popullit sepse qetu jemi kanë duke u mbyt, ka njerëz që po shkojnë me pranga në gjykatë për qat temë në vend se me qenë ulur këtu. E kemi pasur borxh  ta pastrojmë vendin tonë, punën tonë me një punë që i ka hije ai komision e ka bërë punën; tani tregojeni vetën nëse keni guxim, nëse s’keni thuani pse na keni sjellë, pse na keni qit në provim të shtirë se nuk guxojmë,  ja po ja jo dhe unë e pranoj”, shtoi Haradinaj.

Në debat u përfshi edhe nënkryetari i Kuvendit nga LDK, Kujtim Shala, i cili tha se do të votojë secilën marrëveshje që voton kryeministri.

 Edhe ndaj tij, replikoi Haradinaj, duke thënë se kryetari i tij i partisë(Isa Mustafa) është  frikësuar dhe e ka tërheq një herë  marrëveshjen  për demarkacionin.

Haradinaj: Mustafa u frikësu, unë s’e tërheqi kurrë marrëveshjen për demarkacionin

“Atë marrëveshje dy herë kryeministri i mëhershëm i ngrati, ani njëherë, i ngrati këtu e ka sjellë dhe ka tërheq. Një gjë po të garantoj sa rri kryeministër se di, kurrë unë s’e kthej mbrapa, do të përballeni ju. Unë jo, nëse ju e ktheni ju deputetët, nëse frikësoheni të vendosi po. E dyta... jo e ka tërheq pak minuta para se të votohet, vet e ka sjellë vet e ka tërheq mbrapa”, u shpreh Haradinaj.

Debati për programin qeverisës është duke vazhduar edhe në këto momente.

Hoti, Haradinajt: Sollët në Kuvend marrëveshjen siç ka qenë, u fshehët pas raportit të Bulliqit

Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti, e ka kritikuar aspër programin qeverisës të Qeverisë Haradinaj. Tha se i njëjti program nuk ka asnjë vizion dhe nuk ka pasion për tu ndihmuar qytetarëve.

Ai në fjalimin e tij në seancën  e sotme shtoi se programi qeverisës nuk shihet të jetë program i punëve të mëdha.

“Ju nuk jeni për punë të mëdha. Dhe nuk mund të adresoni problemet e mëdha të qytetarëve. Këto premtime nuk janë evidentua në problemin qeverisës. Vlerësojmë se shpërfaq në mënyrë të vrazhdë mungesën e vizionit të kësaj shoqërie. Këta nuk kanë pasion dhe përkushtim për qytetarët e Kosovës. Punë e madhe është që të përmbushen kushtet për viza”, tha ai.

Madje Hoti  e akuzoi Haradinaj që e solli në Kuvend marrëveshjen që dikur sa ishte ne opozitë e kundërshtonte ashpër.

Tha se atë ditë kur e çoi dorën në Qeveri për procedim të marrëveshjes për Demarkacionin në Kuvend, Haradinaj u fsheh pas raportit të Shpejtim Bulliqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat