Lekaj tregon arsyet e dhënies së 63 milionë eurove shtesë për Bechtel&Enka

Aktuale

Lekaj tregon arsyet e dhënies së 63 milionë eurove shtesë për Bechtel&Enka

Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 11:38
Seanca e Kuvendit

(E plotësuar) - Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka shpjeguar kontratën mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Bechtel&Enka; për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, duke thënë se kjo autostradë do të kushtojë 608 milionë euro.

Ai ka pranuar se kompania Bechtel&Enka ka kërkuar 63 milionë euro për shkak të zgjatjes së afatit për përfundimin e punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit.

Lekaj: Kontrata e parë për autostradës Prishtinë-Hani i Elezit ka qenë 599 milionë

“Kontrata në mes Bechtel&Enka dhe Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e autostradës F6 Prishtinë-Hani i Elezit, faktet. Kompania ndërtimore Bechtel&Enka si punëkryerëse dhe Qeveria si punë dhënëse kanë nënshkruar kontratën për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit në një vlerë prej 599 milionë e 944 mijë e 263 euro. Pas 1 shtatorit të vitit 2015 ky çmim është rritur në 608 milionë e 348 mijë e 630 euro për shkak të ndryshimit të TVSH-së nga 16 në 18 për qind. Punimet kanë filluar në vitin 2014 ndërsa do duhej të përfundonin me 1 janar 2018. Pas vonesave të Qeverisë së Kosovës për pagesat e punimeve të kryera nga punë kryesi, Qeveria i është drejtuar të zgjat afatin për përfundimin e punimeve ashtu që Qeveria Haradinaj me 27 shtator 2017 ka nënshkruar aneks kontratën për përfundimin e punimeve deri me 31. 12. 2018”, tha Lekaj.

Lekaj ka shpjeguar edhe vonesat e pagesave që janë bërë nga Qeveria e Kosovës ndaj kompanisë punëkryerëse Bechtel&Enka.

Lekaj: Asnjë vit nuk janë paguar detyrimet nga Qeveria

“Në vitin 2014 është dashur të paguhen 70 milionë, janë paguar 55 milionë. Vonesa 21 për qind e shpenzimeve të planifikuara. Në vitin 2015 është dashur të paguhen 220 milionë, janë paguar 112 milionë, në fillim të vitit janë alokuar vetëm 90 milionë euro, vonesa është për 59 për qind. Në vitin 2016 është dashur të paguhen 205 milionë euro, janë paguar 155 milionë e 978 mijë euro. Në fillim të vitit janë alokuar vetëm 108 milionë euro. Vonesa është 42 për qind. Këto vonesa kanë shkaktuar vonesa në përmbushjen e detyrimeve të debitorit në këtë rast Bechtel&Enka, me fajin e kreditorit Qeverisë së Kosovës përkundër faktit të mbajtjes diku rreth njëqind takimeve mes Bechtel&Enka dhe Qeverisë së Kosovës dhe ish ministrit dhe zyrtarëve tjerë lidhur me këtë temë dhe kërkesave të kontraktorit për pagesë të vonuara duke e paralajmëruar Qeverinë që do të detyrohet të reduktoj produktivitetin dhe rrjedhshmëri në që zgjat planprogramin e punimeve”, theksoi Lekaj.

Po ashtu si pasojë e zgjatjes së afatit për përfundimin e kësaj autostrade, Lekaj ka shpjeguar edhe dëmet që janë shkaktuar nga zgjatja e këtij afati.

Lekaj: Zgjatja e afatit ka kushtuar 63 milionë euro

“Kërkesa e punëkryerësit, e drejta për përshtatje të drejtë të çmimit kontraktues për shkak të zgjatjes së projektit, klauzola 16 e kontratës, ndërprerja dhe zgjidhja e kontratës nga kontraktori. Dëmi i shkaktuar nga shpenzimet e rrjedhshme nga zgjatja e afatit për përfundimin e punimeve, klauzola 16, a, b e kontratës indirekte. Personali menaxhues për administrimin e projektit ka kushtuar 16.6 milionë euro, pajisjet bazuar në përdorueshmërinë e tyre 30.8 milionë euro. Ndërprerjet, shpenzimet e krijuara për shkak të humbjes së produktivitetit për vitin 2014, 2015 dhe 2016 për shkak të zgjatjes se afatit të përfundimit ka kushtuar 10 milionë euro. Totali që është saktë 63 milionë euro”, tha Lekaj.

Ndaj saj reagoi deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se janë të tepruara kërkesat e kompanisë Bechtel&Enka.

Abdixhiku: Kërkesa e Bechtel&Enka nuk është përfundimtare

“E para duhet qartësuar qytetarëve që kërkesa e Bechtel&Enka nuk është definitive, pra është vetëm një kërkesë e tyre dhe si e tillë duhet trajtuar në bazë të interesave shtetërore ë Kosovës. Fakti që Bechtel&Enka i kërkon 63 milionë euro nuk do të thotë që me automatizëm duhet pranuar si kërkesa legjitime të tyre sepse po me duket e tepruar që Bechtel&Enka t’i kërkoj Kosovës 30 milionë pse i kanë qëndruar kamionët në Kosovë, po me duket e tepruar që ti kërkoj 16 milionë për rrogat e stafit të tyre për shkak të vonesave 11 milionë euro”, tha Abdixhiku.

Ndërsa, ministri Lekaj tha se çdo cent të qytetarëve do ta shfrytëzojnë në të mirën e tyre e jo në dëm të tyre.

Lekaj: Nuk janë 63 euro, as 63 mijë, por 63 milionë

“Nuk po i trilloj këto gjëra dhe dikë ta qes në tapetë të zezë, por ta diskutojmë se nuk janë 63 euro, as 63 mijë, por 63 milionë dhe kjo është që e bënë disbalancën dhe komplet strukturën buxhetore ta prishë”, shtoi Lekaj.

Ndryshe, në emër të mos punës efektive, amortizimit të mjeteve të punës, si dhe për shlyerjen e obligimeve që kanë ndaj bankave konsorciumi Bechtel & Enka përpos mjeteve të parapara me kontratë për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit nga Qeveria ka kërkuar edhe 63 milionë euro shtesë.

Përmes një shkrese zyrtare konsorciumi në fjalë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’ua paguajë këtë shumë të mjeteve në emër të mos punës efektive pa fajin e tyre, në emër të amortizimit të mjeteve të punës, si dhe për shlyerjen e obligimeve që kanë ndaj bankave.

Shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, ka prezantuar me listë numrin e zëvendësministrave në Qeverinë Mustafa.

Sipas tij, në Qeverinë e kaluar nuk kanë qenë asnjë me shumë se sa 47 zëvendësministra duke kritikuar Qeverinë Haradinaj për këtë numër siq tha ai enorm.

 Hoti: Qeveria Mustafa ka pasur 47 zëvendësministra

 “Sa për informatë të saj numri i zëvendësministrave në qeverinë aktuale ka arritur diku në 67 apo 68 sepse rritet në baza ditore. Unë besoj se kur të diskutojmë për raportin njëqind ditor sigurisht se do të emërohet edhe zëvendësministri i njëqind i qeverisë Haradinaj. Në qeverinë e kaluar iu informoj se nuk është mirë të thoni të pavërteta, ka pasur 47 zëvendësministra, ndërsa sot numri i tyre është 67 apo 68”, tha Hoti.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar  deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, e cila këmbëngulte se numri i zëvendësministrave në qeverinë Mustafa ishte më i madh se sa në Qeverinë Haradinaj.

Haxhiu: Hoti po thotë të pavërteta

“Ministri, sidomos ish ministri i Financave me ra në këtë gjendje, është e pavërtetë numri i zëvendësministrave. Është plotësisht e vërtetë numri i zëvendësministrave në qeverinë Mustafa,  PDK-LDK ishte shumë më i madh e flas me fakte se sa është sot, normal përfshi këtu, këto parti janë” theksoi Haxhiu.

Polemika mes Hotit dhe Haxhiut nuk ka mbaruar me kaq pasi që  Hoti kërkoi nga deputetja Haxhiu që të kërkojë falje, sepse ai po flet me fakte dhe shifra që mund të argumentohen.

Hoti: Unë po flas me shifra dhe fakte, deputetja të më kërkojë falje

 “Për deputeten, tash njëri nga ne do t’i kërkojmë falje tjetrit. Unë e kam listën këtu të zëvendësministrave në Qeverinë Mustafa, ndërsa disa nga anëtarët e Qeverisë Mustafa janë aty ministra dhe mund ta konfirmojnë. Është zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj që mund ta konfirmoj. Këtu janë 47 zëvendësministra në qeverinë Ministra, në Qeverinë Haradinaj duhet të jenë 67 apo 68 nuk e di saktë. Tash unë pres që deputetja të kërkoj falje”, shtoi Hoti.

 Megjithatë, deputetja Haxhiu nuk pajtohej me kolegun në opozitë Avdullah Hoti, pasi sipas saj, kanë qenë mbi 54 zëvendësministra në Qeverinë Mustafa.

Haxhiu: Qeveria Mustafa ka pasur mbi 54 zëvendësministra

 “Mbi 54, saktë mbi 54 kanë qenë në Qeverinë Mustafa dhe flas me përgjegjësi dhe shpenzimet ditore enorme që kanë bërë zëvendësministrat e qeverisë Mustafa”, u shpreh ajo.

Në këtë debat u përfshi edhe deputetja Hykmete Bajrami, e cila tha se ishte pikërisht qeveria Mustafa që uli nga një vit në gjashtë muaj marrjen e pagës nga zëvendësministrat pasi ta përfundojnë mandatin.

Bajrami: Mustafa e zbriti pagesën e zëvendësministrave nga një vit në gjashtë muaj

“Ju bej me dije deputetes dhe qytetarëve të Kosovës që vendimi paraprak që zëvendësministrat të paguhen një vit pas përfundimit të mandatit. Kryeministri Mustafa e ka marrë këtë vendim dhe e ka zvogëluar pagesën në gjashtë muaj. Ky është vendimi i kryeministrit Mustafa”, tha Bajrami.

Debati për programin qeverisës po vazhdon ende, por kryeministri Ramush Haradinaj ende nuk ka ardhur në seancë.

Tallja e Xhavit Halitit në Kuvend: Rrogat e vogla në Qeverinë Haradinaj

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën plenare, ku pikë e vetme e rendit të ditës është shqyrtimi i programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021.

Në këtë seancë kanë replikuar disa deputetë, rreth çështjes se numrit të madh të zëvendësministrave në Qeverinë Haradinaj. Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu ka deklaruar se është kundër numrit të madh të zëvendësministrave, mirëpo ka shtuar se po kaq zëvendësministra ka pasur edhe në qeverinë e kaluar atë të Isa Mustafës.“

Jam kundër që të ketë kaq shumë zëvendësministra, më mirë është të punojnë në profesionin e vetë, por as qeveria Mustafa nuk ka pasur hiq më pak”, ka theksuar ajo.

Por pas kësaj, është tallur Xhavit Haliti, i cili ka thënë që rrogat në Qeverinë Haradinaj janë të vogla.“Rrogat janë të vogla, por fitimi i madh”, tha ai.

Ndërsa, programi i Qeverisë dje është prezantuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se është fokusuar në zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe integrimet euro-atlantike.

Ky program është kritikuar nga opozita, e cila ka thënë se është kopje e punëve të pa kryera nga qeveritë e kaluara dhe që nuk specifikon se si do të zgjidhen çështjet që janë në të.

Vjen ultimatumi nga Milaim Zeka për rrëzim të Qeverisë Haradinaj

Image
Deputeti i Nisma-s për Kosovën, Milaim Zeka

Deputeti i Nisma-s për Kosovën, Milaim Zeka gjatë fjalimit të tij në seancën për shqyrtimin e programit të qeverisë ka kritikuar LDK për thirrjen e një Seance të tillë

Zeka ka thënë se LDK janë në siklet sipas tij janë duke dashtë më çdo kusht me rrëzu Qeverinë Haradinaj.Ai më tej ka thënë se duhet me lënë këtë Qeveri më punu deri në pranverë dhe nëse nuk punon do ta rrëzojmë bashkë.

“E kuptoj që LDK janë në siklet sepse merret me borën e parvjetme, krejt bota ka qef me ec përpara e këta me ngec. Mbas 100 ditëve ju bien mend me thirre seancë për shqyrtim të programit.Lene këtë Qeveri të punoj deri në pranverë pas kësaj që nuk punon e rrëzojmë bashkë”, ka deklaruar Zeka.

Tahiri numëron ndryshimet që do t’i bëjë në sistemin e drejtësisë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se si Qeveri e Kosovës kanë pesë objektiva për sistemin e drejtësisë, duke foluar nga përmirësimi i infrastrukturës ligjore dhe institucionale, proces që do të fillojë së shpejti dhe mund të kërkohet edhe ndryshime kushtetuese.

Pjesë e kësaj është edhe rishikimi i fushës penale, kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, legjislacioni për gjyqësorin dhe prokurorinë, si dhe kodifikimi i legjislacionit të fushës civile.

Image
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri

“Gjatë tre muajve të ardhshëm do të sjelli në Kuvend dy aktet të fushës penale, përkatësisht plotësim ndryshimet e kodin penal dhe në kodin e procedurës penale, por do të sjellim edhe ligjet tjera që mundësojnë luftim më efikas të korrupsionit”, tha ai.

Sipas tij, objektivi i dytë është përmirësimi i kornizës ligjore në bashkëpunim juridik ndërkombëtar për çështjet penale dhe civile, pastaj administrimi më efikas i sistemit të ekzekutimit të sanksioneve penale, funksionalizimi i Institutit të Mjekësisë Familjare dhe mekanizmat e mjekësisë tranzicionale, si dhe zhvillimi i kapaciteteve profesionale për funksionim më efikas të sistemit të drejtësisë, ku shumë shpejt do marrë masa që do të ndikojnë në sqarimin e mandatit të avokaturës shtetërore.

Seanca nis me kritikat për zëvendësministrat

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës po vazhdon për programin e Qeverisë së Kosovës, ku temë diskutimi sërish ishte numri i madh i zëvendësministrave në Qeverinë Haradinaj.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se deputetja Teuta Haxhiu po e pranon që kabineti ka këtë numër për shkak se shumë parti janë pjesë e koalicionit.

Sipas tij, në Qeverinë Haradinaj janë diku 67 apo 68, ndërsa, në Qeverinë Mustafa kanë qenë 47 zëvendësministra.

Këtë e ka mohuar deputetja Haxhiu, duke thënë se në Qeverinë Mustafa kanë qenë 54 zëvendësministra, të cilët kanë paguar 6 muaj pas përfundimit të mandatit.

Vazhdon seanca, shqyrtohet programi i Qeverisë

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën plenare, ku pikë e vetme e rendit të ditës është shqyrtimi i programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021.

Përndryshe, programi i Qeverisë dje është prezantuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se është fokusuar në zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe integrimet euro-atlantike.

Ky program është kritikuar nga opozita, e cila ka thënë se është kopje e punëve të pa kryera nga qeveritë e kaluara dhe që nuk specifikon se si do të zgjidhen çështjet që janë në të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat